Add parallel Print Page Options

15 Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Azarisahun, birin i Odedit,

që doli të takojë Asan dhe i tha: "Asa, dhe ju të gjithë nga Juda dhe nga Beniamini, më dëgjoni! Zoti është me ju, kur ju jeni me të. Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t’ju braktisë.

Për një kohë të gjatë Izraeli ka qenë pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj që të jepnin mësim dhe pa ligj.

Por në fatkeqësinë e tyre ata u rikthyen tek Zoti, Perëndia i Izraelit, e kërkuan dhe ai i la ta gjenin.

Në atë kohë nuk kishte siguri për ata që shkonin e vinin, sepse të gjithë banorët e vendeve ishin shumë të shqetësuar.

Një komb shtypej nga një tjetër, një qytet nga një tjetër, sepse Perëndia i hidhëronte me fatkeqësira të çdo lloji.

Por ju jeni të fortë dhe mos lini që krahët tuaja të dobësohen, sepse puna juaj do të shpërblehet.

Kur Asa dëgjoi këto fjalë dhe profecinë e profetit Oded, mori zemër dhe hodhi idhujt e neveritshëm nga tërë vendi i Judës dhe i Beniaminit si dhe nga qytetet që kishte pushtuar në zonën malore të Efraimit, ndreqi edhe altarin e Zotit që gjendej përpara portikut të Zotit.

Pastaj mblodhi tërë Judën dhe Beniaminin dhe ata të Efraimit, të Manasit dhe të Simeonit që banonin bashkë me ta; në fakt kishin ardhur tek ai në numër të madh nga Izraeli, kur kishin parë që Zoti, Perëndia i tyre, ishte me të.

10 Kështu u mblodhën në Jeruzalem në muajin e tretë të vitit të pesëmbëdhjetë të mbretërisë së Asas.

11 Në atë kohë flijuan për Zotin plaçka që kishin marrë, shtatëqind lopë dhe shtatë mijë dele.

12 Pastaj u zotuan me një besëlidhje të kërkojnë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirtin e tyre.

13 Kushdo që nuk e kishte kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit, do të dënohej me vdekje, qoftë i madh apo i vogël, burrë apo grua.

14 Përveç kësaj iu betuan Zotit me zë të lartë dhe me britma gëzimi, të shoqëruar me boritë dhe brirët.

15 Tërë Juda u gëzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjithë zemër dhe kishin kërkuar Zotin me gjithë vullnetin e tyre, dhe ai i kishte lënë ta gjejnë. Kështu Zoti u dha paqe rreth e qark.

16 Ai hoqi nga pozita që kishte si mbretëreshë edhe Maakahën, nënën e mbretit Asa, sepse ajo kishte bërë një shëmbëlltyrë të neveritshme të Asherahut. Pastaj Asa e shkatërroi shëmbëlltyrën, e bëri copë-copë dhe e dogji pranë përroit Kidron.

17 Por vendet e larta nuk u zhdukën në Izrael, megjithëse zemra e Asas mbeti e ndershme gjatë gjithë jetës së tij.

18 Ai bëri që të sillen në shtëpinë e Perëndisë gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat e shenjtëruara nga ai vetë: argjendin, arin dhe enët.

19 Dhe nuk pati më luftë deri në vitin e tridhjetë e pestë të mbretërisë së Asas.

16 Në vitin e tridhjetë e gjashtë të mbretërisë së Asas, Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun për të penguar që dikush të hynte apo të dilte nga Asa, mbret i Judës.

Atëherë Asa nxori nga thesaret e shtëpisë të Zotit dhe të pallatit mbretëror argjend dhe ar dhe ia dërgoi Ben-Hadadit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, duke thënë:

"Le të ketë aleancë midis teje dhe meje, ashtu si kishte midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj argjend dhe ar: prandaj, prishe aleancën me Baashan, mbretin e Izraelit me qëllim që ai të tërhiqet nga unë".

Ben-Hadadi e dëgjoi mbretin Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qyteteve të Izraelit. Këta sulmuan Ijonin, Danin, Abel-Maimin dhe të gjitha qytetet-depozitë të Neftalit.

Kur Baasha e mësoi këtë, e ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe pezulloi punimet e tij.

Atëherë mbreti Asa mori të gjithë ata të Judës, që morën gurët dhe lëndën e drurit që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar Ramahun dhe me to ndërtoi Geban dhe Mitspahun.

Në atë kohë shikuesi Hanani shkoi tek Asa, mbret i Judës, dhe i tha: "Me qenë se u mbështete te mbreti i Sirisë dhe nuk u mbështete tek Zoti, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Sirisë të shpëtoi nga dora.

A nuk ishin vallë Etiopasit dhe Libianët një ushtri e pamasë me një numër shumë të madh qerresh dhe kalorësish? Megjithatë, me qenë se ishe mbështetur tek Zoti ai i dha në duart e tua.

Në të vërtetë Zoti me sytë e tij shikon përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij. Në këtë ti ke vepruar si një i pamend; prandaj tani e tutje do të kesh luftëra".

10 Asa u indinjua dhe e futi në burg, sepse ishte zemëruar me të për këto gjëra. Në këtë kohë Asa u suall egërsisht edhe me disa njerëz nga populli.

11 Por ja, bëmat e Asait nga të parat deri në ato të fundit, i gjejmë të shkruara në librin e mbretit të Judës dhe të Izraelit.

12 Në vitin e tridhjetë e nëntë të mbretërimit të tij Asa u sëmur nga këmbët, dhe sëmundja e tij ishte shumë e rëndë, por gjatë sëmundjes së tij Ai nuk kërkoi Zotin, por iu drejtua mjekëve.

13 Kështu Asa pushoi bashkë me etërit e tij dhe vdiq në vitin e dyzetenjëtë të mbretërisë së tij.

14 E varrosën në varrin që i kishte hapur vetes në qytetin e Davidit, e vendosën mbi një shtrat plot me aroma dhe melheme të ndryshme të parfumuara, të përgatitura sipas artit të parfumierit, dhe dogjën një sasi të madhe prej tyre për nder të tij.

17 Në vend të tij mbretëroi i biri Jozafat, që u fortifikua kundër Izraelit.

Ai vendosi trupa në tërë qytetet e fortifikuara të Judës dhe garnizone në vendin e Judës dhe në qytetin e Efraimit, që ati i tij kishte pushtuar.

Zoti ishte me Jozafatin, sepse ai eci në rrugët e para të Davidit, atit të tij. Ai nuk kërkoi Baalin,

por kërkoi Perëndinë e atit të tij dhe eci sipas urdhërimeve të tij dhe jo sipas bëmave të Izraelit.

Prandaj Zoti e përforcoi mbretërinë në duart e tij. Tërë Juda i çonte dhurata Jozafatit, dhe ai pati me shumicë pasuri dhe lavdi.

Zemra e tij u forcua në rrugët e Zotit dhe ai hoqi përsëri vendet e larta dhe Asherimët nga Juda.

Vitin e tretë të mbretërisë së tij ai i dërgoi krerët e tij Ben-Hail, Obadiah, Zakaria, Nethaneel dhe Mikajaht që të jepnin mësime në qytetin e Judës;

dhe me ta dërgoi Levitët Shemajah, Nethanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramoth, Jonathan, Adonijah, Tobijah dhe Tobadonijah, dhe bashkë me këta edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram.

Kështu ata dhanë mësime në Judë, duke pasur me vete librin e ligjit të Zotit; ata kaluan nëpër tërë qytetet e Judës, duke e mësuar popullin.

10 Tmerri i Zotit zuri të gjitha mbretëritë e vendeve që ishin rreth e qark Judës, dhe kështu ato nuk i shpallën luftë Jozafatit.

11 Disa nga Filistejtë i çuan Jozafatit dhurata dhe një haraç në argjend; edhe Arabët i sollën bagëti të imta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjepë.

12 Kështu Jozafati u bë gjithnjë e më i madh dhe ndërtoi në Judë fortesa dhe qytete-depozitë.

13 Kreu shumë punime në qytetet e Judës, dhe në Jeruzalem mbante luftëtarë, burra të fortë dhe trima.

14 Ky është regjistrimi i tyre, sipas shtëpive të tyre atërore. Nga Juda, komandantët e mijëshëve ishin Adnahu, si prijës, dhe bashkë me të treqind mijë burra të fortë dhe trima;

15 pas tij vinin Jehohanani, siprijës, me dyqind e tetëdhjetë mijë burra;

16 pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, që i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me të dyqind mijë burra të fortë dhe trima.

17 Nga Beniamini ishte Eliada, burrë i fortë dhe trim, dhe me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe dhe me mburoja;

18 pas tij vinte Jehozabadi, dhe me të njëqind e shtatëdhjetë mijë burra gati për të marrë pjesë në luftë.

19 Tërë këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që ai kishte vendosur në qytetet e fortifikuara të të gjithë Judës.

18 Jozafati pati pasuri të mëdha dhe lavdi; ai bëri krushqi me Ashabin.

Mbas disa vjetësh ai zbriti në Samari tek Ashabi. Atëherë Ashabi theri për të dhe për njerëzit që ishin me të një numër të madh delesh dhe lopësh dhe e bindi të dilte bashkë me të kundër Ramothit nga Galaadi.

Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: "A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?". Jozafati iu përgjigj: "Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty".

Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: "Të lutem, konsulto po sot fjalën e Zotit".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët, katërqind veta, dhe u tha atyre: "A duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit nga Galaadi, apo duhet të heq dorë nga ky veprim?". Ata iu përgjigjën: "Shko, pra, sepse Perëndia do ta japë atë në duart e mbretit".

Por Jozafati tha: "Nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit me të cilin mund të këshillohemi?".

Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Éshtë edhe një njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin; por unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm të keqen". Jozafati tha: "Mbreti të mos flasë kështu".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas".

Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e vet, të veshur me rrobat e tyre mbretërore; ishin ulur në lëmin që është te hyrja e portës së Samarisë; dhe tërë profetët bënin profeci përpara tyre.

10 Sedekia, bir i Kenaanahut, që kishte bërë brirë prej hekuri, tha: Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t’i shkatërrosh plotësisht"".

11 Tërë profetët profetizuan në të njëjtën mënyrë, duke thënë: "Dil kundër Ramothit nga Galaadi dhe do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë atë në duart e mbretit".

12 Lajmëtari, që kishte shkuar të thërriste Mikajahun, i foli duke i thënë: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke thënë gjëra të mira për mbretin. Prandaj të lutem që fjala jote të jetë si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gjëra të mira".

13 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall".

14 Si arriti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heq dorë?". Ai u përgjigj: "Shkoni, pra, dhe do t’ju dalë mbarë, sepse ata do të jepen në duart tuaja".

15 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë duhet të përgjërohem që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".

16 Mikajahu u përgjigj: "E pashë tërë Izraelin të shpërndarë në malet, ashtu si dhentë që janë pa bari; dhe Zoti tha: "Ata nuk kanë më zot; le të kthehet secili në paqe në shtëpinë e vet"".

17 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë se lidhur me mua ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqen?".

18 Atëherë Mikajahu i tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zotit. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria qiellore rrinte në të djathtë dhe në të majtë të tij.

19 Zoti tha: "Kush do ta mashtrojë Ashabin, mbretin e Izraelit, që ai të dalë dhe të vdesë në Ramoth të Galaadit?"". Dikush u përgjigj në një mënyrë, dikush në mënyrë tjetër.

20 Atëherë doli përpara një frymë që u paraqit para Zotit dhe tha: "Unë do t’ia mbush mendjen". Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?".

21 Ai u përgjigj: "Unë do të dal dhe do të jem një frymë i gënjeshtrës në gojën e të gjithë profetëve të tij". Zoti i tha: "Me siguri do t’arrish ta bësh për vete, shko dhe vepro kështu".

22 Prandaj ja, Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e këtyre profetëve të tu, por Zoti shpall fatkeqësi kundër teje".

23 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me një shpullë Mikajahun, dhe tha: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë që të flasë me ty?".

24 Mikajahu u përgjigj: "Ja, do ta shohësh ditën në të cilën do të shkosh në një dhomë të brendshme për t’u fshehur!".

25 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merreni Mikajahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit,

26 dhe u thoni atyre: Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqejeni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa unë të kthehem shëndoshë e mirë"".

27 Mikajahu tha: "Në rast se ti kthehesh me të vërtetë shëndoshë e mirë, kjo do të thotë që Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o ju popuj të gjithë!".

28 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit nga Galaadi.

29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të vishem ndryshe dhe pastaj do të shkoj të luftoj, por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkuan të luftojnë.

30 Mbreti i Sirisë kishte dhënë këtë urdhër kapitenëve të qerreve të tij duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, të madh apo të vogël, por vetëm kundër mbretit të Izraelit".

31 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ai është mbreti i Izraelit". Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij.

32 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

33 Por një njeri hodhi rastësisht një shigjetë me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve të parzmores së tij; prandaj mbreti i tha shqytarit të tij: "Kthehu dhe më ço larg përleshjes, sepse jam plagosur".

34 Por beteja ishte aq e ashpër atë ditë sa që mbreti u detyrua të qëndrojë mbi qerren e tij përballë Sirëve deri në mbrëmje, dhe kur perëndoi dielli ai vdiq.