Add parallel Print Page Options

10 Personalisht unë, Pali, po ju këshi-lloj me anë të zemërbutësisë dhe të mirësisë së Krishtit; unë, që kur ndodhem vetë midis jush jam i përunjur, ndërsa kur jam larg jush tregohem i guximshëm ndaj jush.

Ju lutem, që, kur të vij te ju, të mos jem i detyruar të veproj me guxim me atë siguri, me të cilin mendoj të guxoj kundër disave, që na konsiderojnë sikur ecim sipas mishit.

Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit,

sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat,

që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit,

dhe jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje, kur të bëhet e përkryer bindja juaj.

A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit.

Edhe, nëse unë do ta mburrja veten më tepër për autoritetin tonë, që Zoti na dha për ndërtimin tuaj dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohesha.

Nuk dua të dukem se po kërkoj t’ju tremb me letrat e mia.

10 Sepse dikush thotë: “Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij ka pak peshë.”

11 Le ta dijë, pra, ai njeri, se ashtu si jemi në fjalë, me anë të letrave kur jemi larg, të tillë do të jemi edhe me vepra, kur të jemi të pranishëm.

12 Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend.

13 Por ne nuk do të mburremi jashtë masës, po sipas masës së rregullës që caqet i caktoi Perëndia, sa të arrijmë deri te ju,

14 Sepse ne nuk po shtrihemi përtej caqeve, sikurse nuk arritëm deri te ju, sepse ne arritëm më të vërtetë deri te ju me anë të predikimit të ungjillit të Krishtit.

15 Dhe ne nuk mburremi përtej masës për punët e tjetrit, por kemi shpresë se, duke u rritur besimi juaj, ne do të kemi një konsideratë më të madhe ndër ju, sipas cakut tonë,

16 sa që përhapim ungjillin edhe përtej vendeve tuaj, pa u mburrur me ato që janë bërë në këtë lëmë nga të tjerë.

17 Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin,

18 sepse nuk miratohet ai që e rekomandon veten e tij, po ai të cilin e rekomandon Zoti.

11 Oh, sa do të dëshiroja që ju të duronit pak marrëzi me mua! Po në fakt, ju më duroni.

Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë, sepse ju fejova me një burrë, që t’ju nxjerr para Krishtit si virgjëreshë të dlirë.

Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.

Sepse, po të vinte dikush dhe t’ju predikonte një Jezus tjetër, që ne nuk e kemi predikuar, ose, po të merrnit një frymë tjetër që nuk e keni marrë, ose një ungjill tjetër që nuk e keni pranuar, do ta duronit fort mirë.

Unë mendoj se nuk kam qenë aspak më poshtë nga apostujt më të shquar.

Dhe, megjithëse jam i thjeshtë në të folur, nuk jam i tillë në dituri; madje me të gjitha mënyrat dhe në të gjitha gjërat jua kemi treguar.

Mos vallë bëra mëkat duke e ulur veten time që të lartoheni ju, sepse ju kam predikuar falas ungjillin e Perëndisë?

Unë shfyrtësova kishat e tjera, duke marrë një rrogë që t’ju shërbej juve.

Dhe, kur isha midis jush dhe isha nevojtar, nuk iu bëra barrë askujt; sepse nevojat e mia i plotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia; dhe në çdo gjë u ruajta që të mos ju bëhem barrë ju, edhe për të ardhmen do të ruhem.

10 Duke qenë se e vërteta e Krishtit është në mua, kjo mburrje, përsa më përket mua, nuk do të më ndalohet në vendet e Akaisë.

11 Pse? Ndoshta sepse nuk ju dua? Perëndia e di.

12 Por atë që bëj, do ta bëj përsëri, që t’u pres çdo shkas atyre që duan shkas, që ata të gjenden si edhe ne, në atë gjë, për të cilën mburren.

13 Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit.

14 Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite.

15 Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre.

16 Po e them përsëri: Askush të mos mendojë se jam i marrë; në mos, më pranoni edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem pakëz.

17 Atë që po them në mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por në marrëzi.

18 Duke qenë se shumë vetë mburren sipas mishit, edhe unë do të mburrem.

19 Sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtë të marrët.

20 Sepse tashmë ju duroni, nëse dikush ju robëron, nëse dikush ju gllabëron, nëse dikush ju grabit, nëse dikush krenohet, nëse dikush ju godet në fytyrë.

21 Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë.

22 Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë.

23 Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje.

24 Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një.

25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë.

26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë,

27 në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.

28 Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.

29 Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?

30 Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.

31 Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që është i bekuar përjetë, e di se unë nuk gënjej.

32 Në Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e Damaskasve për të më zënë,

33 por nga një dritare më ulën përgjatë murit me një shportë, dhe shpëtova nga duart e tij.

12 Sigurisht nuk kam dobi nga të mburrurit; prandaj do t’ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit.

Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell.

Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di),

u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri.

Për atë njeri unë do të krenohem, por nuk do të krenohem për veten time, veç se për dobësitë e mia.

Edhe sikur të doja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën; por nuk e bëj këtë, se mos ndonjë më çmon më tepër nga ajo që më sheh, a më tepër nga ajo që dëgjon nga unë.

Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m’u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh.

Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë.

Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.” Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.

10 Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

11 U bëra i marrë duke u mburrur; ju më shtrënguat, sepse u desh që ju të më rekomandoni, sepse nuk qeshë aspak më poshtë se apostujt e lartë, edhe pse unë nuk jam asgjë.

12 Shenjat e apostullit u vërtetuan ndër ju me durim të madh, me shenja e mrekulli dhe çudira.

13 Vallë nëse ju mbetët prapa, pra, nga kishat e tjera, rveç se në faktin se unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë gabim.

14 Ja, kjo është e treta herë që jam gati të vij te ju, dhe nuk dua t’ju bëhem barrë, sepse s’kërkoj pasuritë tuaja, por juve; sepse bijtë nuk e kanë për detyrë të mbledhin për prindërit, por prindërit për bijtë.

15 Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithse ju dua më fort dhe më doni më pak.

16 Ashtu qoftë! Unë nuk u bëra barrë për ju; megjithatë, duke qenë dinak ju zura me dredhi.

17 Mos përfitova vallë ndonjë gjë nga ju me anë të ndonjë që dërgova te ju?

18 Unë iu luta Titit dhe me të dërgova edhe këtë vëlla. Mos përfitoi gjë Titi nga ju? A nuk kemi ecur me të njëjtin frymë dhe në të njëjtat gjurmë?

19 A mendoni përsëri se ne kërkojmë të justifikohemi para jush? Ne flasim përpara Perëndisë, në Krishtin, dhe të gjitha këto, o fort të dashur, janë për ndërtimin tuaj.

20 Sepse kam frikë se mos kur të vij nuk ju gjej sikundër kam dashur dhe se mos ju më gjeni sikundër nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zemërime, shpërthime, përgojime, insinuata, kryelartësi, ose trazira midis jush;

21 se mos kur të vijë sërish, Perëndia im do të më përulë në mes tuaj dhe unë do të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më parë dhe nuk u penduan për fëlliqësinë, kurvërinë dhe shthurjen që praktikuan.

13 Ja, kjo është e treta herë që po vij te ju. “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve.”

E thashë edhe më parë, kur isha i pranishëm te ju për të dytën herë, dhe po e them tani që jam larg jush. Po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar më përpara dhe të gjithë të tjerëve se, po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri.

Sepse ju kërkoni provën e Krishtit që flet në mua; dhe ai s’është i dobët ndaj jush, por është i fuqishëm në ju.

Sepse, megjithëse ai u kryqëzua në dobësinë e tij, ai po rron nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të rrojmë me të nëpërmjet fuqisë së Perëndisë ndaj nesh.

Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar.

Por unë shpresoj se ju do ta njihni se ne nuk jemi të përjashtuar.

Edhe i lutem Perëndisë që të mos bëni ndonjë të keqe, jo që të dukemi të miratuar, por që ju të bëni atë që është e mirë edhe sikur ne të ishim të përjashtuar.

Ne në fakt nuk kemi asnjë forcë kundër së vërtetës, por vetëm pro së vërtetës.

Sepse ne gëzohemi kur jemi të dobët dhe ju jeni të fortë; dhe ne lutemi edhe për këtë: për përsosjen tuaj.

10 Prandaj i shkruaj këto gjëra, kur jam larg jush, që, kur të jem i pranishëm, të mos sillem me ashpërsi, sipas autoritetit që më ka dhënë Zoti për të ndërtuar e jo për të prishur.

11 Më në fund, o vëllezër, gëzohuni, përsosuni, ngushëllohuni, jini të një mendje, jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju.

12 Përshëndetni njeri tjetrin me një puthje të shenjtë,

13 të gjithë shenjtorët ju përshëndesin.

14 Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë. Amen.