Add parallel Print Page Options

28 Ashazi ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi, i ati;

por ndoqi rrugët e mbretërve të Izraelit, madje bëri shëmbëlltyra prej metali të shkrirë për Baalët.

Ai dogji temjan në luginën e Birit të Hinomit dhe dogji në zjarr bijtë e tij, duke ndjekur veprimet e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit;

përveç kësaj bënte flijime dhe dogji temjan mbi vendet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë të gjelbëruar.

Prandaj Zoti, Perëndia i tij, ia dha në dorë mbretit të Sirisë; ky i mundi dhe zuri një numër të madh robërish që i çuan në Damask. U dha gjithashtu në dorë të mbretit të Izraelit, që i shkaktoi një humbje të madhe.

Në të vërtetë Pekahu, bir i Remaliahut, brenda një dite vrau njëqind e njëzet mijë burra në Judë, tërë trima, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.

Zikri, një trim nga Efraimi, vrau Maasejahun, birin e mbretit, Azrikam, prefektin e pallatit, dhe Elkanahun, që zinte vendin e dytë pas mbretit.

Bijtë e Izraelit çuan robër, midis vëllezërve të tyre, dyqind mijë gra, bij dhe bija; u morën atyre edhe një plaçkë të madhe, që e çuan në Samari.

Por aty ishte një profet i Zotit, që quhej Obed. Ai doli para ushtrisë që po kthehej në Samari dhe tha: "Ja, me qenë se Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ishte i zemëruar me Judën, ju dha ata në duart tuaja, por ju i vratë me tërbim, që arriti deri në qiell.

10 Dhe tani doni t’i nënshtroni, si skllevërit tuaj dhe skllavet tuaja, bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jeruzalemit. Por në realitet a nuk jeni fajtorë ju vetë përpara Zotit, Perëndisë tuaj?

11 Dëgjomëni, pra, dhe kthejini robërit që keni zënë midis vëllezërve tuaj, sepse përndryshe zemërimi i zjarrtë i Zotit do të bjerë mbi ju".

12 Atëherë disa nga krerët e bijve të Efraimit, Azariahu, bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngritën kundër atyre që ktheheshin nga lufta,

13 dhe u thanë: "Ju nuk do t’i sillni këtu robërit, sepse mbi ne rëndon tanimë një faj kundër Zotit; ajo që keni ndër mend të bëni do t’i shtojë edhe më tepër mëkatet dhe fajin tonë, sepse faji ynë është mjaft i madh dhe një zemërim i zjarrtë i kërcënohet Izraelit".

14 Atëherë ushtarët i lanë robërit dhe plaçkën përpara komandantëve dhe tërë asamblesë.

15 Pastaj disa njerëz të thirrur me emër u ngritën dhe morën robërit dhe me rrobat e plaçkës veshën tërë ata që ishin lakuriq; u dhanë rroba dhe sandale, për të ngrënë dhe për të pirë dhe i vajosën; pastaj i mbartën tërë të dobëtit mbi gomarë dhe i çuan në Jeriko, qyteti i palmave, pranë vëllezërve të tyre, pastaj u kthyen në Samari.

16 Në atë kohë mbreti Ashaz shkoi t’i kërkojë ndihmë mbretit të Asirisë.

17 Edomitët kishin ardhur përsëri, kishin mundur Judën dhe kishin marrë me vete robërit.

18 Filistejtë kishin pushtuar edhe qytetet e fushës dhe të Negevit të Judës dhe kishin marrë Beth-Shemeshin, Ajalonin, Gederothin, Sokon me fshatrat e tij, Timnahun me fshatrat e tij, Gimzon me fshatrat e tij, dhe ishin vendosur aty.

19 Zoti në fakt kishte poshtëruar Judën për shkak të Ashazit, mbretit të Izraelit, që kishte nxitur rënien morale në Judë dhe kishte kryer mëkate të rënda kundër Zotit.

20 Kështu Tilgath-Pilneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij dhe e shtypi në vend që ta ndihmonte,

21 megjithatë Ashazi kishte marrë një pjesë të thesareve të shtëpisë të Zotit, të pallatit të mbretit dhe të krerëve, dhe ia kishte dhënë të gjitha mbretit të Asirisë; megjithatë kjo nuk i vlejti fare.

22 Edhe kur ishte i shtypur, mbreti Ashaz mëkatoi edhe më shumë kundër Zotit.

23 U ofroi flijime perëndive të Damaskut që e kishin mundur, duke thënë: Me qenë se perënditë e mbretit të Sirisë i ndihmojnë ata, unë do t’i ofrojj atyre flijime që të më ndimojnë edhe mua". Por qenë pikërisht ata që shkaktuan shkatërrimin e tij dhe atë të të gjithë Izraelit.

24 Ashazi mblodhi gjithë veglat e shtëpisë së Perëndisë, i bëri ato copë-copë, mbylli portat e shtëpisë të Zotit, ndërtoi altare në çdo kënd të Jeruzalemit,

25 dhe në çdo qytet të Judës vendosi vende të larta për t’u djegur temjan perëndive të tjera, duke shkaktuar kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë të etërve të tij.

26 Pjesa tjetër e bëmave të tij dhe tërë sjelljet e tij, nga e para në të fundit, janë shkruar në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit.

27 Pastaj Ashazin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytet, në Jeruzalem, por nuk deshën ta vënë në varrezat e mbretërve të Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.

16 Në vitin e shtatëmbëdhjetë të Pekahiahut, birit të Remaliahut, filloi të mbretërojë Ashazi, biri i Jothamit, mbret i Judës.

Kur filloi të mbretërojë, Ashazi ishte njëzet vjeç dhe qëndroi në fron gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si kishte bërë Davidi, ati i tij;

por ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëri madje të kalojë nëpër zjarr edhe të birin, sipas riteve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit;

përveç kësaj bënte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta, në kodrat dhe poshtë drurëve që gjelbëronin.

Atëherë Retsini, mbret i Sirisë, dhe Pekahu, bir i Remaliahut, dolën për të luftuar kundër Jeruzalemit; rrethuan aty Ashazin, por nuk arritën ta mundin.

Në atë kohë Retsini, mbret i Sirisë, ripushtoi Elathin dhe përzuri Judenjtë nga Elathi; kështu Sirët hynë në Elath dhe kanë mbetur atje deri ditën e sotme.

Ashazi i dërgoi lajmëtarë Tiglath-Pileserit, mbretit të Asirëve, për t’i thënë: "Unë jam shërbëtori dhe biri yt; dil dhe më çliro nga duart e mbretit të Sirisë dhe të mbretit të Izraelit, që janë ngritur kundër meje".

Ashazi mori pastaj argjendin dhe arin që ndodhej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit mbretëror dhe ia dërgoi si dhuratë mbretit të Asirisë.

Atëherë mbreti i Asirisë e dëgjoi; pastaj mbreti i Asirisë doli kundër Damaskut, e pushtoi dhe internoi banorët e tij në Kir, dhe vrau Retsinin.

10 Atëherë mbreti Ashaz shkoi në Damask për të takuar Tiglath-Peleserin, mbretin e Asirisë; pasi pa altarin që ishte në Damask, mbreti Ashaz i dërgoi priftit Uria vizatimin dhe modelin e altarit, me gjitha hollësitë për ndërtimin e tij.

11 Kështu prifti Uria ndërtoi një altar, sipas porosive që mbreti Ashaz i kishte dërguar nga Damasku; prifti Uria e ndërtoi para se mbreti Ashaz të kthehej nga Damasku.

12 Kur u kthye nga Damasku, mbreti pa altarin; pastaj mbreti iu afrua altarit dhe ofroi flijime mbi të.

13 Pastaj dogji mbi të olokaustin e tij dhe ofertën e tij ushqimore, derdhi libacionin e tij dhe spërkati mbi altarin gjakun e flijimeve të tij të falenderimit.

14 Sa për altarin prej bronzi që ishte përballë Zotit, e hoqi nga vendi i tij përballë tempullit midis altarit dhe shtëpisë të Zotit dhe e vendosi në veri të altarit.

15 Pastaj mbreti Ashaz urdhëroi priftin Uria dhe i tha: "Bëj që të tymoset mbi altar olokausti i madh i mëngjesit dhe blatimi ushqimor i mbrëmjes, olokausti i mbretit dhe blatimi i tij ushqimor, olokaustet e tërë popullit të vendit dhe libacionet e tij; dhe do të spërkatë mbi to tërë gjakun e olokausteve dhe tërë gjakun e flijimeve; sa për altarin prej bronzi, do të merrem unë me të.

16 Kështu prifti Uria bëri tërë ato që mbreti Ashaz i kishte urdhëruar.

17 Mbreti Ashaz hoqi gjithashtu panelet nga qerret dhe enët e vogla, hoqi detin nga demat prej bronzi që e mbanin dhe e vendosi mbi një dysheme prej gurësh.

18 Për shkak të mbretit të Asirisë, ai hoqi portikun e së shtunës, që kishin ndërtuar në tempull, edhe nga shtëpia e Zotit hoqi gjithashtu hyrjen e jashtme të mbretit.

19 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Ashazi a nuk është vallë e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

20 Kështu Ashazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.

17 Në vitin e dymbëdhjetë të Ashazit, mbretit të Judës, Hosea, bir i Elahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe e mbajti fronin nëntë vjet.

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që qenë para tij.

Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij; Hosea u bë kështu shërbëtor i tij dhe i paguante një haraç.

Por mbreti i Asirisë zbuloi një komplot te Hosea, sepse ky kishte dërguar lajmëtarë te So, mbret i Egjiptit dhe nuk i sillte më haraçin mbretit të Asirisë, siç bënte zakonisht çdo vit. Prandaj mbreti i Asirisë e futi në burg dhe e mbante të lidhur.

Pastaj mbreti i Asirisë pushtoi tërë vendin, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi gjatë tre vjetve.

Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, i shpërnguli Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, si dhe në qytetet e Medit.

Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera;

kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit.

Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara.

10 Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues;

11 dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit;

12 u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: Mos bëni një gjë të tillë!!".

13 Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: "Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve".

14 Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.

15 Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t’i imitonin.

16 Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;

17 kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.

18 Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.

19 As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.

20 Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij.

21 Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh.

22 Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre,

23 deri sa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.

24 Pastaj mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, nga Kuthahu, nga Ava, nga Hamathi dhe nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë në vend të bijve të Izraelit; kështu ata futën në dorë Samarinë dhe banuan në qytetet e saj.

25 Por në fillim të ngulimit të tyre atje, ata nuk kishin frikë nga Zoti; prandaj Zoti dërgoi në mes të tyre, disa luanë, të cilët vranë disa banorë.

26 Atëherë i thanë mbretit të Asirisë: "Njerëzit që ti i ke kaluar dhe vendosur në Samari nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit; prandaj ai ka dërguar në mes tyre luanë që i vrasin ata, sepse nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit".

27 Atëherë mbreti i Asirisë dha këtë urdhër, duke thënë: "Bëni që të kthehet një nga priftërinjtë që keni internuar që andej; ai të shkojë të vendoset pranë tyre dhe t’u mësoj ligjin e Perëndisë të vendit".

28 Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t’i druheshin Zotit.

29 Megjithatë, tërë këto kombe vazhduan të bëjnë perënditë e tyre dhe i vendosën në tempujt e vendeve të larta që kishin ndërtuar Samaritanët, çdo komb në qytetin ku banonte.

30 Ata të Babilonisë bënë Sukoth-Benothin, ata të Kuthit Nergalin, ata të Hamathit Ashiman;

31 ata të Avas bënë Nibhazin dhe Tartakun; dhe ata të Sefarvaimit i digjnin bijtë e tyre për nder të Adramelekut dhe të Anamelekut, perëndi të Sefarvaimit.

32 Ata kishin frikë nga Zoti, por zgjodhën priftërinj të vendeve të larta të ardhur nga çdo klasë dhe që ofronin flijime për ta në tempujt e vendeve të larta.

33 Kështu ata kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin perëndive të tyre, sipas zakoneve të kombeve nga të cilat qenë shpërngulur.

34 Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ndjekin zakonet e vjetra; nuk kanë frikë nga Zoti dhe nuk veprojnë sipas statuteve dhe urdhërimeve të tij dhe as sipas ligjeve dhe urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë bijve të Jakobit, të quajtur prej tij Izrael.

35 Me ta në fakt Zoti kishte vendosur dhe u kishte urdhëruar: "Mos kini frikë nga perëndi të tjera, mos bini përmbys para tyre, mos u shërbeni dhe mos u ofroni flijime,

36 por kini frikë nga Zoti, që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me krahun e tij të shtrirë; para tij bini përmbys dhe atij i ofroni flijime.

37 Kini kujdes të zbatoni gjithnjë statutet, dekretet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju; por mos kini frikë nga perënditë e tjera.

38 Mos harroni besëlidhjen që kam lidhur me ju dhe mos kini frikë nga perëndi të tjera;

39 por kini frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe ai do t’ju çlirojë nga duart e tërë armiqve tuaj".

40 Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan përkundrazi të ndjekin zakonet e tyre të lashta.

41 Kështu këto kombe kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin idhujve të tyre. Edhe bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre kanë vazhduar të veprojnë deri më sot siç kanë vepruar etërit e tyre.