Add parallel Print Page Options

Pastaj Salomoni vendosi të ndërtojë një tempull në emër të Zotit dhe një pallat për vete.

Salomoni rekrutoi shtatëdhjetë mijë burra që të mbartnin pesha, tetëdhjetë mijë të nxirrnin gurë në malet dhe tre mijë e gjashtëqind veta për t’i mbikqyrur.

Pastaj Salomoni i çoi fjalë Hiramit, mbretit të Tiros: "Ashtu si ke bërë me Davidin, atin tim, të cilit i dërgove kedra për të ndërtuar një shtëpi në të cilën të banonte, bëj të njëjtën gjë me mua.

Ja unë jam duke ndërtuar një tempull në emër të Zotit, Perëndisë tim, për t’ia kushtuar atij, për të djegur para tij temjan erëmirë, për të ekspozuar vazhdimisht bukët e paraqitjes dhe për të ofruar olokauste në mëngjes dhe në mbrëmje, të shtunave, kur të ketë hënë të re dhë në festat e caktuara nga Zoti, Perëndia ynë. Ky është një ligj i përjetshëm për Izraelin.

Tempulli që unë do të ndërtoj do të jetë i madh, sepse Perëndia ynë është më i madh se tërë perënditë e tjera.

Po kush do të jetë në gjendje t’i ndërtojë një tempull me qenë se qiejtë dhe qiejtë e qiejve nuk janë në gjendje ta nxenë? E kush jam unë që t’i ndërtoj një tempull, qoftë edhe vetëm për të djegur temjan para tij?

Prandaj dërgomë tani një njeri të shkathët që di të punojë arin, argjendin, bronzin, hekurin, purpurin, të kuqen flakë, ngjyrë vjollcën dhe që të dijë të bëjë çdo lloj prerjesh, duke punuar bashkë me specialistët që janë pranë meje në Judë dhe në Jeruzalem, dhe që ati im David ka përgatitur.

Dërgomë edhe nga Libani dru kedri, qiparisi dhe santali, sepse e di që shërbëtorët e tu janë të aftë të presin drurin e Libanit; dhe ja, shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me shërbëtorët e tu,

për të më pregatitur lëndë druri me shumicë, sepse tempulli që do të ndërtoj do të jetë i madh dhe i mrekullueshëm.

10 Dhe shërbëtorëve të tu që do të rrëzojnë dhe do të presin drurët unë do t’u jap njëzet mijë kore gruri, njëzet mijë kore elbi, njëzet mijë bate verë dhe njëzet mijë bate vaji".

11 Dhe Hirami, mbret i Tiros, u përgjigj me një shkrim, që i dërgoi Salomonit: "Me qenë se Zoti e do popullin e tij, të ka caktuar mbret mbi të".

12 Hirami thoshte gjithashtu: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që ka bërë qiejtë dhe tokën, sepse i ka dhënë mbretit David një bir të urtë, shumë të zgjuar dhe të aftë, që do të ndërtojë një tempull për Zotin dhe një pallat mbretëror për vete!

13 Unë po të dërgoj një njeri të shkathët dhe të ditur të atit tim Hiram, që është

14 bir i një gruaje nga bijat e Danit, ndërsa i ati ishte një njeri nga Tiro. Ai di të punojë arin, bronzin, hekurin, gurin, drurin, purpurin dhe ngjyrë vjollcën, të kuqe flakë, pëlhurën e hollë dhe di të bëjë çdo prerje dhe çdo lloj vizatimi që i besohet. Ai do të punojë me specialistët e tu dhe me specialistët e zotit tim David, atit tënd.

15 Tani, pra, imzot le t’u dërgojë shërbëtorëve të tij grurin, elbin, vajin dhe verën, që u ka premtuar;

16 dhe ne do të presim tërë drurët e Libanit për të cilat ke nevojë; do t’i sjellim me trap nëpër det deri në Jafo dhe ti do t’i mbartësh në Jeruzalem".

17 Salomoni regjistrioi tërë të huajt që ndodheshin në vendin e Izraelit, mbas regjistrimit që kishte bërë Davidi, i ati; ata ishin njëqind e pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind veta,

18 dhe mori shtatëdhjetë mijë prej tyre për të mbartur pesha, tetëdhjetë mijë për të prerë gurë në mal dhe tre mijë e gjashtëqind mbikqyrës që ta bënin popullin të punonte.

Salomoni filloi pastaj ndërtimin e shtëpisë të Zotit, në Jeruzalem mbi malin Moriah, aty ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit të tij, në vendin që Davidi kishte përgatitur në lëmin e Ornanit, Jebuseut.

Ai filloi të ndërtojë ditën e dytë të muajit të dytë të vitit të katërt të mbretërimit të tij.

Këto janë përmasat e themeleve që hodhi Salomoni për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë. Gjatësia ishte gjashtëdhjetë kubitë (në kubitë të masës së vjetër) dhe gjerësia njëzet kubitë.

Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjatësinë e tempullit, dhe ishte i lartë njëqind e njëzet kubitë. Ai e veshi nga brenda me ar të kulluar.

E veshi sallën e madhe me dru qiparisi, pastaj e veshi me ar të kulluar dhe mbi të gdhendi degë palme dhe zinxhirë të vegjël.

Përveç kësaj e zbukuroi sallën me gurë të çmuar si ornament; dhe ari ishte ai i Parvaimit.

Veshi gjithashtu me ar tempullin, trarët, pragjet, muret dhe portat; dhe mbi muret gdhëndi kerubinë.

Pastaj ndërtoi vendin shumë të shenjtë. Ky ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjerësinë e tempullit, dhe njëzet kubitë i gjerë. E veshi me ar të kulluar me një vlerë prej gjashtëqind talentash.

Pesha e arit për gozhdat ishte pesëdhjetë sikla. Veshi me ar edhe dhomat e sipërme.

10 Në vendin shumë të shenjtë bëri dy kerubinë të gdhëndur dhe i veshi me ar.

11 hapësira e krahëve të kerubinëve ishte njëzet kubitë; një krah i një kerubini, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa krahu tjetër, gjithashtu i gjatë pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit të dytë.

12 Njeri krah i kerubinit të dytë, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa tjetri i gjatë gjithashtu pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit tjetër.

13 Krahët e hapur të këtyre kerubinëve ishin njëzet kubitë të gjatë. Ata qëndronin drejt në këmbë me fytyrë të kthyer nga pjesa e brendshme e tempullit.

14 Ai bëri gjithashtu velin me fill ngjyrë vjollcë të purpurt, të kuqe flakë dhe me pëlhurë të hollë, dhe mbi to qëndisën kerubinë.

15 Përpara tempullit bëri dy shtylla të larta tridhjetë e pesë kubitë; kapiteli në majë të çdo shtylle ishte pesë kubitë.

16 Bëri gjithashtu zinxhira të vegjël, si ato që ishin në shenjtërore dhe i vendosi në majë të shtyllave; pastaj bëri një mijë shegë dhe i vuri mbi zinxhirët e vegjël.

17 Pastaj ngriti shtyllat përpara tempullit, njerën në të djathtë dhe tjetrën në të majtë; të djathtën e quajti Jakin dhe të majtën Boaz.

Pastaj bëri një altar prej bronzi të gjatë njëzet kubitë, të gjerë njëzet kubitë dhe të lartë dhjetë kubitë.

Bëri gjithashtu një det prej metali të shkrirë, në formë rrethi, që nga një cep në cepin tjetër ishte dhjetë kubitë; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi i tij tridhjetë kubitë.

Poshtë buzës kishte figura të ngjashme me qetë, dhjetë për çdo kubit, që rrethonin detin nga çdo anë. Qetë, të vendosur në dy radhë, ishin derdhur bashkë me detin.

Ky mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, nga të cilët tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti ishte vendosur mbi ta dhe pjesët e tyre të pasme ishin kthyer nga ana e brendshme.

Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte bërë si buza e një kupe, si lulja e një zambaku; deti mund të përmbante deri tre mijë bate.

Bëri edhe dhjetë enë për pastrim dhe i vendosi pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë; në to laheshin gjërat që i përkisnin olokaustit; në det laheshin përkundrazi priftërinjtë.

Bëri dhjetë shandane prej ari, sipas normave të caktuara, dhe i vendosi në tempull, pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë.

Bëri dhjetë tryeza dhe i vendosi në tempull pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë. Bëri gjithashtu njëqind kupa prej ari.

Pastaj bëri oborrin e priftërinjve dhe oborrin e madh me portat e tij të veshura me bronz.

10 Pas kësaj e vendosi detin nga krahu i djathtë, në drejtim të juglindjes.

11 Hirami bëri gjithashtu enët, lopatëzat dhe legenët e vegjël. Kështu Hirami përfundoi punën që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Perëndisë;

12 dy shtyllat, dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëzat për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave,

13 katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz me qëllim që të mbulohen dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave).

14 Bëri edhe qerrëzat dhe enët e mëdha mbi qerrëzat,

15 detin, një të vetëm, dhe dymbëdhjetë qetë nën detin,

16 si edhe enët, lopatëzat, pirunët dhe të gjitha sendet e tyre, që mjeshtri Hiram i bëri prej bronzi të shndritshëm për mbretin Salomon, për shtëpinë e Zotit.

17 Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit, në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tseredahut.

18 Salomoni i bëri këto vegla në një sasi kaq të madhe, sa që pesha e bronzit nuk u përcaktua dot.

19 Kështu Salomoni përgatiti të gjitha orenditë për shtëpinë e Perëndisë; altarin prej ari dhe tryezat mbi të cilat vendoseshin bukët e paraqitjes,

20 shandanët me llambat e tyre prej ari të kulluar që duhet të ndizeshin sipas normës së caktuar para shenjtërores;

21 lulet, llambat dhe veglat në formë gërshëre prej ari; ishin prej ari shumë të kulluar;

22 thikat, legenët, kupat dhe mangallët prej ari të kulluar. Sa për hyrjen e tempullit, portat e brendshme që të çonin në vendin shumë të shenjtë dhe portat që të futnin në anijatën e tempullit ishin prej ari.

Kështu u përfundua tërë puna që Salomoni kishte urdhëruar për shtëpinë e Zotit. Atëherë Salomoni solli tërë gjërat që i ati kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe të gjitha veglat, dhe i futi në thesaret e shtëpisë së Perëndisë.

Atëherë Salomoni mblodhi në Jeruzalem pleqtë e Izraelit dhe të gjithë krerët e fiseve, princat e familjeve atërore të bijve të Izraelit, për ta çuar lart arkën e besëlidhjes të Zotit nga qyteti i Davidit, domethënë nga Sioni.

Tërë burrat e Izraelit u mblodhën rreth mbretit për festën që binte në muajin e shtatë.

Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe Levitët morën arkën.

Ata e çuan lart arkën, çadrën e mbledhjes dhe të gjitha përdorëset e shenjta që ndodheshin në çadër. Këto gjëra i mbartën priftërinjtë dhe Levitët.

Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u grumbulluan rreth arkës dhe flijuan një sasi kaq të madhe dhensh dhe lopësh që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.

Priftërinjtë e çuan pastaj arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e vet, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.

Në fakt kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.

Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre në arkë mund të shiheshin përballë vendit shumë të shenjtë, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri ditën e sotme.

10 Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave që Moisiu kishte vendosur në malin Horeb, kur Zoti lidhi një besëlidhje me bijtë e Izraelit, kur këta kishin dalë nga Egjipti.

11 Tani, ndërsa priftërinjtë dilnin nga vendi i shenjtë (tërë priftërinjtë e pranishëm në të vërtetë ishin shenjtëruar pa respektuar rendin e klasave,

12 dhe tërë Levitët këngëtarë, Asafi, Hemani, Jeduthuni, bijtë dhe vëllezërit e tyre, të veshur me li të bardhë, me cembale, harpa dhe qeste në dorë rrinin më këmbë në lindje të altarit, dhe bashkë me ta njëqind e njëzet priftërinjtë që u binin borive)

13 dhe kur trumbetarët dhe këngëtarët si një njeri i vetëm bënë të dëgjohet bashkarisht zëri i tyre për të lëvduar dhe për të kremtuar Zotin dhe e ngritën zërin në tingullin e borive, të cembaleve dhe të veglave të tjera muzikore dhe lëvduan Zotin: "Sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetësi," ndodhi që shtëpia, shtëpia e Zotit, u mbush me një re,

14 dhe priftërinjtë nuk mundën të rrinin për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Perëndisë.