Add parallel Print Page Options

Fjala e Samuelit i drejtohej tërë Izraelit. Izraeli doli të luftojë kundër Filistejve dhe ngriti kampin e tij pranë Eben-Ezerit, ndërsa Filistejtë u vendosën pranë Afekut.

Pastaj Filistejtë u renditën për betejë kundër Izraelit; filloi një betejë e madhe, por Izraeli u mund nga Filistejtë, të cilët vranë në fushën e betejës rreth katër mijë veta.

Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: "Pse Zoti na mundi sot përpara Filistejve? Të shkojmë të marrim në Shiloh arkën e besëlidhjes së Zotit, në mënyrë që të ndodhet në mes nesh dhe të na shpëtojë nga duart e armiqve tanë!".

Kështu populli dërgoi në Shiloh njerëz që të merrnin që andej arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtërive, që ulët midis kerubinëve; dhe dy bijtër e Elit, Hofni dhe Finehasi, ishin aty me arkën e besëlidhjes së Perëndisë.

Kur arka e besëlidhjes së Zotit hyri në kamp, i gjithë Izraeli shpërtheu në një britmë gëzimi aq të fuqishme sa vetë toka e drodh.

Filistejtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e Hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp.

Kështu Filistejtë u trembën, sepse thonin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën Egjiptasit me lloj lloj plagësh në shkretëtirë.

Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o Filistej, që të mos bëheni skllevër të Hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!".

10 Kështu Filistejtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë.

11 Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.

12 Një njeri i Beniaminit vrapoi nga fusha e betejës dhe arriti po atë ditë në Shiloh, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.

13 Kur arriti, ja, Eli ishte ulur mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës, duke shikuar, sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë. Sapo ai njeri hyri në qytet dhe njoftoi për atë që kishte ndodhur, një britmë u ngrit nga tërë qyteti.

14 Kur dëgjoi zhurmën e britmave, Eli tha: "Ç’kuptim ka zhurma e kësaj rrëmuje?". Pastaj ai njeri erdhi me të shpejtë për t’i treguar Elit atë që kishte ndodhur.

15 Eli ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç; shikimi i tij qe errësuar aq sa që ai nuk shikonte më.

16 Njeriu i tha Elit: "Jam ai që ka ardhur nga fusha e betejës. Sot kam ikur me vrap nga fusha e betejës". Eli tha: "Si vajtën punët, biri im?".

17 Atëherë lajmëtari u përgjegj dhe tha: "Iezraeli ia mbathi përpara Filistejve dhe u bë një masakër e madhe në popull; edhe dy djemtë e tu, Hofni dhe Finehasi, vdiqën, dhe arka e Perëndisë u morr".

18 Sa u zu në gojë arka e Perëndisë, Eli ra nga ndenjësja prapa, përbri derës, theu qafën dhe vdiq, sepse ishte plak dhe i rënduar. Qe gjyqtar i Izraelit dyzet vjet me radhë.

19 E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte me barrë dhe në prag të lindjes; kur dëgjoi lajmin që arka e Perëndisë ishte kapur dhe vjehrri i saj dhe i shoqi kishin vdekur, u kërrus dhe lindi, sepse e zunë dhimbjet.

20 Në çastin kur ishte duke vdekur, gratë që kujdeseshin për të i thanë: Mos u tremb, sepse ke lindur një djalëë". Por ajo nuk u përgjegj dhe nuk u kushtoi vëmëndje fjalëve të tyre,

21 por ia vuri emrin Ikabod fëmijës, duke thënë: "Lavdia u largua nga Izraeli," sepse arka e Perëndisë ishte marr për shkak të vjehrrit të saj dhe të burrit të saj.

22 Ajo tha: "Lavdia është larguar nga Izraeli, sepse arka e Perëndisë është marr".

Atëherë Filistejtë e morën arkën e Perëndisë dhe e mbartën nga Eben-Ezeriu në Ashdod;

pastaj Filistejtë e morën arkën e Perëndisë, e çuan në tempullin e Dagonit dhe e vendosën pranë Dagonit.

Të nesërmen banorët e Ashdodit u ngritën herët, por Dagoni qe rrëzuar me fytyrë për tokë përpara arkës së Zotit. Kështu e morën Dagonin dhe e vunë përsëri në vendin e tij.

Të nesërmen u ngritën herët, dhe ja Dagoni qe rrëzuar përsëri me fytyrën për tokë përpara arkës së Zotit, kurse koka e Dagonit dhe të dy pëllëmbët e duarve të tij u gjetën të prera mbi prag; nga Dagoni kishte mbetur vetëm trungu.

Prandaj, deri ditën e sotme, priftërinjtë e Dagonit dhe tërë ata që hyjnë në tempullin e Dagonit nuk vënë këmbë mbi pragun e Dagonit në Ashdod.

Pastaj dora e Zotit rëndoi mbi banorët e Ashdodit dhe i shkretoi, i goditi me hemoroide Ashdodin dhe territorin e tij.

Kur banorët e Ashdodit panë që punët shkonin në atë mënyrë, ata thanë: Arka e Perëndisë të Izraelit nuk duhet të mbetet në mes nesh, sepse dora ee tij ka qenë e rëndë me ne dhe me Dagonin, perëndinë tonë".

Kështu ata mblodhën pranë tyre tërë princat e Filistejve dhe thanë: Çfarë duhet të bëjmë me arkën e Perëndisë të Izraelit??". Princat u përgjegjën: "Të mbartet arka e Perëndisë të Izraelit në Gatha".

Kështu arka e Perëndisë të Izraelit u mbart aty. Por mbas transportimit të saj, dora e Zotit u kthye kundër atij qyteti, duke i shkaktuar një lemeri të madhe; dhe Zoti i goditi njerëzit e qytetit, të mëdhenj e të vegjël, me një epidemi hemoroidesh.

10 Atëherë arkën e Perëndisë e dërguan në Ekron. Por, sapo arka e Perëndisë arriti në Ekron, banorët e Ekronit protestuan duke thënë: "Kanë sjellë arkën e Perëndisë të Izraelit te ne, që të vdesim ne dhe populli ynë!".

11 Kështu mblodhën tërë pincat e Filistejve dhe u thanë: "Largojeni arkën e Perëndisë të Izraelit; ajo të kthehet në vendin e saj, që të mos shkaktojë vdekjen tonë dhe të popullit tonë!". Në fakt ishte përhapur një lemeri vdekjeprurëse në të gjithë qytetin, sepse dora e Perëndisë rëndonte shumë mbi të.

12 Ata që nuk vdisnin prekeshin nga hemoroidet, dhe britmat e qytetit ngjiteshin deri në qiell.

Arka e Zotit mbeti shtatë muaj në vendin e Filistejve.

Pastaj Filistejtë mblodhën priftërinjtë dhe shortarët dhe thanë: "Ç’duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na trego mënyrën që duhet të përdorim për ta kthyer përsëri në vendin e saj".

Atëherë ata u përgjegjën: "Në qoftë se e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e ktheni bosh, por dërgoni me të të paktën një ofertë zhdëmtimi; atëherë do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e tij nuk ju ndahej".

Ata pyetën: "Çfarë oferte zhdëmtimi do t’i dërgojmë neve?". Ata u përgjegjën: "Pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari simbas numrit të princave të Filistejve, sepse e njëjta plagë ka goditur ju dhe princat tuaj.

Bëni, pra, disa figura të hemorroideve dhe të minjve tuaj që shkatërrojnë vendin, dhe i thurrni lavdi Perëndisë së Izraelit; ndofta ai do ta zbusë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë tuaj dhe mbi vendin tuaj.

Pse, vallë, e ngurtësoni zemrën tuaj ashtu si Egjiptasit dhe Faraoni ngurtësuan zemrën e tyre? Kur kreu gjëra të fuqishme midis tyre, nuk i lanë të shkojnë, dhe kështu ata mundën të shkojnë?

Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrihni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre.

Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre; dhe punimet prej ari që i çoni Zotit si ofertë zhdëmtimi i vini në një shportë pranë saj.

Dhe rrini e shikoni, në rast se ngjitet nëpër rrugën që të çon në territorin e tij, në Beth-Shemesh, është Zoti që na ka bërë këtë të keqe të madhe; ndryshe do të të mësojmë që nuk ka qenë dora e tij që na ka goditur, por kjo ka ndodhur rastësisht".

10 Ata, pra, vepruan kështu: morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre dhe mbyllën viçat në stallë.

11 Pastaj vendosën mbi qerre arkën e Zotit dhe shportën me minjtë prej ari dhe figurat e hemorroideve.

12 Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e Filistejve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit.

13 Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë.

14 Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si olokauste të Zotit.

15 Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit.

16 Mbasi pesë princat e Filistejve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron.

17 Këto janë hemorroidet prej ari që Filistejtë i dërguan Zotit si ofertë zhdëmtimi; një për Ashdodin, një për Gazën, një për Askalonin, një për Gathin, një për Ekronin;

18 dhe minjtë prej ari simbas numrit të të gjitha qyteteve të Filistejve që u përkisnin pesë princëve, nga qytetet e fortifikuara deri në fshatrat e fushës, deri në gurin e madh e mbi të cilin u vendos arka e Zotit dhe që qëndron deri në ditën e sotme në fushën e Jozueut, Bethshemitit.

19 Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe.

20 Njerëzit e Beth-Shemeshit thanë: "Kush mund të rezistojë përpara Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? Nga kush do të ngjitet arka, kur të niset nga ne?".

21 Kështu u dërguan lajmëtarë banorëve të Kiriath-Jearimit për t’u thënë: Filistejtë e kanë kthyer arkën e Zotit; zbrisni dhe çojeni lart te juu".

Atëherë njerëzit e Kiriath-Jearimit erdhën, e çuan lart arkën e Zotit dhe e vendosën në shtëpinë e Abinadadit në kodër, dhe shenjtëruan të birin Eleazarin që të ruante arkën e Zotit.

Shumë kohë kishte kaluar nga dita që arka ishte vendosur në Kiriath-Jearim; kishin kaluar njëzet vjet dhe tërë shtëpia e Izraelit i ankohej Zotit.

Atëherë Samueli i foli tërë shtëpisë së Izraelit, duke thënë: "Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarithin dhe mbani zemrën tuaj tek Zoti dhe i shërbeni vetëm atij, atëherë ai do t’ju çlirojë nga duart e Filistejve".

Kështu bijtë e Izraelit hoqën mënjanë Baalët dhe Ashtarothët dhe i shërbyen vetëm Zotit.

Pastaj Samueli tha: "Mblidhni tërë Izraelin në Mitspah dhe unë do t’i lutem Zotit për ju".

Kështu ata u mblodhën në Mitspah, morën ujë dhe e derdhën përpara Zotit; pastaj po atë ditë agjëruan dhe atje thanë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit". Samueli i gjykoi bijtë e Izraelit në Mitspah.

Kur Filistejtë mësuan që bijtë e Izraelit ishin mbledhur në Mitspah, princat e Filistejve u nisën kundër Izraelit. Kur bijtë e Izraelit dëgjuan këtë patën frikë nga Filistejtë.

Atëherë bijtë e Izraelit i thanë Samuelit: "Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që ai të na shpëtojë nga duart e Filistejve".

Kështu Samueli mori një qengj pirës dhe e ofroi tërësisht si olokaust Zotit; Samueli i thirri Zotit për Izraelin dhe Zoti ia plotësoi kërkesën.

10 Ndërsa Samueli ofronte olokaustin, Filistejtë u afruan për të sulmuar Izraelin; por Zoti bubulloi me buçimë të madhe kundër Filistejve dhe i ngatërroi deri në atë pikë sa u mundën para Izraelit.

11 Njerëzit e Izraelit dolën nga Mitspahu, i ndoqën Filistejtë dhe i mundën deri poshtë Beth-Karit.

12 Atherë Samueli mori një gur e ngriti midis Mitspahut dhe Shenit dhe e quajti Eben-Ezer, duke thënë: "Deri këtu Zoti na ka ndihmuar".

13 Kështu Filistejtë u poshtëruan dhe nuk u kthyen më të shkelin territorin e Izraelit; dhe dora e Zotit u ngrit kundër Filistejve gjatë gjithë kohës së Samuelit.

14 Edhe qytetet që Filistejtë i kishin marrë Izraelit iu kthyen Izraelit, nga Ekroni deri në Gath. Izraeli çliroi territorin e tij nga duart e Filistejve. Dhe u vendos paqja midis Izraelit dhe Amorejve.

15 Samueli qe gjykatës i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij.

16 Çdo vit ai i binte përqark Bethelit, Gilgalit dhe Mitspahut dhe ushtronte funksionin e gjyqtarit të Izraelit mbi tërë këto vende.

17 Pastaj kthehej në Ramah, sepse aty ishte shtëpia e tij. Aty e gjykonte Izraelin dhe po aty ngriti një altar për Zotin.

Kur Samueli u plak emëroi bijtë e tij si gjyqtarë të Izraelit.

I parëlinduri i tij quhej Joel dhe i dyti Abiah; ata ushtronin funksionin e gjyqtarit në Beer-Sheba.

Por bijtë e tij nuk ndoqën shembëllin e tij, u larguan nga rruga e drejtë duke siguruar fitime të palejueshme, pranuan dhurata dhe e prishnin drejtësinë.

Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah,

dhe i thanë: "Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet".

Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.

Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.

Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera.

Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".

10 Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.

11 Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t’i marrë bijtë tuaj dhe do t’i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;

12 për t’i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t’i vënë ata t’i lërojnë arat, t’i korrin të lashtat, t’i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.

13 Do të marrë bijat tuaja për t’i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.

14 Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

15 Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

16 Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t’i përdorur në punimet e tij.

17 Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.

18 Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet".

19 Me gjithatë populli nuk deshi t’i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: Jo, do të kemi një mbret mbi ne..

20 Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".

21 Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit.

22 Zoti i tha Samuelit: "Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta". Atëherë Samueli u tha njerëzve të Izraelit: "Secili të kthehet në qytetin e tij".