A A A A A
Bible Book List

2 i Kronikave 25-27Albanian Bible (ALB)

25 Amatsiahu ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jehoadan dhe ishte nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo me gjithë zemër.

Mbasi përforcoi mbretërinë e tij, ai vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë mbretin, atin e tij.

Megjithatë ai nuk i vriste bijtë e tyre, por veproi siç është shkuar në ligj në librin e Moisiut, të cilin Zoti e urdhëroi duke thënë: "Etërit nuk do të vriten për fajin e bijve të tyre, dhe as bijtë e tyre nuk do të vriten për fajin e etërve; por secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".

Përveç kësaj Amatsiahu mblodhi ata të Judës dhe caktoi mbi ta komandantët e mijëshëve dhe të qindëshëve sipas shtëpive të tyre atërore, për tërë Judën dhe Beniaminin; pastaj bëri regjistrimin nga njëzet vjeç e lart dhe doli që ishin treqind mijë burra të zgjedhur, të aftë për luftë dhe të zotë të përdorin ushtën dhe mburojën.

Rekrutoi gjithashtu me para njëqind mijë burra nga Izraeli, të fortë dhe trima, për njëqind talenta argjendi.

Por një njeriu i Perëndisë erdhi tek ai dhe i tha: "O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, as me ndonjë nga bijtë e Efraimit!

Por në rast se dëshiron të shkosh, shko megjithatë; edhe po të tregohesh trim në betejë, Perëndia do të të bëjë të biesh para armikut, sepse Perëndia ka pushtet të ndihmojë dhe të të bëjë që të biesh".

Amatsiahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: "Por çdo t’i bëj njëqind talentat që ia dhashë ushtrisë së Izraelit?". Njeriu i Perëndisë u përgjigj: Zoti mund të të japë më tepër se aqq".

10 Atëherë Amatsiahu e shpërndau ushtrinë që kishte ardhur tek ai nga Efraimi, me qëllim që të kthehej në shtëpi të saj; por zemërimi i pjesëtarëve të saj u rrit shumë kundër Judës dhe ata u kthyen në shtëpi me një zemërim të madh.

11 Pastaj Amatsiahu, mbasi mori zemër, u vu në krye të popullit të tij, shkoi në luginën e Kripës dhe vrau dhjetë mijë njerëz të Seirit.

12 Bijtë e Judës kapën gjallë dhjetë mijë të tjerë dhe i çuan në majë të shkëmbit, prej ku i hodhën poshtë; dhe të tërë u bënë copë-copë.

13 Por burrat e ushtrisë, që Amatsiahu kishte shpërndarë që të mos vinin me të për të luftuar, u vërsulën mbi qytetet e Judës, nga Samaria deri në Beth-Horon, duke vrarë tre mijë banorë dhe duke marrë një plaçkë të madhe.

14 Pas kthimit të tij nga masakra e Edomitëve, Amatsiahu urdhëroi që t’i sillnin perënditë e bijve të Seirit, i vendosi si perëndi të tij, ra përmbys përpara tyre dhe u ofroj temjan.

15 Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Amatsiahut dhe i dërgoi një profet për t’i thënë: "Pse kërkove perënditë e këtij populli, që nuk kanë qenë të zotë të çlirojnë popullin e tyre nga dora jote?".

16 Ndërsa vazhdonte të fliste akoma me të, mbreti i tha: "A të kemi bërë vallë këshilltar të mbretit? Pusho! Pse kërkon të vritesh?". Atëherë profeti nuk foli më, por tha: "Unë e di që Perëndia ka vendosur të të shkatërrojë, sepse ke bërë këtë dhe nuk more parasysh këshillën time".

17 Atëherë Amatsiahu, mbret i Judës, pasi u këshillua, dërgoi t’i thotë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit: "Eja të ballafaqohemi njeri me tjetrin në betejë".

18 Por Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t’i thotë Amatsiahut, mbretit të Judës: "Gjembi i Libanit i çoi fjalë kedrit të Libanit: "Jepi vajzën tënde për grua birit tim". Por një kafshë e egër e Libanit kaloi andej dhe e shkeli gjembin.

19 Ti ke thënë: "Ja, unë kam mundur Edomin," dhe zemra jote të ka bërë krenar aq sa të mburresh. Rri në shtëpinë tënde. Pse kërkon të shkaktosh fatkeqësi, duke shkatërruar veten tënde dhe Judën bashkë me ty?".

20 Por Amatsiahu nuk e dëgjoi; kjo gjë vinte në të vërtetë nga Perëndia, me qëllim që të jepeshin në dorën e armikut, sepse kishin kërkuar perënditë e Edomit.

21 Kështu Joasi, mbret i Izraelit, doli kundër Judës; dhe ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën me njeri-tjetrin në Beth-Shemesh që i përkiste Judës.

22 Juda u mund nga Izraeli, dhe secili ia mbathi në çadrën e vet.

23 Joasi, mbret i Izraelit, zuri në Beth-Shemesh Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, bir i Jehoahazit; e çoi në Jeruzalem dhe bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit që nga porta Efraimit deri te porta e Qoshes.

24 Mori tërë arin dhe argjendin dhe të gjitha sendet që gjendeshin në shtëpinë e Perëndisë, që i ishin besuar Obed-Edomit, thesaret e pallatit mbretëror dhe disa pengje, pastaj u kthye përsëri në Samari.

25 Amatsiahu, bir i Joasit, mbretit të Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit.

26 Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut, nga të parat gjer në ato të fundit, a nuk janë të shkruara vallë, në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit?

27 Mbas largimit të Amatsiahut nga Zoti, u kurdis kundër tij një komplot në Jeruzalem; ai iku në Lakish, por e ndoqën deri në Lakish dhe aty e vranë.

28 E ngarkuan pastaj mbi kuaj dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Judës.

26 Pastaj tërë populli i Judës mori Uziahun, që ishte atëherë gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe e bëri mbret në vend të atit të tij, Amatsiahut.

Ai ndërtoi Elathin dhe ia ripushtoi Judës, mbasi mbretin e pushoi bashkë me etërit e tij.

Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte bërë Amatsiahu, i ati.

Ai kërkoi Perëndinë gjatë jetës së Zakarias, që kuptonte vizionet e Perëndisë; dhe për deri sa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi.

Ai doli dhe luftoi kundër Filistejve, rrëzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe ndërtoi qytete në afërsi të Ashdotit dhe midis Filistejve.

Perëndia e ndihmoi kundër Filistejve, kundër Arabëve që banonin në Gur-Baal dhe kundër Meunitëve.

Amonitët i paguanin Uziahut një haraç; fama e tij qe përhapur deri në kufijtë e Egjiptit; sepse ishte bërë shumë i fuqishëm.

Uziahu ndërtoi gjithashtu kulla në Jeruzalem në portën e Qoshes, në portën e Luginës dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi këto.

10 Ai ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë dhe gërmoi shumë puse, sepse kishte një numër të madh bagëtish, si në pjesën e poshtme të vendit ashtu dhe në fushë; kishte gjithashtu bujqër dhe vreshtarë në malet dhe në Karmel, sepse e donte tokën.

11 Uziahu kishte gjithashtu një ushtri luftëtarësh që shkonte në luftë në formacion, sipas numrit të regjistruar nga sekretari Jeijel dhe nga komisari Maasejah nën urdhërat e Hananiahut, një nga kapitenët e mbretit.

12 Numri i përgjithshëm i të parëve të shtëpive atërore, njerëzve të fortë dhe trima, ishte dy mijë e gjashtëqind veta.

13 Nën komandën e tyre ndodhej një ushtri prej treqind e shtatë mijë e pesëqind njerëz të aftë të luftojnë me trimëri të madhe, për të ndihmuar mbretin kundër armikut.

14 Uziahu i furnizoi ata, domethënë tërë ushtrinë, me mburoja, ushta, përkrenare, parzmore, harqe dhe hobe për të hedhur gurë.

15 Në Jeruzalem specialistët i ndërtuan gjithashtu disa makina të cilat ai i vendosi mbi kullat dhe në qoshet, për të hedhur shigjeta dhe gurë të mëdhenj. Fama e tij u përhap larg, sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme deri sa u bë i fuqishëm.

16 Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua dhe ai mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan në altarin e temjanit.

17 Pas tij hyri prifti Azariah me tetëdhjetë priftërinj të Zotit, njerëz trima.

18 Ata iu kundërvunë mbretit Uziah dhe i thanë: "Nuk të takon ty, o Uziah, t’i ofrosh temjan Zotit, por priftërinjve, bijve të Aaronit, që janë shenjtëruar për të ofruar temjan. Dil nga vendi i shenjtë, sepse ke kryer mëkat! Kjo nuk do të sjellë asnjë nder nga ana e Zotit Perëndi".

19 Atëherë Uziahu, që kishte në dorë një temjanisë për të ofruar temjanin, u zemërua; por ndërsa po u hakërrohej priftërinjve, mbi ballin e tij shpërtheu lebra, përpara priftërinjve, në shtëpinë e Zotit, pranë altarit të temjanit.

20 Kryeprifti Azariah dhe tërë priftërinjtë e tjerë u kthyen ndaj tij, dhe ja, mbi ballin e tij dukeshin shenjat e lebrës. Kështu e nxorën me të shpejtë dhe ai vetë nxitoi të dalë sepse Zoti e kishte goditur.

21 Mbreti Uziah mbeti lebroz deri ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar, sepse ishte lebroz dhe ishte përjashtuar nga shtëpia e Zotit; dhe i biri Jotham ishte kryeintendenti i pallatit mbretëror dhe administronte drejtësinë e popullit të vendit.

22 Pjesa tjetër e bëmave të Uziahut, nga të parat deri në të fundit, janë shkruar nga profeti Isaia, bir i Amotsit.

23 Kështu Uziahu pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në fushën e varrimit që u takonte mbretërve, sepse thuhej: "E ka zënë lebra". Në vend të tij mbretëroi i biri, Jothami.

27 Jothami ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerushah; ishte bija e Tsadokut.

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Uziahu; (megjithëse nuk hyri në tempullin e Zotit), por populli i tij vazhdonte të korruptohej.

Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit dhe bëri shumë punime në muret e Ofelit.

Përveç kësaj ndërtoi qytete në krahinën malore të Judës dhe kala dhe kulla ndër pyje.

I shpalli gjithashtu luftë mbretit të bijve të Amonit dhe i mundi ata. Bijtë e Amonit i dhanë atë vit njëqind talenta argjendi, dhjetë mijë kore gruri dhe dhjetë mijë elbi. Po kjo sasi iu dorëzua nga bijtë e Amonit vitin e dytë dhe të tretë.

Kështu Jothami u bë i fuqishëm, sepse rregulloi ecjen e tij përpara Zotit, Perëndisë të tij.

Pjesa tjetër e bëmave të Jothamit, tërë luftërat dhe ndërmarrjet e tij janë shkruar në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës.

Ai ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.

Pastaj Jothamin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes