Add parallel Print Page Options

25 Pastaj Samueli vdiq, dhe tërë Izraeli u mblodh dhe e qau, e varrosën në shtëpinë e tij në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit dhe zbriti në shkretëtirën e Paranit.

Në Maon jetonte një njeri pronat e të cilit ndodheshin në Karmel; ky njeri ishte shumë i pasur; kishte tre mijë dele dhe një mijë dhi, dhe ndodhej në Karmel për të qethur delet e tij.

Ky njeri quhej Nabal dhe gruaja e tij Abigail; ajo ishte një grua me gjykim të shëndoshë dhe e hijshme, por burri i saj ishte i ashpër dhe i keq në veprimet e tij; ai rridhte nga Kalebi.

Kur Davidi mësoi në shkretëtirë që Nabali ishte duke qethur delet e tij,

dërgoi dhjetë të rinj; Davidi u tha të rinjve: "Ngjituni në Karmel, shkoni tek Nabali dhe pyeteni nga ana ime në se është mirë,

dhe i thoni kështu: "Shëndet! Paqe ty, paqe shtëpisë sate dhe paqe çdo gjëje që të përket!

Mësova që te ti ndodhen qethësit; kur barinjtë e tu ndodheshin te ne, nuk u kemi bërë asnjë të keqe, dhe nuk u ka munguar gjë gjatë kohës që kanë qenë në Karmel.

Pyet shërbëtorët e tu dhe do të ta thonë. Paçin hirin tënd këta të rinj, sepse kemi ardhur në një ditë gëzimi; jepu, të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd David ç’të kesh mundësi"".

Kështu të rinjtë e Davidit shkuan dhe i njoftuan Nabalit tërë këto fjalë në emër të Davidit, pastaj pritën.

10 Por Nabali iu përgjegj shërbëtorëve të Davidit, duke thënë: "Kush është Davidi dhe kush është biri i Isait? Sot ka shumë shërbëtorë që largohen nga zotërinjtë e tyre.

11 Do të marr, pra, bukën time, ujin tim dhe mishin e kafshëve që kam vrarë për qethësit e mi, për t’ua dhënë njerëzve që unë nuk di se nga vijnë?".

12 Kështu të rinjtë e Davidit morën përsëri rrugën e tyre, u kthyen dhe shkuan të njoftojnë tërë këto fjalë.

13 Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: "Secili do të ngjesh shpatën". Kështu secili ngjeshi shpatën e tij dhe Davidi ngjeshi të vetën; rreth katërqind veta shkuan pas Davidit dhe dyqind mbetën me plaçkat.

14 Por një nga shërbëtorët e lajmëroi Abigailin, gruan e Nabalit, duke thënë: "Ja, Davidi ka dërguar lajmëtarë nga shkretëtira për të përshëndetur zotin tonë, por ai i ka fyer.

15 Mirëpo këta njerëz janë sjellë shumë mirë me ne, nuk na kanë bërë asnjë të keqe dhe nuk ka munguar asgjë në kohën që kemi bredhur bashkë me ta nëpër fusha.

16 Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën për gjithë kohën që kemi kullotur bashkë me ta kopenë tonë.

17 Dije dhe shiko atë që duhet të bësh, sepse ka për t’i ngjarë ndonjë fatkeqësi zotit tonë dhe tërë shtëpisë së tij; ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t’i flasësh".

18 Atëherë Abigaili mori me nxitim dyqind bukë, dy calikë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa gruri të pjekur, njëqind vile rrush të thatë dhe dyqind bukë fiku dhe i ngarkoi mbi gomarë.

19 Pastaj u tha shërbëtorëve të saj: "Shkoni para meje, unë do t’ju ndjek". Por nuk i tha asgjë Nabalit, burrit të saj.

20 Ndërsa ajo po zbriste hipur mbi gomar nëpër një shteg të fshehur nga mali, Davidi dhe njerëzit e tij zbrisnin në drejtim të saj, dhe ajo i ndeshi ata.

21 Davidi kishte thënë: "Kam ruajtur më kot tërë ato që ai njeri kishte në shkretëtirë. Nuk i ka dalë mangut kurrë asgjë nga tërë ato që kishte, por ai ma ktheu të mirën me të keqe.

22 Kështu ua bëftë Perëndia armiqve të Davidit, madje edhe më keq, në rast se nga të gjitha ato që ai zotëron kam për të lënë të gjallë një mashkull të vetëm deri në mëngjes".

23 Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit.

24 Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: "O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë, dhe ti dëgjo fjalët e saj.

25 Të lutem, mos ia vër re atij njeriu të neveritshëm, Nabalit, sepse ai është pikërisht ashtu si e ka emrin, ai quhet Nabal dhe karakterizohet nga budallallëku; por unë, shërbëtorja jote, nuk i kam parë të rinjtë e dërguar nga zotëria im.

26 Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që shpirti yt jeton, Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. Armiqtë e tu dhe ata që duan t’i bëjnë keq zotërisë sime qofshin si Nabali!

27 Dhe tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë sime, t’u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim.

28 Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti.

29 Në rast se del dikush që të të persekutojë dhe të kërkojë jetën tënde, jeta e zotërisë sim do të ruhet në peshtafin e jetës pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë si nga zgavra e një hobëje.

30 Kështu, kur Zoti t’i ketë bërë zotërisë tim të mirat që i ka premtuar dhe të të ketë vënë në krye të Izraelit,

31 kjo gjë nuk do të jetë dhimbje për ty, as edhe një brejtje e ndërgjegjes së zotërisë tim; domethënë të ketë derdhur gjak pa shkak dhe të ketë marrë hak me vetëgjyqësi. Por kur Zoti do t’i bëjë të mira zotërisë tim, kujto shërbëtoren tënde".

32 Atëherë Davidi i tha Abigailit: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje!

33 E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia!

34 Sepse, sigurisht, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, që më ka penguar të të bëjë të keqen, po të mos ishe nxituar të më dilje përpara, në të gdhirë të ditës Nabalit nuk do t’i kishte mbetur asnjë njeri i gjallë".

35 Kështu Davidi mori nga duart e saj ato që ajo kishte sjellë dhe i tha: Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko, unë dëgjova zërin tënd dhe pataa respekt për personin tënd".

36 Abigaili u kthye pastaj te Nabali; ai kishte shtruar banket në shtëpinë e tij, një banket prej mbreti. Nabali e kishte zemrën të gëzuar, ishte i dehur xurxull; prandaj ajo nuk i tha asgjë, as pak as shumë, deri sa gdhiu.

37 Por të nesërmen në mëngjes, kur efekti i verës kishte kaluar, gruaja i tregoi Nabalit këto gjëra; atëherë zemra iu ligështua dhe ai mbeti si një gur.

38 Rreth dhjetë ditë më vonë Zoti e goditi Nabalin dhe ai vdiq.

39 Kur mësoi që Nabali kishte vdekur, Davidi tha: "Qoftë i bekuar Zoti, që më dha hak për fyerjen e rëndë të Nabalit dhe nuk e lejoi shërbëtorin e tij të kryejë ndonjë të keqe! Zoti bëri që të bjerë mbi kokën e tij ligësia e Nabalit". Pastaj Davidi dërgoi një njeri të flasë me Abigailin, me qëllim që ajo të bëhej bashkëshortja e tij.

40 Shërbëtorët e Davidit erdhën te Abigaili në Karmel dhe i folën kështu, duke thënë: "Davidi na ka dërguar te ti, sepse dëshiron të të marrë për grua".

41 Atëherë ajo u ngrit në këmbë, ra përmbys me fytyrën për tokë dhe tha: Ja, t’u bëftë shërbëtorja jote skllave, që t’u lajë këmbët shërbëtorëve tëë zotërisë tim".

42 Pastaj Abigaili u ngrit me nxitim, hipi mbi një gomar dhe, e ndihmuar nga pesë vajza, ndoqi lajmëtarët e Davidit dhe u bë bashkëshortja e tij.

43 Davidi mori edhe Ahinoamin e Jezreelit, dhe që të dyja u bënë bashkëshorte të tij.

44 Por Sauli ia kishte dhënë vajzën e tij Mikal, që ishte gruaja e Davidit, Paltit, birit të Lashit, që ishte nga Galimi.

26 Zifejtë erdhën te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "Mos është fshehur Davidi në kodrën e Hakilahut në kufi me shkretëtirën?".

Atëherë Sauli u ngrit dhe zbriti në drejtim të shkretëtirës së Zifit, duke pasur me vete tre mijë njerëz të zgjedhur të Izraelit, për të kërkuar Davidin në shkretëtirën e Zifit.

Sauli e ngriti kampin e tij në kodrën e Hakilahut, që ndodhet në kufi me shkretëtirën pranë rrugës, ndërsa Davidi gjendej në shkretëtirë. Kur e kuptoi që Sauli vinte për ta kërkuar në shkretëtirë,

Davidi dërgoi disa spiunë dhe mësoi që Sauli kishte arritur me të vërtetë.

Atëherë Davidi u ngrit dhe shkoi në vendin ku Sauli kishte ngritur kampin. Davidi vrojtoi vendin ku ishin shtrirë Sauli dhe Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së tij. Sauli ishte shtrirë në kampin e qerreve dhe njerëzit e tij ishin rreth tij.

Davidi iu drejtua pastaj Hiteut Alimelek dhe Abishait, birit të Tserujahut dhe vëlla i Joabit; dhe u tha atyre: "Kush do të vijë me mua te Sauli në kamp?". Abidshai u përgjegj: "Do të vij unë bashkë me ty".

Kështu Davidi dhe Abishai arritën natën te këta njerëz; dhe ja që Sauli rrinte shtrirë i përgjumur në kampin e qerreve, me shtizën e tij të ngulur në tokë, nga ana e kokës, kurse Abneri dhe njerëzit e tij po flinin rreth tij.

Atëherë Abishai i tha Davidit: "Sot Perëndia të ka dhënë në dorë armikun tënd; prandaj, të lutem, më lejo ta godas me shtizë dhe ta mbërthej në tokë me një të rënë të vetme; nuk do të ketë nevojë për një goditje të dytë".

Por Davidi i tha Abishait: "Mos e vrit; kush me të vërtetë mund të ngrejë dorën kundër të vajosurit të Zotit pa u bërë fajtor?".

10 Pastaj Davidi shtoi: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; o sepse do t’i vijë dita dhe ka për të vdekur, o sepse do të shkojë të luftojë dhe do të vritet.

11 Zoti të më ruajë që të mos e shtyj dorën kundër të vajosurit të Zotit! Tani, të lutem merre shtizën që është pranë kokës së tij dhe enën e ujit dhe të ikim".

12 Kështu Davidi mori shtizën dhe kanën e ujit që ishte pranë kokës së Saulit dhe iku. Asnjeri nuk pa gjë, asnjeri nuk vuri re, asnjeri nuk u zgjua; të gjithë flinin, sepse një gjumë i thellë i dërguar nga Zoti i kishte zënë.

13 Pastaj Davidi kaloi në krahun e kundërt dhe u ndal larg, në majën e malit; kishte një lartësi të madhe midis tyre.

14 Atëherë Davidi u thirri njerëzve të Saulit dhe të Abnerit, birit të Nerit, dhe u tha: "Abner, nuk po përgjigjesh?". Abneri u përgjegj dhe tha: Kush je ti që po i bërtet mbretit??".

15 Davidi i tha kështu Abnerit: "A nuk je një njeri trim? Dhe kush është baraz me ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte mirë mbretin, zotërinë tënde? Njëri nga populli erdhi në fakt për të vrarë mbretin, zotërinë tënde.

16 Ajo që ke bërë nuk është aspak e mirë. Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ju meritoni vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur mirë zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit! Dhe tani shiko ku është shtiza e mbretit dhe kana e ujit që ishte pranë kokës së tij!".

17 Sauli njohu zërin e Davidit dhe tha: "A është zëri yt, o biri im David?". Davidi u përgjegj: "Éshtë zëri im, o mbret, o imzot!".

18 Pastaj shtoi: "Pse zotëria im e persekuton shërbëtorin e tij? Ç’kam bërë? Çfarë të keqe kam kryer?

19 Prandaj tani, të lutem, dëgjo, o mbret, o imzot, fjalët e shërbëtorit tënd. Në rast se Zoti të nxit kundër meje, ai le të pranojë një blatim! Por në rast se janë njerëz, qofshin të mallkuar përpara Zotit, sepse sot më kanë përzënë që të më pengonin të merrja pjesën në trashëgiminë e Zotit, duke më thënë: "Shko t’u shërbesh perëndive të tjera".

20 Tani, pra, gjaku im mos rëntë në tokë larg pranisë të Zotit! Sepse mbreti i Izraelit doli për të kërkuar një plesht, ashtu si gjuajnë një thëllëzë nëpër male".

21 Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar; ktheu, biri im David, sepse nuk do të bëj më asnjë të keqe, sot jeta ime ishte e çmuar në sytë e tua; ja, kam vepruar si një budalla dhe kam gabuar rëndë".

22 Davidi u përgjegj: "Ja, shtiza e mbretit; le të vijë këtu një nga të rinjtë e ta marrë.

23 Zoti do t’i japë secilit simbas drejtësisë dhe besnikërisë së tij; sot në fakt Zoti të kishte dhënë në duart e mia, por unë nuk desha të shtrija dorën time kundër të vajosurit të Zotit.

24 Ashtu si sot jeta jote ka qenë e çmuar në sytë e mi, kështu ka për të qenë e çmuar jeta ime në sytë e Zotit; dhe ai të më largojë çdo fatkeqësi".

25 Atëherë Sauli i tha Davidit: "Qofsh i bekuar, biri im David. Ti do të bësh vepra të mëdha dhe ke për të dalë me siguri fitimtar". Kështu Davidi vazhdoi rrugën e tij dhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet.

27 Davidi tha në zemër të tij: "Një ditë ose një tjetër unë do të vritem nga dora e Saulit; prandaj nuk ka asgjë më të mirë për mua se sa të shpëtoj kokën në vendin e Filistejve; kështu Sauli do të heqë dorë të më kërkojë akoma në të gjithë territorin e Izraelit; kështu do të shpëtoj nga duart e tij".

Prandaj Davidi u ngrit dhe shkoi, bashkë me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete, te Akishi, bir i Maokut, mbret i Gathit.

Kështru Davidi qëndroi me Akishin në Gath, ai vetë dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet; Davidi me dy bashkëshortet e tij: Jezreelitja Ahinoama dhe Karmelitja Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit.

Pastaj i njoftuan Saulit që Davidi kishte ikur në Gath, dhe ai nuk e kërkoi më.

Davidi i tha Akishit: "Në rast se gëzoj hirin tënd, të më jepet një vend në një qytet të fushës ku unë të mund të banoj. Pse duhet që shërbëtori yt të banojë me ty në qytetin mbretëror?".

Kështu atë ditë Akishi i dha Tsiklagun; për këtë arësye Tsiklagu u ka përkitur mbretërve të Judës deri ditën e sotme.

Davidi qëndroi në vendin e Filistejve një vit e katër muaj.

Davidi dhe njerëzit e tij niseshin dhe bënin plaçkitje në vendin e Geshuritëve, të Girzitëve dhe të Amalekitëve; këto popullata banonin prej kohëve të vjetra në këtë vend duke u shtrirë nga Shuri deri në vendin e Egjiptit.

Davidi e shkretonte vendin dhe nuk linte gjallë as burra as gra; pastaj merrte dele, lopë, gomarë, deve dhe rroba, dhe kthehej dhe shkonte tek Akishi.

10 Kur Akishi e pyeste: "Ku keni plaçkitur sot?," Davidi i përgjigjej: Kundër jugut të Judës, kundër jugut të Kenejvee".

11 Davidi nuk linte gjallë as burra as gra, sepse mund të çonin lajme, dhe thoshte: "Mund të japim njoftime mbi ne dhe të thonë: "Kështu ka bërë Davidi"". Kështu veproi ai gjatë gjithë kohës që qëndroi në vendin e Filistejve.

12 Kështu Akishi i besonte Davidit dhe thoshte: "Ai u bë i urrejtshëm nga populli i Izraelit dhe kështu do të jetë gjithmonë shërbëtori im".