Add parallel Print Page Options

21 Pastaj Jozafati pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën me ta në qytetin e Davidit. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Jehorami.

Ai kishte vëllezër, bij të Jozafatit: Azariahun, Jehielin, Zakarian, Azariahun, Mikaelin dhe Shefatiahun; tërë këta ishin bij të Jozafatit, mbretit të Izraelit.

I ati u bëri atyre dhurata të mëdha prej argjendi, ari dhe sende të çmueshme, bashkë me qytete të fortifikuara në Judë, por ia dha mbretërinë Jehoramit, sepse ishte i parëlinduri.

Por kur Jehorami shtiu në dorë mbretërinë e atit të tij dhe u përforcua, vrau me shpatë tërë vëllezërit e tij dhe disa krerë të Izraelit.

Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.

Ai ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërrojë shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me Davidin dhe sepse i kishte premtuar t’i jepte atij dhe bijve të tij një llambë përgjithmonë.

Gjatë ditëve të mbretërisë së tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi një mbret.

Atëherë Jehorami u nis me komandantët e tij dhe me të gjitha qerret e tij; u ngrit, pra, natën dhe i mundi Edomitët, që e kishin rrethuar atë dhe komandantët e qerreve të tij.

10 Kështu Edomi nuk iu nënshtrua pushtetit të Judës deri ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye kundër pushtetit të tij, sepse Jehorami kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij.

11 Edhe Jehorami ndërtoi vende të larta në malet e Judës, i shtyu banorët e Jeruzalemit në rrugën e kurvërimit dhe largoi Judën.

12 Atëherë i erdhi një shkrim nga profeti Elia, në të cilën thuhej: Kështu i thotë Zoti, Perëndia i Davditi, atit tënd: "Meqë nuk ke ndjekur rrugët e Jozafatit, atit tënd, dhe rrugët e Asas, mbretit të Judës,

13 por ke ndjekur rrugët e mbretërve të Izraelit dhe ke shtyrë në rrugën e kurvërimit Judën dhe banorët e Jeruzalemit, ashtu si ka vepruar shtëpia e Ashabit, dhe ke vrarë vëllezërit e tu, vetë familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti,

14 ja, Zoti do të godasë me një fatkeqësi të madhe popullin tënd, fëmijët e tu, bashkëshortet e tua dhe gjithçka që ti zotëron;

15 ti vetë do të goditesh nga sëmundje shumë të rënda, nga një sëmundje e zorrëve që do të të nxjerrë çdo ditë pak e nga pak zorrët"".

16 Përveç kësaj Zoti zgjoi kundër Jehoramit frymën e Filistejve dhe të Arabëve, që banojnë pranë Etiopasve;

17 dhe këta dolën kundër Judës, e pushtuan dhe morën me vete tërë pasuritë që gjetën në pallatin mbretëror, duke përfshirë bijtë dhe gratë e tij; kështu nuk i mbeti asnjë bir përveç Jehoahazit, më i vogli prej bijve të tij.

18 Mbas tërë kësaj Zoti e goditi në zorrët me një sëmundje të pashërueshme.

19 Kështu, me kalimin e kohës, në fund të vitit të dytë, nga shkaku i sëmundjes, zorrët i dolën jashtë dhe vdiq duke hequr mundime të tmerrshme. Populli i tij nuk dogji parfume për nder të tij, ashtu si kishte bërë për etërit e tij.

20 Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem. Iku pa lënë keqardhje; e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve.

22 Banorët e Jezrualemit shpallën mbret birin e tij më të vogël Ashaziahun, në vend të tij, sepse tërë bijtë më të mëdhenj ishin vrarë nga banda që kishte hyrë në kamp bashkë me Arabët. Kështu mbretëroi Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës.

Ashaziahu ishte dyzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah; ishte bij e Omrit.

Edhe ai ndoqi rrugët e ndjekura nga shtëpia e Ashabit, sepse e ëma e këshillonte të vepronte në mënyrë të paudhë.

Prandaj ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si vepronin ata të shtëpisë së Ashabit, sepse mbas vdekjes së atit të tij këta qenë, për shkatërrimin e tij, këshilltarët e tij.

Duke ndjekur këshillën e tyre, ai shkoi me Jehoramin, birin e Ashabit, mbretit të Izraelit të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; dhe Sirët e plagosën Jehoramin.

Kështu ai u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë në Ramah, duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës, zbriti për të parë Jehoramin, birin e Ashabit, në Jezreel, sepse ky ishte i sëmurë.

Vizita që i bëri Ashaziahu Jehoramit ishte vendosur nga Perëndia për shkatërrimin e tij. Kur arriti në të vërtetë, ai doli me Jehoramin kundër Jehut, birit të Nimshit, që Zoti kishte vajosur për të shfarosur shtëpinë e Ashabit.

Ndodhi që, ndërsa Jehu vendoste drejtësi në shtëpinë e Ashabit, u takua me krerët e Judës dhe me bijtë e vëllezërve të Ashaziahut që ishin në shërbim të Ashaziahut dhe i vrau.

Urdhëroi gjithashtu ta kërkojnë Ashaziahun dhe e kapën (ai ishte fshehur në Samari); e çuan pastaj tek Jehu që e vrau. Pastaj e varrosën, sepse thonin: "Éshtë bir i Jozafatit, që e kërkonte Zotin me gjithë zemër". Kështu në shtëpinë e Ashaziahut nuk mbeti më njeri në gjendje të mbretërojë.

10 Kur Athaliah, nëna e Ashaziahut, pa që i biri kishte vdekur, u ngrit dhe vrau tërë pasardhësit mbretërorë të shtëpisë së Judës.

11 Por Jehoshabeath, bija e mbretit mori Joasin, birin e Ashaziahut, e mori tinëz midis bijve të mbretit që ishin vrarë dhe e vendosi bashkë me tajën në dhomën e saj. Kështu Jehoshabeath, bija e mbretit Jehoram, bashkëshortja e priftit Jehojada (ishte motra e Ashaziahut), e fshehu nga Athialiahu që nuk e vrau.

12 Kështu mbeti i fshehur me ta në shtëpinë e Perëndisë gjashtë vjet, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin.

23 Vitin e shtatë Jehojada mori kurajo, mori komandantët e qindëshëve, domethënë Azariahun, birin e Jerohamit, Ismaelin, birin e Jehohanamit, Azariahun, birin e Obedit, Maasejahun, birin e Adajahut dhe Elishafatin, birin e Zikrit, dhe këta lidhën një aleancë me të.

Pastaj ata përshkuan Judën, mblodhën Levitët nga të gjitha qytetet e Judës dhe të parët e shtëpive atërore të Izraelit dhe erdhën në Jeruzalem.

Kështu tërë asambleja lidhi një aleancë me mbretin në shtëpinë e Perëndisë. Pastaj Jehojada u tha atyre: "Ja, biri i mbretit do të mbretërojë, si ka thënë Zoti për bijtë e Davidit.

Ja çfarë do të bëni ju: një e treta nga ju, priftërinj dhe Levitë, që marrin shërbimin ditën e shtunë, do të caktohen në portat e tempullit;

një e treta tjetër do të rrijë në pallatin e mbretit, dhe e treta tjetër në portën e themelimit, ndërsa tërë populli do të rrijë në oborrin e shtëpisë të Zotit.

Por askush nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit, përveç priftërinjve dhe Levitëve të shërbimit; këta mund të hyjnë sepse janë të shenjtëruar; por tërë populli do t’i përmbahet urdhrit të Zotit.

Levitët do ta rrethojnë mbretin nga çdo anë, secili me armën e tij në dorë; kushdo që hyn në tempull do të vritet; ju përkundrazi do të qëndroni me mbretin, kur të hyjë dhe të dalë".

Levitët dhe tërë Juda bënë pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada; secili mori njerëzit e tij, ata e merrnin shërbimin të shtunën dhe ata që e linin shërbimin të shtunën, sepse prifti Jehojada nuk kishte liruar nga puna klasat që dilnin.

Prifti Jehojada u dha komandantëve të qindëshëve ushtat dhe mburojat e vogla e të mëdha që qenë të mbretit David dhe që ndodheshin në shtëpinë e Perëndisë.

10 Pastaj vendosi tërë popullin, secili me armën e tij në dorë, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tempullit; gjatë altarit dhe pranë tempullit, rrotull mbretit.

11 Atëherë nxorën birin e mbretit, i vunë mbi kokë kurorën, i dorëzuan ligjin dhe e shpallën mbret; pastaj Jehojada dhe bijtë e tij e vajosën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".

12 Kur Athaliah dëgjoi zhurmën e popullit që vinte duke brohoritur për mbretin, ajo shkoi drejt popullit, në drejtim të shtëpisë të Zotit.

13 Shikoi, dhe ja, mbreti qëndronte më këmbë në podiumin e tij në hyrje, kapitenët dhe borizanët ishin pranë mbretit, tërë populli i vendit ishte i gëzuar dhe u binte borive dhe këngëtarët me veglat e tyre musikore udhëhiqnin lavdërimin. Atëherë Athaliah grisi rrobat e saj dhe bërtiti: Tradhëti, tradhëti!!".

14 Por prifti Jehojada nxori komandantët e qindëshëve që komandonin ushtrinë dhe u tha: "Nxirreni nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Prifti në të vërtetë kishte thënë: "Mos lejoni që të vritet në shtëpinë e Zotit".

15 Kështu e mbërthyen dhe, sa arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë.

16 Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje ndërmjet vetes, tërë popullit dhe mbretit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit.

17 Atëherë tërë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi: copëtoi plotësisht altarët e tij dhe shëmbëlltyrat dhe vrau përpara altarëve Matanin, priftin e Baalit.

18 Pastaj Jehojada ua besoi mbikqyrjen e shtëpisë të Zotit priftërinjve levitë, që Davidi kishte vendosur në shtëpinë e Zotit për t’i ofruar olokauste Zotit siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me gëzim dhe këngë, ashtu si kishte urdhëruar Davidi.

19 Vendosi gjithashtu derëtarë në portat e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mos hynte askush që të ishte në një farë mënyre i papastër.

20 Mori pastaj komandantët e qindësheve, parinë, ata që kishin autoritet mbi popullin dhe tërë popullin e vendit dhe bëri që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit; duke kaluar pastaj nga porta e sipërme, arritën në pallatin mbretëror dhe e ulën mbretin mbi fronin mbretëror.

21 Kështu tërë populli i vendit ishte në festë dhe qyteti mbeti i qetë, kur Athaliah u vra me shpatë.

24 Joasi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Tsibiah dhe ishte nga Beer-Sheba.

Joasi bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë kohës që jetoi prifti Jehojada.

Jehojada i zgjodhi për të dy bashkëshorte dhe Joasit i lindën djem dhe vajza.

Mbas kësaj e shtyu zemra Joasin të ndreqë shtëpinë e Zotit.

Prandaj mblodhi priftërinjtë dhe Levitët dhe u tha atyre: "Shkoni në qytetet e Judës dhe mblidhni vit për vit nga gjithë Izraeli paratë që nevojiten për të restauruar shtëpinë e Perëndisë tuaj; përpiquni ta kryeni shpejt këtë punë". Por Levitët nuk treguan asnjë nxitim.

Atëherë mbreti thirri kryepriftin Jehojada dhe i tha: "Pse nuk u kërkove Levitëve që të sillnin nga Juda dhe nga Jeruzalemi taksën e caktuar nga Moisiu, shërbëtor i Zotit, dhe nga asambleja e Izraelit për çadrën e dëshmisë?".

Në të vërtetë bijtë e Athaliahës, të kësaj gruaje të keqe, kishin plaçkitur shtëpinë e Perëndisë dhe kishin përdorur madje gjithë gjërat e shenjtëruara të shtëpisë të Zotit për Baalët.

Me urdhër të mbretit bënë një arkë dhe e vunë jashtë, te porta e shtëpisë të Zotit.

Pastaj bënë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem, me qëllim që t’i çohej Zotit taksa që Moisiu, shërbëtori i Perëndisë, i kishte vënë Izraelit në shkretëtirë.

10 Tërë krerët dhe tërë populli u gëzuan dhe sollën paratë, duke i hedhur në arkë deri sa e mbushën.

11 Kur arka çohej nga Levitët tek inspektori i mbretit, sepse shihnin se kishte në të shumë para, sekretari i mbretit dhe i ngarkuari nga kryeprifti vinin për të zbrazur arkën; pastaj e merrnin dhe e çonin përsëri në vendin e saj. Kështu vepronin çdo ditë; në këtë mënyrë grumbullonin një sasi të madhe parash.

12 Pastaj mbreti dhe Jehojada ua jepnin këto atyre që bënin shërbimin në shtëpinë e Zotit; dhe ata paguanin gurgdhëndësit dhe marangozët për të restauruar shtëpinë e Zotit, si edhe punëtorët e hekurit dhe të bronzit që merreshin me shtëpinë e Zotit.

13 Kështu punëtorët i kryen me kujdes punimet dhe me anë të tyre ndreqjet shkuan mbarë; ata e kthyen përsëri shtëpinë e Perëndisë në gjendejn e saj origjinale dhe e përforcuan atë.

14 Kur kishin mbaruar, paratë që mbetën i çuan para mbretit dhe Jehojadës dhe me to bënë orendi për shtëpinë e Zotit, orendi për shërbimin dhe për olokaustet, kupa dhe vegla të tjera prej ari ose argjendi. Deri sa jetoi Jehojada, u ofruan vazhdimisht olokauste në shtëpinë e Zotit.

15 Por Jehojada, tanimë i plakur dhe i ngopur me ditë, vdiq; ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq;

16 e varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë të mira në Izrael, ndaj Perëndisë dhe ndaj shtëpisë së tij.

17 Mbas vdekjes së Jehojadës, krerët e Judës shkuan dhe ranë përmbys përpara mbretit; dhe mbreti i dëgjoi.

18 Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin.

19 Zoti u dërgoi atyre profetë për t’i bërë të kthehen tek ai; këta dëshmuan kundër tyre, por ata nuk deshën t’i dëgjojnë.

20 Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Zakarian, birin e priftit Jehojada, që u ngrit përpara popullit dhe tha: "Kështu thotë Perëndia: Pse shkelni urdhërimet e Zotit dhe nuk keni mbarësi? Mëqe e keni braktisur Zotin edhe ai do t’ju braktisë".

21 Por ata komplotuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit, e vranë me gurë në oborrin e shtëpisë të Zotit.

22 Kështu mbreti Joas nuk e kujtoi mirësinë që Jehojada, ati i Zakarias, kishte treguar ndaj tij dhe ia vrau të birin, i cili duke vdekur tha: "Zoti e shikoftë dhe të kërkoftë llogari!.

23 Kështu ndodhi që, në fillim të vitit të ri, ushtria e Sirëve doli kundër Joasit. Ata erdhën në Judë dhe në Jeruzalem dhe shfarosën nga populli tërë krerët e tij, dhe tërë plaçkën ia çuan mbretit të Damaskut.

24 Megjithëse ushtria e Sirëve kishte ardhur me pak veta, Zoti u dha në dorë një ushtri shumë të madhe, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Kështu ata e gjykuan Joasin.

25 Kur Sirët u tërhoqën nga ai (sepse e kishin lënë shumë të sëmurë), shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij, për shkak të vrasjes së bijve të priftit Jehojada, dhe e vranë në shtratin e tij. Kështu ai vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

26  Këta janë ata që komplotuan kundër tij: Zabadi, bir i Shimeathit, Amonitja, dhe Jehozbadi, bir i Shimrithit, Moabitja.

27  Përsa u përket bijve të tij, profecitë e shumta të thëna kundër tij dhe meremetimi i shtëpisë së Perëndisë, ja, këto gjëra janë shkruar në historinë e librit të mbretërve. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amatsiahu.