Add parallel Print Page Options

35 Josia kremtoi në Jeruzalem Pashkën për nder të Zotit; Pashka u kremtua ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë.

Ai i caktoi priftërinjtë në detyrat e tyre dhe i nxiti në shërbimin e shtëpisë të Zotit.

Pastaj u tha Levitëve që udhëzonin tërë Izraelin dhe që i ishin shenjtëruar Zotit: "Vendoseni arkën e shenjtë në tempullin e ndërtuar nga Salomoni, bir i Davidit, mbret i Izraelit; ajo nuk do të jetë më barrë për shpatullat tuaja. Tani shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, dhe popullit të tij të Izraelit.

Vendosuni sipas shtëpive tuaja atërore, sipas klasave tuaja, në bazë të udhëzimeve të shkruara të Davidit, mbretit të Izraelit, dhe të Salomonit, birit të tij;

qëndroni në shenjtërore sipas ndarjeve të shtëpive atërore të vëllezërve tuaj, bij të popullit, dhe pjesa e shtëpisë atërore të Levitëve.

Flijoni Pashkën, shenjtërohuni dhe vihuni në dispozicion të vëllezërve tuaj, duke ndjekur fjalën e Zotit të transmetuar me anë të Moisiut".

Pastaj Josia u dha njerëzve të popullit, gjithë atyre që ishin të pranishëm, bagëti të imta, qengja dhe keca, gjithsej tridhjetë mijë kokë, të tëra për Pashkët, si edhe tre mijë qe; kjo vinte nga pasuria e mbretit.

Edhe princat i bënë një dhuratë spontane popullit, priftërinjve dhe Levitëve. Hilkiahu, Zakaria dhe Jehieli, drejtues të shtëpisë së Perëndisë, u dhanë priftërinjve për flijimet e Pashkës dy mijë e gjashtëqind qengja dhe keca si edhe treqind qe.

Përveç kësaj Konaniahu, bashkë me vëllezërit e tij Shemajah dhe Nethaneel, dhe Hashabiahu, Jeijeli dhe Jozabadi, krerë të Levitëve, u dhanë Levitëve për flijimet e Pashkës pesë mijë qengja dhe keca si edhe pesëqind qe.

10 Sa u përgatit shërbimi, priftërinjtë zunë vendet e tyre, dhe Levitët sipas klasave të tyre, në bazë të urdhrit të dhënë nga mbreti.

11 Pastaj flijuan Pashkën; priftërinjtë e spërkatnin gjakun me duart e tyre, ndërsa Levitët ripnin kafshët.

12 Kështu vunë mënjanë olokaustet për t’ua shpërndarë bijve të popullit, sipas ndarjeve të shtëpive atërore, me qëllim që t’ia ofronin Zotit, siç është shkuar në librin e Moisiut. Vepruan njëlloj me qetë.

13 Pastaj poqën qengjat e Pashkës mbi zjarr sipas normave të përcaktuara; por ofertat e tjera të shenjtëruara i gatuan në tenxhere, në kazanë dhe në tiganë dhe ua shpërndanë menjëherë tërë bijve të popullit.

14 Pastaj përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, sepse priftërinjtë, bijtë e Aaronit, ishin të zënë deri në mbrëmje për të ofruar olokaustet dhe pjesët me dhjamë; kështu Levitët përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, bij të Aaronit.

15 Këngëtarët, bij të Asafit, ishin në vendin e tyre, sipas urdhrit të Davidit, të Asafit, të Hemanit dhe të Jeduthunit, shikuesit të mbretit. Në çdo portë kishte derëtarë; këta nuk patën nevojë të largoheshin nga shërbimi i tyre, sepse Levitët, vëllezërit e tyre, kishin përgatitur racione për ata.

16 Kështu atë ditë tërë shërbimi i Zotit u përgatit për të kremtuar Pashkën dhe për të ofruar olokauste mbi altarin e Zotit, sipas urdhrit të mbretit Josia.

17 Bijtë e Izraelit, që ishin të pranishëm, e kremtuan atëherë festën e Pashkës dhe festën e të ndormëve shtatë ditë me radhë.

18 Në Izrael nuk ishte kremtuar një Pashkë si ajo që nga koha e profetit Samuel. Asnjë nga mbretërit e Izraelit nuk kishte kremtuar ndonjëherë një Pashkë si ajo që u kremtua nga Josia, me pjesëmarrjen e priftërinjve, të Levitëve, të gjithë Judës dhe të Izraelit, të pranishëm bashkë me banorët e Jeruzalemit.

19 Kjo Pashkë u kremtua në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josias.

20 Mbas gjithë këtyre gjërave, kur Josia e vuri në rregull tempullin, Neko, mbret i Egjiptit, doli në Karkemish mbi Eufrat për të luftuar; dhe Josia u ngrit kundër tij.

21 Por Neko i dërgoi lajmëtarë për t’i thënë: "Çfarë ka midis meje dhe teje, o mbret i Judës? Këtë herë unë nuk kam ardhur kundër teje, por kundër një shtëpie me të cilën ndodhem në luftë; Perëndia më ka urdhëruar të shpejtohem; mos e kundërshto, pra, Perëndinë që është me mua, që ai të mos të të shkatërrojë".

22 Por Josia nuk deshi të tërhiqet nga ai; por për të luftuar kundër tij u vesh me rroba të tjera që të mos njihej dhe nuk i dëgjoi fjalët e Nekos, që vinin nga goja e Perëndisë. Kështu doli të ndeshet në luginën e Megidos.

23 Por disa harkëtarë gjuajtën kundër mbretit Josia; atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: "Më largoni që këtej, sepse jam plagosur rëndë".

24 Shërbëtorët e tij e hoqën nga qerrja e tij, e vunë në një qerre të dytë që ai kishte dhe e çuan në Jeruzalem. Kështu ai vdiq dhe u varros në varrezat e etërve të tij. Tërë Juda dhe Jeruzalemi mbajtën zi për Josian.

25 Jeremia kompozoi një vajtim për Josian; tërë këngëtarët dhe këngëtaret në vajtimet e tyre kanë folur për Josian deri në ditën e sotme; dhe këto janë bërë një zakon në Izrael; dhe ja, ata janë shkruar në Vajtimet.

26 Pjesa tjetër e bëmave të Josias, veprat e tij të mira sipas asaj që është shkruar në ligjin e Zotit,

27 veprimet e tij, nga të parat deri në të fundit janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës.

36 Atëherë populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, dhe e bëri mbret në Jeruzalem në vend të atit të tij.

Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem.

Mbreti i Egjiptit e hoqi nga froni në Jeruzalem dhe i vuri vendit një gjobë njëqind talentash argjendi dhe një talent ari.

Pastaj mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit vëllanë e tij Eliakimin, të cilit ia ndërroi emrin dhe e quajti Jehojakim. Neko përkundrazi mori vëllanë e tij Jehoahaz dhe e çoi në Egjipt.

Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.

Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, doli kundër tij dhe e lidhi me zinxhira prej bronzi për ta çuar në Babiloni.

Nebukadnetsari çoi gjithashtu në Babiloni një pjesë të sendeve të shtëpisë të Zotit dhe i vuri në pallatin e tij në Babiloni.

Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit, gjërat e neveritshme që kreu dhe të gjitha ato që u gjetën kundër tij, ja, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës. në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.

Jehojakini ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj dhe dhjetë ditë në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

10 Në fillim të vitit të ri mbreti Nebukadnetsar dërgoi ta marrë dhe e çoi në Babiloni me gjërat e çmuara të shtëpisë të Zotit. Pastaj bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit Sedekian, vëllanë e Jehojakinit.

11 Sedekia ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.

12 Edhe ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, dhe nuk u përul përpara profetit Jeremia, që fliste nga ana e Zotit.

13 Ai ngriti krye gjithashtu kundër mbretit Nebukadnetsar, që e kishte vënë të betohej në emër të Perësndisë por ai e mpiu zverkun e tij dhe ngurtësoi zemrën e tij, duke mos pranuar të kthehej tek Zoti, Perëndia i Izraelit.

14 Edhe tërë krerët e priftërinjve dhe populli mëkatuan gjithnjë e më tepër duke ndjekur të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve dhe e ndotën shtëpinë se Zotit, që ai u kishte shenjtëruar në Jeruzalem.

15 Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi atyre, që në fillim dhe me këmbëngulje, paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij, sepse donte ta shpëtonte popullin e tij dhe banesën e tij.

16 Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje.

17 Atëherë ai bëri që të dalin kundër tyre mbreti i Kaldeasve, që vrau me shpatë të rinjtë e tyre në shtëpinë e shenjtërores së tyre, pa pasur mëshirë për të riun, për virgjireshën, për plakun ose për flokëthinjurin. Zoti i dha të gjithë në duart e tij.

18 Nebukadnetsari solli në Babiloni të gjitha sendet e shtëpisë së Perëndisë, të mëdha ose të vogla, thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e mbretit dhe të parisë së tij.

19 Pastaj i vunë zjarrin shtëpisë të Perëndisë, rrëzuan muret e Jeruzalemit, u vunë flakën të gjitha pallateve të tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë.

20 Përveç kësaj Nebukadnetsari internoi në Babiloni ata që i kishin shpëtuar shpatës; këta u bënë shërbëtorë të tij dhe të bijve të tij deri në ardhjen e mbretërisë së Persisë,

21 që kështu të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, deri sa vendi të kremtonte të shtunat e tij. Në fakt ai kremtoi të shtunën për gjithë kohën e shkretimit të tij deri sa u mbushën të shtatëdhjetë vjetët.

22 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, me qëllim që të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, Zoti e nxiti frymën e Kirit, mbret të Persisë, që të nxirrte një dekret për gjithë mbretërinë e tij dhe ta jepte me të shkruar, duke thënë:

23 "Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t’i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem, që është në Judë. Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të dhe le të niset!".