Añadir traducción en paralelo Imprimir Opciones de la página

11 Roboami, me të arritur në Jeruzalem, thirri shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur, për të luftuar kundër Izraelit dhe për t’i kthyer kështu mbretërinë Roboamit.

Por fjala e Zotit iu drejtua kështu Shemajahut, njeriu i Perëndisë, duke thënë:

"Foli Roboamit, birit të Salomonit, mbretit të Judës, dhe tërë Izraelit në Judë dhe në Beniamin, dhe u thuaj atyre:

Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse kjo gjë vjen nga unë"". Atëherë ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa pa dalë kundër Jeroboamit.

Roboami banoi në Jeruzalem dhe ndërtoi disa qytete për mbrojtje në Judë.

Ai ndërtoi Betlemin, Etamin, Tekoan,

Beth-Tsurin, Sokon, Adulamin,

Gathin, Mareshahun, Zifin,

Adoraimin, Lakishin, Azkahun,

10 Tsorahun, Ajalonin dhe Hebronin, që u bënë qytete të fortifikuara në Judë dhe në Beniamin.

11 Përforcoi fortesat dhe vendosi komandantë dhe depo ushqimesh, vaji dhe vere.

12 Në çdo qytet vendosi mburoja dhe shtiza dhe i bëri jashtëzakonisht të forta. Kështu ai pati me vete Judën dhe Beniaminin.

13 Përveç kësaj nga të gjitha territoret e tyre priftërinjtë dhe Levitët e tërë Izraelit morën anën e tij.

14 Në të vërtetë Levitët braktisën tokat e tyre për kullotë dhe pronat e tyre dhe shkuan në Judë dhe në Jeruzalem, sepse Jeroboami me bijtë e tij i kishte përzënë nga shërbimi si priftërinj të Zotit,

15 dhe kishte caktuar priftërinj për vendet e larta, për demonët dhe për viçat që kishte bërë.

16 Mbas Levitëve ata nga gjithë fiset e Izraelit që kishin vendosur në zemër të tyre të kërkonin Zotin, Perëndinë e Izraelit, vajtën në Jeruzalem për t’i ofruar flijime Zotit, Perëndisë të etërve të tyre.

17 Kështu e përforcuan mbretërinë e Judës dhe e bënë të qëndrushëm për tre vjet Roboamin, birin e Salomonit, sepse për tre vjet ndoqën rrugën e Davidit dhe të Salomonit.

18 Roboami mori për grua Mahalathën, bijën e Jerimothit, birit të Davidit dhe i Abihajlit, bijës së Eliabit që ishte bir i Isait.

19 Ajo i lindi fëmijët Jeush, Shemariah dhe Zaaham.

20 Mbas asaj mori për grua Maakahën, bijën e Absalomit, e cila i lindi Abijahun, Atain, Zizan dhe Shelomithin.

21 Roboami e donte Maakahën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha bashkëshortet e konkubinat e tij (ai mori tetëmbëdhjetë bashkëshorte dhe shtatëdhjetë konkubina dhe i lindën njëzet e tetë djem dhe gjashtëdhjetë vajza).

22 Roboami e caktoi Abijahun, birin e Maakahës, si të parë që të ishte princ midis vëllezërve të tij, sepse mendonte ta bënte mbret.

23 Ai veproi me zgjuarsi dhe i shpërndau disa nga bijtë e tij në të gjitha vendet e Judës dhe të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara; u dha atyre ushqime me shumicë dhe kërkoi për ta shumë bashkëshorte.

12 Mbas forcimit të mbretërisë dhe të pushtetit të tij, Roboami braktisi ligjin e Zotit bashkë me tërë Izraelin.

Në vitin e pestë të mbretit Roboam, Shishaku, mbret i Egjiptit, doli kundër Jeruzalemit (sepse ata kishin kryer mëkate kundër Zotit),

me njëmijë e dyqind qerre dhe gjashtëdhjetë mijë kalorës; dhe bashkë me të erdhi nga Egjipti një popull i pallogaritshëm: Libianë, Sukej dhe Etiopias.

Ai pushtoi qytetet e fortifikuara që ishin pronë e Judës dhe arriti deri në Jeruzalem.

Atëherë profeti Shemajah shkoi te Roboami dhe te krerët e Judës, që ishin mbledhur në Jeruzalem nga frika e Shishakut, dhe u tha atyre: "Kështu thotë Zoti: "Ju më kini braktisur, prandaj edhe unë ju braktis në duart e Shishakut"".

Atëherë princat e Izraelit dhe mbreti u përulën dhe thanë: "Zoti është i drejtë".

Kur Zoti pa që ata ishin përulur, fjala e Zotit iu drejtua Shemajahut, duke i thënë: "Me qenë se ata u përulën, unë nuk do t’i shkatërroj, por do t’ju jap pas pak çlirimin dhe zemërimi im nuk do të kthehet kundër Jeruzalemit nëpërmjet Shishakut.

Megjithatë do t’i nënshtrohen atij, kështu do të njohin nga përvoja ç’do të thotë të më shërbesh mua dhe t’u shërbesh mbretërive të kombeve".

Kështu Shishaku, mbret i Egjiptit, u sul kundër Jeruzalemit dhe mori me vete thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror; mori me vete çdo gjë; mori edhe mburojat prej ari që kishte bërë Salomoni.

10 Dhe në vend të tyre mbreti Roboam bëri mburoja prej bronzi dhe ua besoi ruajtjen e tyre kapitenëve të rojeve që ruanin portën e shtëpisë së mbretit.

11 Sa herë që mbreti hynte në shtëpinë e Zotit, rojet shkonin dhe i merrnin dhe pastaj i çonin përsëri në sallën e rojeve.

12 Me qenë se Roboami ishte përulur, zemërimi i Zotit u hoq nga ai dhe nuk e shkatërroi plotësisht; në Judë kishte akoma gjëra të mira.

13 Kështu mbreti Roboam u përforcua në Jeruzalem dhe vazhdoi të mbretërojë. Kur filloi të mbretërojë, Roboami ishte dyzet e një vjeç, dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem, qyteti që Zoti kishte zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit për të vendosur emrin e tij. E ëma e tij quhej Naamah; ishte Amonite.

14 Ai veproj keq, sepse nuk u vu me zemrën e tij në kërkim të Zotit.

15 Bëmat e Roboamit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në analet e profetit Shemajah dhe të shikuesit Ido, sipas gjenealogjive? Pati luftra të vazhdueshme midis Roboamit dhez Jeroboamit.

16 Pastaj Roboami pushoi bashkë me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Abijahu.

13 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, Abijahu filloi të mbretërojë në Judë.

Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Mikajah; ishte bija e Urielit nga Gibeahu. Pati luftë midis Abijahut dhe Jeroboamit.

Abijahu u përgatit për betejën me një ushtri me luftëtarë trima, katërqind mijë njerëz të zgjedhur; edhe Jeroboami u radhit në rend beteje kundër tij me tetëqind mijë burra të zgjedhur, njerëz të fortë dhe trima.

Duke qëndruar në malin e Tsemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, Abijahu tha: "Më dëgjoni, Jeroboam dhe tërë Izraeli!

A nuk e dini vallë që Zoti, Perëndia i Izraelit, ia ka dhënë për gjithnjë Davidit mbretërimin mbi Izrael, atij dhe bijve të tij, me një besëlidhje kripe?

Megjithatë Jeroboami, bir i Nebatit, shërbëtor i Salomonit, birit të Davidit, u ngrit dhe u rebelua kundër zotërisë së tij.

Rreth tij ishin mbledhur njerëz të neveritshëm dhe horra, që ishin bërë të fortë kundër Roboamit, birit të Salomonit, kur Roboami ishte i ri dhe pa përvojë, dhe nuk ishte mjaft i fortë sa t’u rezistonte atyre.

Tani ju mendoni të mund t’i rezistoni mbretërisë të Zotit, që është në duart e bijve të Davidit, sepse jeni një shumicë e madhe dhe keni me vete viçat e artë që Jeroboami ka bërë për ju si perënditë tuaja.

A nuk keni dëbuar vallë priftërinjtë e Zotit, bij të Aaronit, dhe Levitët dhe nuk jeni bërë priftërinj si popujt e vendeve të tjera? Kështu kushdo që vjen me një dem të vogël dhe me shtatë desh për t’u shenjtëruar, mund të bëhet prift i atyre që nuk janë perëndi.

10 Sa për ne, Zoti është Perëndia ynë dhe ne nuk e kemi braktisur; priftërinjtë që i shërbejnë Zotit janë bij të Aaronit, ndërsa Levitët kryejnë detyrat e tyre.

11 Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i ofrojnë Zotit olokauste dhe temjan erëmirë; për më tepër ata i vendosin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër, dhe çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë me llambat e tij, sepse ne respektojmë urdhrin e Zotit, Perëndisë tonë, por ju e keni braktisur.

12 Dhe ja, vet Perëndia është me ne, mbi kryet tonë dhe priftërinjtë me buri kumbonjëse janë duke i rënë alarmit kundër jush. O bij të Izraelit, mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, sepse nuk do të keni sukses".

13 Ndërkaq Jeroboami me një pritë u mori krahët për t’i sulmuar; kështu ndërsa ai ishte radhitur para Judës, ata të pritës ndodheshin prapa tyre.

14 Kur ata të Judës u kthyen, vunë re që beteja i priste si nga përpara ashtu dhe nga prapa. Atëherë i klithën Zotit dhe priftërinjtë u ranë borive.

15 Pastaj njerëzit e Judës lëshuan një britmë dhe, ndërsa njerëzit e Judës ulërinin, ndodhi që Perëndia goditi Jeroboamin dhe tërë Izraelin përpara Abijahut dhe Judës.

16 Kështu bijtë e Izraelit ikën përpara Judës, dhe Perëndia i dorëzoi në duart e tij.

17 Abijahu dhe njerëzit e tij i mundën keq; nga radhët e Izraelitëve ranë të vdekur pesëqind mijë luftëtarë të zgjedhur.

18 Kështu në atë kohë bijtë e Izraelit u poshtëruan, ndërsa bijtë e Judës u përforcuan sepse ishin mbështetur tek Zoti, Perëndia i etërve të tyre.

19 Abijahu e ndoqi Jeroboamin dhe i mori qytetet që vijojnë: Bethelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efraimin me fshatrat përreth.

20 Kështu gjatë jetës së Abijahut, Jeroboami nuk e mblodhi më veten; pastaj Zoti e goditi dhe ai vdiq.

21 Abijahu përkundrazi u bë i fuqishëm, mori katërmbëdhjetë gra dhe pati njëzet e dy djem dhe gjashtëmbëdhjetë vajza.

22 Pjesa tjetër e bëmave të Abijahut, sjellja dhe fjalët e tija janë përshkruar në kronikat e profetit Ido.

14 Pastaj Abijahun pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa. Në kohën e tij vendi qe i qetë dhjetë vjet.

Asa bëri atë që ishtë e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.

Ai hoqi nga vendi altarët e perëndive të huaj dhe vendet e larta, shkatërroi shtyllat e shenjta dhe i bëri copë-copë Asherimët.

Përveç kësaj urdhëroi Judën të kërkojë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, dhe të zbatojë në praktikë ligjin dhe urdhërimet.

Hoqi gjithashtu nga të gjitha qytetet e Judës vendet e larta dhe idhujt; dhe me të mbretëria njohu një periudhë qetësie.

Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë, sepse vendi ishte i qetë. Në ato vite nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Zoti i kishte dhënë qetësi.

Ai u thoshte atyre të Judës: "Le t’i ndërtojmë këto qytete dhe t’i rrethojmë me mure, me kulla, me porta dhe shufra. Vendi është akoma në dispozicionin tonë, sepse kemi kërkuar Zotin, Perëndinë tonë; ne e kemi kërkuar dhe ai na ka dhënë paqe rreth e qark". Kështu ata iu vunë ndërtimit dhe u begatuan.

Asa kishte një ushtri prej treqindmijë njerëzish nga Juda që mbanin ushta dhe mburoja, si dhe dyqind e tetëdhjetë mijë nga Beniamini që mbanin mburoja dhe gjuanin me hark; tërë këta ishin burra të fortë dhe trima.

Kundër tyre doli Zerahu, Etiopasi, me një ushtri prej një milion burrash dhe me treqind qerre dhe arriti deri në Mareshah.

10 Asa doli atëherë kundër tij dhe u vendosën në rend beteje në luginën e Tsefathahut pranë Mareshahut.

11 Atëherë Asa i klithi Zotit, Perëndisë të tij, dhe tha: "O Zot, nuk ka njeri veç teje që mund të ndihmojë në luftimet midis një të fuqishmi dhe atij që i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Perëndia ynë, sepse ne mbështetemi te ti dhe dalim kundër kësaj shumice në emrin tënd. O Zot, ti je Perëndia ynë; mos lejo që njeriu të ta kalojë ty!".

12 Kështu Zoti goditi Etiopasit përpara Asas dhe përpara Judës, dhe Etiopasit ua mbathën këmbëve.

13 Atëherë Asa dhe njerëzit që ishin me të i ndoqën deri në Gherar. Prandaj Etiopasit u mundën, prej tyre nuk mbeti asnjë i gjallë, sepse ata u shkatërruan përpara Zotit dhe ushtrisë së tij. Dhe ata morën një plaçkë shumë të madhe.

14 Pastaj sulmuan tërë qytetet rreth e qark Gherarit, sepse tmeri i Zotit i kishte zënë, dhe ata plaçkitën tërë qytetet në të cilat kishte plaçkë të madhe.

15 Sulmuan gjithashtu vathët e bagëtive dhe morën me vete një numër të madh dhensh dhe devesh. Pastaj u kthyen në Jeruzalem.