Add parallel Print Page Options

18 Jozafati pati pasuri të mëdha dhe lavdi; ai bëri krushqi me Ashabin.

Mbas disa vjetësh ai zbriti në Samari tek Ashabi. Atëherë Ashabi theri për të dhe për njerëzit që ishin me të një numër të madh delesh dhe lopësh dhe e bindi të dilte bashkë me të kundër Ramothit nga Galaadi.

Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: "A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?". Jozafati iu përgjigj: "Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty".

Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: "Të lutem, konsulto po sot fjalën e Zotit".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët, katërqind veta, dhe u tha atyre: "A duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit nga Galaadi, apo duhet të heq dorë nga ky veprim?". Ata iu përgjigjën: "Shko, pra, sepse Perëndia do ta japë atë në duart e mbretit".

Por Jozafati tha: "Nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit me të cilin mund të këshillohemi?".

Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Éshtë edhe një njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin; por unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm të keqen". Jozafati tha: "Mbreti të mos flasë kështu".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas".

Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e vet, të veshur me rrobat e tyre mbretërore; ishin ulur në lëmin që është te hyrja e portës së Samarisë; dhe tërë profetët bënin profeci përpara tyre.

10 Sedekia, bir i Kenaanahut, që kishte bërë brirë prej hekuri, tha: Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t’i shkatërrosh plotësisht"".

11 Tërë profetët profetizuan në të njëjtën mënyrë, duke thënë: "Dil kundër Ramothit nga Galaadi dhe do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë atë në duart e mbretit".

12 Lajmëtari, që kishte shkuar të thërriste Mikajahun, i foli duke i thënë: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke thënë gjëra të mira për mbretin. Prandaj të lutem që fjala jote të jetë si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gjëra të mira".

13 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall".

14 Si arriti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heq dorë?". Ai u përgjigj: "Shkoni, pra, dhe do t’ju dalë mbarë, sepse ata do të jepen në duart tuaja".

15 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë duhet të përgjërohem që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".

16 Mikajahu u përgjigj: "E pashë tërë Izraelin të shpërndarë në malet, ashtu si dhentë që janë pa bari; dhe Zoti tha: "Ata nuk kanë më zot; le të kthehet secili në paqe në shtëpinë e vet"".

17 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë se lidhur me mua ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqen?".

18 Atëherë Mikajahu i tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zotit. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria qiellore rrinte në të djathtë dhe në të majtë të tij.

19 Zoti tha: "Kush do ta mashtrojë Ashabin, mbretin e Izraelit, që ai të dalë dhe të vdesë në Ramoth të Galaadit?"". Dikush u përgjigj në një mënyrë, dikush në mënyrë tjetër.

20 Atëherë doli përpara një frymë që u paraqit para Zotit dhe tha: "Unë do t’ia mbush mendjen". Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?".

21 Ai u përgjigj: "Unë do të dal dhe do të jem një frymë i gënjeshtrës në gojën e të gjithë profetëve të tij". Zoti i tha: "Me siguri do t’arrish ta bësh për vete, shko dhe vepro kështu".

22 Prandaj ja, Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e këtyre profetëve të tu, por Zoti shpall fatkeqësi kundër teje".

23 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me një shpullë Mikajahun, dhe tha: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë që të flasë me ty?".

24 Mikajahu u përgjigj: "Ja, do ta shohësh ditën në të cilën do të shkosh në një dhomë të brendshme për t’u fshehur!".

25 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merreni Mikajahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit,

26 dhe u thoni atyre: Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqejeni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa unë të kthehem shëndoshë e mirë"".

27 Mikajahu tha: "Në rast se ti kthehesh me të vërtetë shëndoshë e mirë, kjo do të thotë që Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o ju popuj të gjithë!".

28 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit nga Galaadi.

29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të vishem ndryshe dhe pastaj do të shkoj të luftoj, por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkuan të luftojnë.

30 Mbreti i Sirisë kishte dhënë këtë urdhër kapitenëve të qerreve të tij duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, të madh apo të vogël, por vetëm kundër mbretit të Izraelit".

31 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ai është mbreti i Izraelit". Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij.

32 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

33 Por një njeri hodhi rastësisht një shigjetë me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve të parzmores së tij; prandaj mbreti i tha shqytarit të tij: "Kthehu dhe më ço larg përleshjes, sepse jam plagosur".

34 Por beteja ishte aq e ashpër atë ditë sa që mbreti u detyrua të qëndrojë mbi qerren e tij përballë Sirëve deri në mbrëmje, dhe kur perëndoi dielli ai vdiq.

19 Jozafati, mbret i Judës, u kthye shëndoshë e mirë në shtëpinë e tij në Jeruzalem.

Por shikuesi Jehu, bir i Hananit, i doli përpara dhe i tha mbretit Jozafat: "A duhet të ndihmoje ti një të pafe dhe të doje ata që urrenin Zotin? Prandaj mëria e Zotit është mbi ty.

Megjithatë janë gjetur te ti gjëra të mira, sepse ke hequr nga vendi Asherothët dhe zemra jote është përpjekur për të kërkuar Perëndinë".

Kështu Jozafati banoi në Jeruzalem; pastaj shkoi përsëri midis popullit, nga Beer-Sheba në krahinën malore të Efraimit, dhe i solli ata përsëri te Zoti, Perëndia i etërve të tij.

Pastaj ai emëroi gjyqtarë në vend, në të tëra qytetet e fortifikuara të Judës, qytet pas qyteti,

dhe u tha gjyqtarëve: "Kini kujdes për atë që bëni, sepse nuk gjykoni për njeriun por për Zotin, që do të jetë me ju kur do të administroni drejtësinë.

Prandaj tani frika e Zotit qoftë mbi ju. Tregoni kujdes për atë që bëni, sepse tek Zoti, Perëndia ynë, nuk ka asnjë padrejtësi, as anësi, as pranim dhuratash.

Edhe në Jeruzalem Jozafati vendosi disa Levitë priftërinj dhe të parë të shtëpive atërore të Izraelit për gjykimin e Zotit dhe për grindjet e ndryshme; këta banonin në Jeruzalem.

I urdhëroi ata duke thënë: "Ju do të veproni duke pasur frikë nga Zoti, me besnikëri dhe me zemër të pastër.

10 Në çdo grindje që do t’ju parashtrohet para jush nga ana e vëllezërve tuaj që banojnë në qytetet e tyre, qoftë për gjak të derdhur ose për shkelje të ligjit apo të një urdhërimi, kundër statuteve ose dekreteve, lajmërojini që të mos bëhen fajtorë përpara Zotit, dhe zemërimi të mos bjerë mbi ju dhe mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu dhe nuk do të bëheni fajtorë.

11 Dhe ja, prifti më i lartë Amariah do të caktohet mbi ju për çdo çështje që i përket Zotit, ndërsa Zebadiahu, bir i Ismaelit, i pari i shtëpisë së Judës, do të jetë për çdo çështje që ka të bëjë me mbretin; edhe Levitët do të jenë në dispozicionin tuaj si gjyqtarë. Tregohuni të fortë dhe i hyni punës, dhe Zoti do të jetë me njeriun e drejtë".

20 Mbas këtyreve ngjarjeve ndodhi që bijtë e Moabit, bijtë e Amonit dhe të tjerë me ta së bashku me Amonitët erdhën të luftojnë kundër Jozafatit.

Kështu erdhën disa të informonin Jozafatin, duke thënë: "Një shumicë e madhe është nisur kundër teje që përtej detit, nga Siria; ja, tani ata janë në Hatsatson-Thamar" (që është En-Gedi).

Atëherë Jozafati u trëmb dhe filloi të kërkojë Zotin, dhe shpalli një agjërim në gjithë Judën.

Kështu ata të Judës u mblodhën për të kërkuar ndihmën e Zotit, dhe nga të gjitha qytetet e Judës vinin për të kërkuar Zotin.

Pastaj Jozafati u ngrit më këmbë në mes të asamblesë së Judës dhe të Jeruzalemit në shtëpinë e Zotit përpara oborrit të ri

dhe tha: "O Zot, Perëndia i etërve tanë, a nuk je ti Perëndia që është në qiell? Po, ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve, në duart e tua janë forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri që mund të të rezistojë.

A nuk ke qenë ti, Perëndia ynë, që ke dëbuar banorët e këtij vendi përpara popullit tënd të Izraelit dhe ia ke dhënë për gjithnjë pasardhësve të mikut tënd Abraham?

Ata kanë banuar aty dhe kanë ndërtuar një shenjtërore për emrin tënd, duke thënë:

"Në rast se na godet një fatkeqësi, shpata, gjykimi apo murtaja ose zia e bukës, ne do të paraqitemi përpara këtij tempulli dhe përpara teje (sepse emri yt është në këtë tempull), do të të klithim ty nga fatkeqësia jonë, ti do të na dëgjosh dhe do të na vish në ndihmë".

10 Dhe ja, tani bijtë e Amonit, të Moabit dhe ata të malit Seir, në territorin e të cilëve nuk e lejove Izraelin të hynte kur ata po dilnin nga Egjipti (prandaj ata qëndruan larg tyre dhe nuk i shkatërruan),

11 dhe ja, tani ata na shpërblejnë, duke ardhur të na dëbojnë nga trashëgimia jote që na ke dhënë në zotërim.

12 O Perëndia ynë, a nuk do t’i dënosh ata? Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti".

13 Tani tërë burrat e Judës, me fëmijët, bashkëshortet dhe bijtë e tyre, rrinin më këmbë përpara Zotit.

14 Atëherë në mes të asamblesë Fryma e Zotit përfshiu Jahazielin, birin e Zakarias, bir i Benajahut, bir i Jejelit, bir i Mataniahut, një Levit nga bijtë e Asafit.

15 Dhe ky tha: "Dëgjoni, ju të gjithë nga Juda, ju banorë të Jeruzalemit dhe ti, o mbret Jozafat! Kështu ju thotë Zoti: "Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë.

16 Nesër hidhuni kundër tyre; ja, ata do të ngjiten nëpër të përpjetën e Tsitsit, dhe ju do t’i gjeni në skajin e luginës përballë shkretëtirës së Jeruelit.

17 Nuk do të jeni ju që do të luftoni në këtë betejë; zini pozicion, qëndroni pa lëvizur dhe do të shihni lirimin e Zotit, që është me ju. O Judë, o Jeruzalem, mos kini frikë dhe mos u tronditni; nesër do të dilni kundër tyre, sepse Zoti është me ju"".

18 Atëherë Jozafati uli për tokë fytyrën e tij, dhe tërë Juda dhe banorët e Jeruzalemit ranë përmbys përpara Zotit dhe e adhuruan.

19 Pastaj Levitët, bijtë e Kehathitëve dhe të Korahitëve, u ngritën për të lëvduar me zë të lartë Zotin, Perëndinë e Izraelit.

20 Mëngjesin vijues u çuan shpejt dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoas; ndërsa po viheshin për rrugë, Jozafati, duke qëndruar në këmbë, tha: Dëgjomëni, o Judë, dhe ju banorë të Jeruzalemit! Besoni Zotin, Perëndinëë tuaj, dhe do të jeni të fortë; besoni profetët e tij dhe do të keni mbarësi".

21 Pastaj, pasi u këshillua me popullin, caktoi ata që duhet t’i këndonin Zotit dhe duhet ta lëvdonin për shkëlqimin e shenjtërisë së tij, ndërsa ecnin përpara ushtrisë dhe thonin: "Kremtoni Zotin, sepse mirësia e tij zgjat përjetë".

22 Kur ata filluan të këndojnë dhe të lëvdojnë, Zoti ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit që kishin ardhur kundër Judës, dhe mbetën të mundur.

23 Bijtë e Amonit dhe të Moabit u ngritën kundër banorëve të malit të Seirit për të realizuar shfarosjen dhe shkatërrimin e tyre; mbasi kryen shfarosjen e banorëve të Seirit, ndihmuan njeri-tjetrin për të shkatërruar veten e tyre.

24 Kështu kur ata të Judës arritën në lartësinë prej nga mund të kqyrej shkretëtira, u kthyen nga turma, dhe ja, nuk kishte veçse kufoma të shtrira për tokë, asnjë nuk kishte shpëtuar.

25 Atëherë Jozafati dhe njerëzit e tij shkuan për të marrë plaçkën e luftës; midis tyre gjetën një sasi të madhe pasurish mbi kufomat e tyre dhe sende me vlerë; morën për vete më tepër se sa mund t’i mbartnin; iu deshën tri ditë për të marrë plaçkën, aq e shumtë ishte ajo.

26 Ditën e katërt u mblodhën në Luginën e Bekimit, ku bekuan Zotin; prandaj ky vend quhet Lugina e Bekimit edhe sot.

27 Pastaj tërë njerëzit e Judës dhe të Jeruzalemit, me Jozafatin në krye, u nisën me gëzim për t’u kthyer në Jeruzalem, sepse Zoti u kishte dhënë shkas të gëzohen mbi armiqtë e tyre.

28 Kështu hynë në Jeruzalem me harpa, me qeste dhe me bori dhe u drejtuan nga shtëpia e Zotit.

29 Tmerri i Zotit ra mbi të gjitha mbretëritë e vendeve të tjera, kur mësuan që Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.

30 Mbretëria e Jozafatit qe e qetë; Perëndia i tij i dha paqe rreth e qark.

31 Kështu Jozafati mbretëroi mbi Judë. Ai ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem; e ëma quhej Azubah dhe ishte bija e Shihlit.

32 Ai ndoqi kudo rrugët e atit të tij, Asa, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që ishtë e drejtë në sytë e Zotit.

33 Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën, sepse populli nuk e kishte akoma zemrën të kthyer në mënyrë të qëndrueshme nga Perëndia i etërve të tyre.

34 Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, nga e para deri në atë të fundit, janë të shkruara në analet e Jehut, birit të Hananit, që përfshihen në librin e mbretërve të Izraelit.

35 Pas kësaj Jozafati, mbret i Judës, u lidh me Ashaziahun, mbretin e Izraelit, që vepronte me paudhësi;

36 ai u lidh me të për të ndërtuar anije që të shkonin në Tarshish; i pajisën anijet në Etsion-Geber.

37 Atëherë Eliezeri, bir i Dodavahut nga Mareshah, profetizoi kundër Jozafatit, duke thënë: "Nga që je bashkuar me Ashaziahun, Zoti ka shkatërruar veprat e tua". Kështu anijet u shkatërruan dhe nuk arritën dot në Tarshish.