Add parallel Print Page Options

Mbas vdekjes së Ashabit, Moabi u rebelua kundër Izraelit.

Ashaziahu ra nga dritarja e katit të sipërm në Samari dhe u dëmtua. Atëherë dërgoi lajmëtarë të cilëve u tha: "Shkoni të konsultoni Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit, për të ditur në se do ta marr veten nga kjo fatkeqësi".

Por një engjëll i Zotit i tha Tishbitit Elia: "Çohu dhe u dil përpara lajmëtarëve të mbretit të Samarisë dhe u thuaj atyre: "Mos vallë nuk ka Perëndi në Izrael, që ju shkoni të konsultoheni me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit?

Prandaj kështu thotë Zoti: "Ti nuk do të zbresësh më nga shtrati në të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"". Pastaj Elia u largua.

Lajmëtarët u kthyen te Ashaziahu, që i pyeti ata: "Pse u kthyhet?".

Ata u përgjigjën: "Një njeri na doli përpara dhe na tha: "Shkoni te mbreti që ju ka dërguar dhe i thoni: Kështu thotë Zoti: Mos vallë nuk ka asnjë Perëndi në Izrael që ti dërgon njerëz për t’u konsultuar me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj nuk do të zbresësh nga shtrati mbi të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"".

Atëherë mbreti i pyeti ata: "Si ishte njeriu që ju doli përpara dhe ju tha këto fjalë?".

Ata u përgjigjën: "Ishte një njeri i veshur me rroba leshi dhe me një brez prej lëkure rreth ijeve"; Ashaziahu tha: "Éshtë Elia, Tishbiti!".

Atëherë mbreti dërgoi tek Elia një kapiten pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij; ai u ngjit tek ai dhe e gjeti Elian të ulur në majë të malit. Kapiteni i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh".

10 Elia u përgjigj dhe i tha kapitenit të pesëdhjetëshes: "Në rast se jam një njeri i Perëndisë, të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe të pesëdhjetë njerëzit që janë me ty!". Dhe nga qielli zbriti një zjarr, që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.

11 Atëherë mbreti i dërgoi një kapiten tjetër pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij, që iu drejtua Elias dhe i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh menjëherë".

12 Elia u përgjigj dhe u tha atyre: "Në qoftë se jam një njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe pesëdhjetë njerëzit e tu". Dhe nga qielli zbriti zjarri i Perëndisë që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.

13 Mbreti dërgoi edhe një kapiten të tretë pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij. Ky kapiten i tretë pesëdhjetësheje u ngjit dhe shkoi e u shtri para Elias, duke e lutur: "O njeriu i Perëndisë, të lutem, jeta ime e këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu qofshin të çmuara në sytë e tu!

14 Ja, një zjarr zbriti nga qielli dhe zhduku dy kapitenët e parë të pesëdhjetëshes me pesëdhjetë njerëzit e tyre; por tani jeta ime qoftë e çmuar në sytë e tu".

15 Engjëlli i Zotit i tha Elias: "Zbrit me të dhe mos ki frikë prej tij". Prandaj Elia u ngrit dhe zbriti bashkë me të te mbreti,

16 dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "Pse nuk paska në Izrael asnjë Perëndi, me fjalën e të cilit të mund të këshillohesh, që ti dërgove lajmëtarë te Baal-Zebubi, perëndi e Ekronit? Për këtë arësye ti nuk do të zbresësh nga shtrati në të cilin ke hipur, por ke për të vdekur me siguri"".

17 Kështu Ashaziahu vdiq, sipas fjalës së Zotit, të cilën e shqiptoi Elia. Me qenë se nuk kishte bij, Jerohami filloi të mbretërojë në vend të tij, gjatë vitit të dytë të Jerohamit, birit të Jozafatit, mbretit të Judës.

18 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Ashaziahu a nuk është e shkruar vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

Kur Zoti deshi ta çonte në qiell Elian në një shakullinë, Elia u nis nga Gilgali bashkë me Eliseun.

Atëherë Elia i tha Eliseut: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgoi deri në Bethel". Por Eliseu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti vetë rron, unë nuk do të lë". Kështu zbritën në Bethel.

Dishepujt e profetëve që ishin në Bethel shkuan pastaj ta takojnë Eliseun dhe i thanë: A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënde përmbi ty?". Ai u përgjigj: "Po, e di; heshtni!".

Pastaj Elia i tha: "Elise, ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgon në Jeriko". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që ti vetë rron, unë nuk do të të lë". Kështu zbritën në Jeriko.

Atëherë dishepujt e profetëve që ishin në Jeriko iu afruan Eliseut dhe i thanë: "A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënd përmbi ty?". Ai u përgjigj: Po, e di; heshtni!!".

Pastaj Elia i tha: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më çon në Jordan". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu e vazhduan rrugën bashkë.

Pesëdhjetë veta nga radhët e dishepujve të profetëve shkuan pas tyre dhe u ndalën përballë tyre, nga larg, ndërsa Elia dhe Eliseu u ndalën në bregun e Jordanit.

Atëherë Elia mori mantelin e tij, e mbështolli dhe rahu me të ujërat, që u ndanë andej dhe këndej; kështu kaluan që të dy në të thatë.

Mbas kalimit, Elia i tha Eliseut: "Kërko çfarë do që unë të bëj, për ty, para se të më largojnë prej teje". Eliseu u përgjigj: "Të lutem, bëj që një pjesë e dyfishtë e frymës tënde të vijë mbi mua".

10 Elia tha: "Ti ke kërkuar një gjë të vështirë; megjithatë, po të më shohësh kur do të më largojnë prej teje, kjo do të të jepet, përndryshe nuk do ta kesh".

11 Ndërsa ecnin duke folur, ata u ndanë nga njeri tjetri nga një qerre e zjarrtë dhe nga kuaj të zjarrtë, dhe Elia u ngjit në qiell në një shakullinë.

12 Eliseu e pa këtë dhe filloi të bërtasë: "O ati im, o ati im, qerre e Izraelit dhe kalorësia e tij". Pastaj nuk e pa më. Atëherë kapi rrobat e tij dhe i grisi më dysh.

13 Mblodhi pastaj mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, u kthye prapa dhe u ndal në bregun e Jordanit.

14 Pastaj mori mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, rrahu ujërat me të dhe tha: "Ku është Zoti, Perëndia i Elias?". Kur edhe ai rrahu ujërat, këto u ndanë sa andej edhe këtej dhe Eliseu kaloi.

15 Kur dishepujt e profetëve që ishin në Jeriko dhe ndodheshin kështu përballë Jordanit e panë Eliseun, ata thanë: "Fryma e Elias është vendosur mbi Eliseun". Pastaj i dolën përpara, u përkulën deri në tokë përpara tij

16 dhe i thanë: "Ja, ka midis shërbëtorëve të tu pesëdhjetë njerëz të fuqishëm; lëri të shkojnë e të kërkojnë zotin tënde se mos Fryma e Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur mbi ndonjë mal apo në ndonjë luginë". Eliseu u përgjigj: "Mos dërgoni njeri".

17 Por ata ngulën këmbë aq shumë sa ai mbeti i hutuar dhe tha: "Çojini". Atëherë ata dërguan pesëdhjetë njerëz për të kërkuar Elian tri ditë me radhë, por nuk e gjetën.

18 Kur ata u kthyen tek Eliseu, që ishte ndalur në Jeriko, ai u tha atyre: A nuk ju kisha thënë: Mos shkoni??".

19 banorët e qytetit i thanë Eliseut: "Ja, qëndrimi në këtë qytet është i këndshëm, siç mund ta vërë re zoti jonë, por ujërat janë të këqija dhe vendi jopjellor.

20 Ai tha: "Më sillni një pjatë të re dhe mbusheni me kripë". Ata ia sollën.

21 Ai shkoi te burimi i ujërave, hodhi aty kripën dhe tha: "Kështu thotë Zoti: "Unë do t’i bëj të mbara këto ujëra, ato nuk do të shkaktojnë më as vdekje, as shterpësi"".

22 Kështu ujërat kanë mbetur të mbara deri më sot, sipas fjalës që Eliseu kishte shqiptuar.

23 Që andej Eliseu u ngjit në Bethel. Ndërsa po ngjitej nëpër rrugë dolën nga qyteti disa të rinj dhe filluan të tallen me të, duke thënë: "Ngjitu, o kokë tullaci! Ngjitu, o kokë tullaci".

24 Ai u kthye, i pa dhe i mallkoi në emër të Zotit, atëherë dolën nga pylli dy arinj, që i bënë copë-copë dyzet e dy nga këta të rinj.

25 Që këtej Eliseu shkoi në malin Karmel dhe që andej u kthye pastaj në Samari.

Jehorami, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e tetëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet me radhë.

Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit, por jo si i ati i tij dhe nëna e tij, sepse hoqi shtyllën e Baalit, të ndërtuar nga i ati.

Megjithatë ai mbeti i lidhur me mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të mëkatojë, dhe nuk u shkëput nga ato.

Mesha, mbret i Moabit, ishte një rritës dhensh dhe i paguante mbretit të Izraelit një haraç prej njëqind mijë qengjash dhe leshin e njëqind mijë deshve.

Por me vdekjen e Ashabit, mbretit të Moabit u rebelua kundër mbretit të Izraelit.

Atëherë mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe kërkoi të mblidhet tërë Izraeli;

pastaj u nis dhe i çoi fjalë Jozafatit, mbretit të Judës: "Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje; a do të vish me mua për të luftuar kundër Moabit?". Ai u përgjigj: "Do të vij, ki besim tek unë ashtu si ke besim tek vetja jote, te populli im ashtu si te populli yt, te kuajt e mi ashtu si te kuajt e tu".

Pastaj pyeti: "Nëpër çfarë rruge do të shkojmë?". Jehorami u përgjigj: Nga rruga e shkretëtirës së Edomitt".

Kështu mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit filluan marshimin; mbasi ecën përqark shkretëtirës shtatë ditë, filloi t’i mungojë uji ushtrisë dhe kafshëve që e ndiqnin.

10 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Sa keq! Zoti i ka thirrur bashkë këta tre mbretër për t’i dorëzuar në duart e Moabit!".

11 Por Jozafati pyeti: "A ka këtu ndonjë profet të Zotit me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin?". Njëri nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj dhe tha: "Kemi këtu Eliseun, birin e Shafatit, i cili derdhte ujë mbi duart e Elias".

12 Jozafati tha: "Fjala e Zotit është me të". Kështu mbreti i Izraelit, Jozafati dhe mbreti i Edomit zbritën drejt tij.

13 Por Eliseu i tha mbretit të Izraelit: "Ç’punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate!". Mbreti i Izraelit iu përgjigj: Jo, sepse Zoti i ka thirrur bashkë të këta tre mbretër për t’i dorëzuar nëë duart e Moabit".

14 Atëherë Eliseu tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive, në prani të të cilit ndodhem unë, po të mos ishte për respektin që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, nuk do të isha kujdesur aspak për ty dhe nuk do të të kisha begenisur as edhe me një shikim.

15 Por tani më sillni një muzikant". Por ndodhi që, ndërsa muzikanti i binte harpës, dora e Zotit u ndodh mbi Eliseun.

16 Atëherë ai tha: "Kështu flet Zoti: "Gërmoni shumë gropa në këtë luginë".

17 Sepse kështu thotë Zoti: "Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit.

18 Por kjo është akoma pak në sytë e Zotit, sepse ai do t’ju japë në dorë edhe Moabin.

19 Ju do të shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet më të mira, do të rrëzoni të gjithë drurët e mirë, do të zini të gjitha burimet e ujit dhe do të shkatërroni me gurë të gjitha parcelat e mira të tokës"".

20 Të nesërmen, në orën në të cilën ofrohet blatimi i ushqimit, ja që erdhi uji nga ana e Edomit dhe vendi u mbush plot me ujë.

21 Tërë Moabitët, që mësuan që këta mbretër kishin dalë për të bërë luftë, mblodhën tërë ata që ishin në gjendje të mbanin armë, të rinj dhe pleq, dhe u rreshtuan në kufi.

22 Kur u ngritën në mëngjes herët, dielli shndriste mbi ujërat; atëherë Moabitët panë para tyre ujërat të kuqë si gjak;

23 dhe thanë: "Po ky është gjak! Me siguri këta mbretër janë përleshur dhe kanë vrarë njeri tjetrin. Kështu, pra, o Moab, të bëjmë plaçkë!".

24 Kështu u sulën drejt kampit të Izraelit; por Izaelitët u ngritën dhe i vunë përpara Moabitët, që ia mbathën para tyre. Hynë pastaj në vend dhe vazhduan t’i vrasin Moabitët.

25 Shkatëruan qytetet; çdo copë tokë të mirë e mbushën me gurë, duke hedhur secili gurin e tij; i zunë të gjitha burimet e ujit dhe prenë tërë drurët e mirë. Në Kir-Hareseth mbetën vetëm gurët, por hobetarët e rrethuan dhe e sulmuan.

26 Mbreti i Moabit, duke parë që beteja ishte tepër e fortë për të, mori me vete shtatëqind veta që vringëllonin shpatat, për të çarë rrugën deri te mbreti i Edomit; por nuk mundën.

27 Atëherë ai mori të parëlindurin e tij që do të mbretëronte në vend të tij, dhe e ofroi si olokaust mbi muret. Pati atëherë një zemërim të madh kundër atyre Izraelitëve që u larguan nga ai dhe u kthyen në vendin e tyre.