Add parallel Print Page Options

21 Pastaj Davidi shkoi në Nob tek prifti Ahimelek; Ahimeleku i doli përpara Davidit duke u dridhur dhe i tha: "Pse je vetëm dhe nuk ka njeri me ty?".

Davidi iu përgjegj priftit Ahimelek: "Mbreti më urdhëroi diçka dhe më tha: "Asnjeri të mos dijë kurrgjë për çështjen për të cilën po të dërgoj dhe për atë që të kam urdhëruar". Njerëzti e mi i kam drejtuar në filan vend.

Dhe tani çfarë ke në dorë? Më jep pesë bukë ose çfarë të kesh".

Prifti iu përgjegj Davidit, duke thënë: "Nuk kam bukë të zakonshme, ka vetëm bukë të shenjtëruar, me kusht që burrat e tu t’u jenë përmbajtur së paku kontakteve me gratë".

Davidi iu përgjegj priftit: "Kemi mbetur pa gra, qysh se jemi nisur, tri ditë më parë; enët e njerëzve të mi janë të pastra; në fakt edhe buka është e zakonshme, megjithëse sot është shenjtëruar në enët".

Kështu prifti i dha bukën e shenjtëruar, sepse aty nuk kishte tjetër bukë veç asaj të paraqitjes, që ishte hequr nga prania e Zotit, për ta zëvendësuar me bukë të ngrohtë në çastin kur hiqet.

Atë ditë ndodhej aty një nga shërbëtorët e Saulit, që qëndronte para Zotit; quhej Doeg, Edomiti, kryebariu i Saulit.

Davidi i tha Ahimelekut: "Mos ke rastësisht për kollaj ndonjë shtizë a një shpatë? Mbasi unë nuk kam marrë me vete as shpatën, as armët e mia, sepse detyra e ngarkuar nga mbreti ishte urgjente".

Prifti u përgjegj: "Éshtë shpata e Goliathit, Filisteut, që ti vrave në luginën e Terebintos; është aty prapa efodit, e mbështjellë me një pëlhurë; në rast se e do, merre, sepse këtu nuk kemi tjetër veç kësaj". Davidi tha: Asnjë nuk ia kalon asaj; nëma!!".

10 Atë ditë Davidi u ngrit dhe iku nga prania e Saulit; ai shkoi në Akish, te mbreti i Gathit.

11 Shërbëtorët e Akishit i thanë: "A nuk është ky Davidi, mbret i vendit? A nuk këndonin në kor për të në valle, duke thënë: "Sauli ka vrarë një mijë të tij dhe Davidi dhjetë mijë të tij"?".

12 Davidi i mbajti në zemër këto fjalë dhe pati frikë të madhe nga Akishi, mbret i Gathit.

13 Kështu ndërroi mënyrën e sjelljes së tij para tye dhe e hiqte veten si të marrë në duart e tyre; bënte shkaravina mbi kanatet e dyerve dhe lëshonte jargë mbi mjekrën e tij.

14 Atëherë Akishi u tha shërbëtorëve të tij: "Ja, e shikoni, ky është i marrë; pse ma keni sjellë?

15 Mos vallë më mungojnë të marrët, dhe ju më sillni këtë për të bërë të marrin në praninë time? Ai nuk ka për të hyrë në shtëpinë time!".

22 Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit; kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan, zbritën aty poshtë tek ai.

Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe o që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta.

Që andej Davidi shkoi në Mitspah të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit: Lejo që ati dhe nëna ime të vijnë dhe të banojnë me ju, deri sa unë tëë mësoj se çfarë do të bëjë Perëndia për mua".

Kështu ai i çoi para mbretit të Moabit, dhe ata qëndruan me të tërë kohën që Davidi ndodhej në fortesë.

Pastaj profeti Gad i tha Davidit: "Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës". Atëherë Davidi u nis dhe shkoi në pyllin e Herethit.

Kur Sauli mësoi që Davidi dhe njerëzit që ishin me të qenë zbuluar (Sauli ndodhej atëherë në Gibeah poshtë nën drurin e marinës në Ramah, me ushtën e tij në dorë dhe të gjithë shërbëtorët e tij e rrethonin).

Sauli u tha shërbëtorëve që i rrinin rreth e qark: "Më dëgjoni tani, Beniaminitë! Biri i Isait do t’ju japë juve ara dhe vreshta. Do t’ju bëjë të gjithëve komandantë të mijëshëve dhe qindëshëve?

Të gjithë ju keni komplotuar, dhe asnjë nga ju nuk më ka informuar për besëlidhjen, që im bir ka lidhur me birin e Isait; dhe nuk ka asnjë prej jush që t’i vijë keq për mua dhe të më njoftojë që im bir ka ngritur kundër meje shërbëtorin tim që të më kurdisë kurthe siç bën sot?".

U përgjegj atëherë Idumei Doeg, që rrinte në krye të shërbëtorëve të Saulit, dhe tha: "Unë e pashë birin e Isait kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, bir i Ahitubit;

10 ky është këshilluar me Zotin lidhur me të, i dha ushqime dhe i dorëzoi shpatën e Filisteut Goliath".

11 Atëherë mbreti dërgoi të thërrasin priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë shtëpinë e atit të tij, priftërinjtë që ishin në Nob; dhe ata erdhën të gjithë te mbreti.

12 Sauli tha: "Tani dëgjo, o bir i Ahitubit!". Ai u përgjegj: Ja ku jam, o imzot".

13 Sauli i tha: "Pse ti dhe biri i Isait keni komlotuar kundër meje, duke i dhënë bukë dhe një shpatë, dhe je këshilluar me Perëndinë lidhur me të, me qëllim që të ngrihet kundër meje dhe të më kurdisë kurthe siç bën sot?".

14 Atëherë Ahimeleku iu përgjegj mbretit, duke thënë: "Po midis gjithë shërbëtorëve të tu kush është besnik si Davidi, dhëndër i mbretit, i gatshëm nën urdhrat e tua dhe i nderuar në shtëpinë tënde?

15 Vallë sot kam filluar të këshillohem me Perëndinë për të? Mos qoftë kurrë, që mbreti të akuzojë për gjëra të tilla shërbëtorin e tij apo dikë nga shtëpia e atit tim, sepse shërbëtori yt nuk dinte asgjë nga tërë kjo, as pak e as shumë".

16 Mbreti tha: "Ti me siguri ke për të vdekur, Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia e atit tënd!".

17 Atëherë mbreti urdhëroi rojet që e rrethonin: "Kthehuni dhe vritni priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata mbajnë anën Davidit dhe e dinin që ai kishte ikur, por nuk më njoftuan". Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të zgjatnin duart për të goditur priftërinjtë e Zotit.

18 Atëherë mbreti i tha Doegut: "Kthehu ti dhe godit priftërinjtë!". Kështu Idumeti Doeg u kthye dhe goditi priftërinjtë; atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë persona që mbanin efodin prej liri.

19 Sauli goditi gjithashtu me shpatë Nobin, qytetin e priftërinjve, burrat, gratë, të vegjëlit, foshnjat e gjirit, lopët, gomarët dhe delet; i vrau të gjithë me shpatë.

20 Megjithatë një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit.

21 Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.

22 Davidi i tha Abiatharit: "Unë e dija mirë atë ditë që Idumeu Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd.

23 Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt.

23 Pastaj i thanë Davidit: "Ja, Filistejtë janë duke luftuar kundër Kejlahut dhe po plaçkisnin lëmenjtë".

Kështu Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "Të shkoj unë t’i mund këta Filistej?". Zoti iu përgjegj me këto fjalë Davidit: "Shko, mundi Filistejtë dhe shpëto Kejlahun".

Por njerëzit e Davidit i thanë: "Ja, ne na ka zënë frika që këtu në Jude, si do të bëhet pastaj në rast se shkojmë në Kejlah kundër trupave të Filistejve?".

Davidi u këshillua përsëri me Zotin dhe Zoti iu përgjegj dhe i tha: Çohu, zbrit në Kejlah, sepse unë do t’i jap Filistejtë në duart e tuaa".

Atëherë Davidi shkoi me njerëzit e tij në Kejlah, luftoi kundër Filistejve, ua mori bagëtinë dhe bëri kërdi të madhe në radhët e tyre. Kështu Davidi çliroi banorët e Kejlahut.

Kur Abiathari, bir i Ahimelekut, u strehua pranë Davidit në Kejlah, solli me vete edhe efodin.

Saulin e njoftuan që Davidi kishte arritur në Kejlah. Atëherë Sauli tha: Perëndia e ka dorëzuar në duart e mia, sepse vajti të mbyllet në një qytett që ka porta dhe shule.".

Sauli mblodhi tërë popullin për luftë, për të zbritur në Kejlah dhe për të rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.

Kur Davidi mësoi që Sauli po kurdiste të keqen kundër tij, i tha priftit Abiathar: "Sille këtu efodin".

10 Pastaj Davidi tha: "O Zot, Perëndi i Izraelit, shërbëtori yt e ka kuptuar qartë që Sauli kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.

11 Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë në duart e tij? A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!". Zoti u përgjegj: "Ka për të zbritur".

12 Davidi pyeti akoma: "Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?". Zoti u përgjegj: "Do t’ju dorëzojnë".

13 Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Kejlahu dhe brodhën sa andej e këtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Kejlahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij.

14 Davidi banoi në fortesa të shkretëtirës dhe qëndroi në krahinën malore të shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Perëndia nuk ia dorëzoi në dorë.

15 Davidi, duke ditur që Sauli ishte nisur për ta vrarë, mbeti në shkretëtirën e Zifit, në pyll.

16 Atëherë Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia.

17 Pastaj i tha: "Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë".

18 Kështu të dy bënë një besëlidhje para Zotit; pas kësaj Davidi mbeti në pyll, kurse Jonathani shkoi në shtëpinë e tij.

19 Pastaj Zifejtë shkuan te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "A nuk rri Davidi i fshehur në fortesa në pyll, mbi kodrën e Hakilahut që ndodhet në jug të shkretëtirës?

20 Prandaj, o mbret, zbrit, sepse gjithë dëshira e shpirtit tënd është të zbresësh; do të mendojmë ne ta dorëzojmë në duart e mbretit".

21 Sauli tha: "Qofshi të bekuar nga Zoti, sepse ju ka ardhur keq për mua!

22 Shkoni, ju lutem, dhe sigurohuni më mirë për të njohur dhe për të parë vendin ku strehohet, dhe kush e ka parë atje, sepse më thonë që ai është shumë dinak.

23 Përpiquni të njihni të gjitha vendet e fshehta ku strehohet; pastaj kthehuni tek unë me lajme të sigurta dhe unë do të vij me ju. Kështu, në qoftë se ai është në atë vend, unë do ta kërkoj midis të gjithë mijërave të Judës".

24 Atëherë ata u ngritën dhe shkuan në Zif, përpara Saulit: por Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të shkretëtirës.

25 Kur Sauli dhe njerëzit e tij shkuan ta kërkojnë, Davidin e kishin lajmëruar; prandaj ai zbriti te shkëmbi dhe mbeti në shkretëtirën e Maonit. Kur e mori vesh Sauli, e ndoqi Davidin në shkretëtirën e Maonit.

26 Sauli ecte mbi një anë të malit, ndërsa Davidi me gjithë njerëzit e tij ecnin në anën tjetër. Kur Davidi po shpejtonte marshimin e tij për t’i shpëtuar Saulit, ndërsa Sauli dhe njerëzit e tij ishin duke rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij për t’i kapur,

27 arriti te Sauli një lajmëtar që tha: "Shpejtohu të vish, sepse Filistejtë kanë pushtuar vendin".

28 Kështu Sauli nuk e ndoqi më Davidin dhe shkoi të përballojë Filistejtë; prandaj ky vend u quajt "shkëmbi i ndarjes".

29 Pastaj që andej Davidi shkoi për t’u vendosur në fortesat e En-Gedit.

24 Kur Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve, i njoftuan sa vijon: "Ja, Davidi është në shkretëtirën e En-Gedit".

Atëherë Sauli mori tre mijë njerëz të zgjedhur nga tërë Izraeli dhe shkoi të kërkojë Davidin dhe njerëzit e tij përballë shkëmbinjve të dhive të egra.

Me të arritur në vathët e deleve gjatë rrugës, ku ndodhej një shpellë, Sauli hyri brenda saj për të bërë një nevojë natyrale. (Davidi dhe njerëzit e tij ishin në fund të shpellës).

Njerëzit e Davidit i thanë: "Kjo është dita gjatë së cilës Zoti të thotë: "Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç’të duash"". Atëherë Davidi u ngrit dhe pa u diktuar preu një cep të mantelit të Saulit.

Por pas kësaj Davidit i rrahu zemra, sepse i kishte prerë cepin e mantelit Saulit.

Kështu u tha njerëzve të tij: "Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit".

Me këto fjalë Davidi i ndali njerëzit e tij dhe nuk i la të hidhen kundër Saulit. Pastaj Sauli u ngrit, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën e tij.

Pas kësaj edhe Davidi u ngrit, doli nga shpella dhe i thirri Saulit, duke thënë: "O mbret, o imzot!". Atëherë Sauli u kthye, dhe Davidi uli fytyrën për tokë dhe u përul.

Davidi i tha Saulit: "Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: "Davidi kërkon të të bëj keq?".

10 Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: "Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit".

11 Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën!

12 Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje.

13 Ashtu si thotë proverbi i lashtë: "Ligësia vjen nga të liqtë". Por unë nuk do ta shtrij dorën time kundër teje.

14 Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Cilin je duke persekutuar? Një qen të ngordhur, një plesht?

15 Zoti le të jetë gjykatës dhe le të sigurojë drejtësi midis meje dhe teje; të ketë mundësinë të shohë dhe të mbrojë çështjen time, të më japë hak, duke më liruar nga duart e tua".

16 Kur Davidi mbaroi së thëni këto fjalë Saulit, ky i tha: "Ky është zëri yt, biri im David?". Dhe Sauli ngriti zërin dhe filloi të qajë.

17 Pastaj i tha Davidit: "Ti je më i drejtë se unë, sepse më ke bërë të mira, kurse unë të kam bërë të këqija.

18 Ti sot tregove qe je sjellë mirë me mua, sepse Zoti më kishte lënë në duart e tua, por ti nuk më vrave.

19 Kur, pra, një njeri takon armikun e tij dhe e lë të shkojë në paqe? Zoti të dhëntë të mira për atë që më ke bërë sot.

20 Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua.

21 Prandaj betomu në emër të Zotit që nuk do t’i vrasësh pasardhësit e mi pas meje dhe nuk do ta fshish emrin tim nga shtëpia e atit tim".

22 Davidi iu betua Saulit. Pastaj Sauli shkoi në shtëpinë e tij, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij u ngjitën në fortesë.