Add parallel Print Page Options

19 Sauli i foli birit të tij Jonathan dhe të gjithë shërbëtorëve të tij që të vritej Davidi. Por Jonathani, bir i Saulit, ndiente një dashuri të madhe për Davidin.

Kështu Jonathani e informoi Davidin, duke i thënë: "Sauli, ati im, kërkon të shkaktojë vdekjen tënde; prandaj nesër në mëngjes ruhu, rri në një vend të fshehtë dhe fshiu.

Unë do të dal dhe do të qëndroj pranë atit tim në fushën ku ndodhesh ti, dhe do t’i flas për ty atit tim. Do të shoh ç’ka për të ndodhur dhe do të njoftoj".

Kështu Jonathani i foli Saulit, atit të tij, në favor të Davidit dhe i tha: "Mbreti të mos bëj mëkat në dëm të shërbëtorit të tij, në dëm të Davidit, sepse ai nuk ka kryer mëkate kundër teje, dhe veprat e tij kanë qenë shumë të vlefshme.

Ai ka vënë në rrezik jetën e tij, kur vrau Filisteun, dhe Zoti ka kryer një çlirim të madh për gjithë Izraelin. Ti e ke parë dhe je gëzuar; pse duhet të mëkatosh kundër gjakut të pafajshëm, duke shkaktuar vdekjen e Davidit pa shkak?".

Sauli dëgjoi zërin e Jonathanit dhe u betua: "Siç është e vërtetë që Zoti rron, ai nuk ka për të vdekur!".

Atëherë Jonathani thirri Davidin dhe i njoftoi tërë këto gjëra. Pastaj Jonathani e shpuri përsëri Davidin te Sauli dhe ai qëndroi në shërbim të tij si më parë.

Filloi përsëri lufta; kështu Davidi doli të luftojë kundër Filistejve dhe i mundi keq; ata ia mbathën para tij.

Por një frym i keq nga ana e Zotit e pushtoi Saulin, ndërsa rrinte në shtëpinë e tij me shtizë në dorë dhe Davidi i binte harpës.

10 Sauli u orvat të gozhdonte Davidin në mur me shtizën e tij, por Davidi iu shmang Saulit, dhe ky e nguli shtizën e tij në mur. Davidi iku po atë natë dhe shpëtoi nga reziku.

11 Atëherë Sauli dërgoi lajmëtarë në shtëpi të Davidit për ta përgjuar dhe për ta vrarë të nesërmen në mëngjes; por Mikal, bashkëshortja e Davidit, e njoftoi për këtë gjë, duke thënë: "Në rast se sonte nuk gjen një vend strehimi, nesër ke për të vdekur".

12 Kështu Mikal e zbriti Davidin nga dritarja dhe ai iku; ia mbathi me vrap dhe shpëtoi.

13 Pastaj Mikal mori idhullin e shtëpisë dhe e vuri në shtrat, në vend të kokës vuri një mbulesë prej leshi të dhisë dhe e mbuloi me një pëlhurë.

14 Kur Sauli dërgoi lajmëtarët e tij për të marrë Davidin, ajo tha: "Éshtë i sëmurë".

15 Atëherë Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të parë Davidin dhe u tha atyre: "Ma sillni me shtratin e tij që unë të shkaktoj vdekjen e tij".

16 Kur arritën lajmëtarët, në shtrat ishte idhulli i shtëpisë, me një mbulesë prej leshi të dhisë në vend të kokës.

17 Atëherë Sauli i tha Mikalit: "Pse më mashtrove në këtë mënyrë dhe bëre të ikë armiku im, duke e lejuar të shpëtojë?". Mikal iu përgjegj Saulit: "Ai më tha: "Lermë të ikij, përndryshe të vrava"".

18 Davidi iku, pra, dhe shpëtoi kokën; shkoi te Samueli në Ramah dhe i tregoi të gjitha ato që i kishte bërë Sauli. Pas kësaj ai dhe Samueli vajtën të banojnë në Najoth.

19 Këtë gjë ia njoftuan Saulit, i cili tha: "Davidi është në Najoth të Ramahut".

20 Atëherë dërgoi lajmëtarë për të marrë Davidin; por kur këta panë asamblenë e profetëve që profetizonin, nën kryesinë e Samuelit, Fryma e Perëndisë i përshkoi lajmëtarët e Saulit që filluan edhe ata të bëjnë profeci.

21 Këtë ngjarje ia njoftuan Saulit që dërgoi lajmëtarë të tjerë, të cilët gjithashtu filluan të bëjnë profeci. Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të tretën herë, por edhe këta filluan të bëjnë profeci.

22 Atëherë shkoi vetë në Ramah dhe, kur arritën në hauzin e madh që ndodhet në Seku, pyeti: "Ku janë Samueli dhe Davidi?". Dikush iu përgjegj: Ja, ndodhen në Najoth të Ramahutt".

23 Kështu ai shkoi vetë atje, në Najoth të Ramahut, per edhe ai u përshkua nga Fryma e Perëndisë, dhe e vazhdoi udhëtimin e tij duke bërë profeci deri sa arriti në Najoth të Ramahut.

24 Edhe ai i hodhi rrobat e tij dhe bëri profeci përpara Samuelit, dhe qendroi i shtrirë lakuriq për tokë tërë atë ditë dhe tërë atë natë. Prandaj thuhet: "Edhe Sauli figuron midis profetëve?".

20 Davidi iku nga Najothi i Ramahut, shkoi te Jonathani dhe i tha: "Çfarë kam bërë? Cili është faji im dhe cili është mëkati im kundër atit tënd, që ai kërkon jetën time?".

Jonathani iu përgjegj: "Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse im atë të ma fshihte këtë gjë? Nuk është e mundur".

Davidi u betua përsëri dhe tha: "Yt atë e di me siguri që unë gëzoj hirin tënd dhe do të ketë thënë: "Jonathani të mos e dijë këtë, që të mos hidhërohet". Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap".

Jonathani i tha Davidit: "Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty".

Davidi iu përgjegj Jonathanit: "Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë.

Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t’i thuash: "Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij".

Në qoftë se thotë: "Mirë," shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen.

Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?".

Jonathani tha "Larg qoftë ky mendim! Po ta dija që im atë ka vendosur të ta bëjë të keqen, nuk do të ta tregoja ty?".

10 Davidi i tha Jonathanit: "Kush do të më njoftojë në se yt atë të përgjigjet rëndë?".

11 Jonathani i tha Davidit: "Eja, të dalim ndër fusha!". Kështu që të dy dolën jashtë, në fushë.

12 Atëherë Jonathani i tha Davidit: "Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë,

13 Zoti le t’i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim!

14 Deri sa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?".

15 Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit".

16 Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: "Zoti t’u kërkojë llogari armiqve të Davidit për gjakun!".

17 Për hir të dashurisë që kishte për të, Jonathani e vuri përsëri Davidin të betohet, sepse ai e donte si shpirtin e vet.

18 Pastaj Jonathani i tha: "Nesër fillon hëna e re dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të mbetet bosh.

19 Do të lësh të kalojmë tri ditë, pastaj do të zbresësh me të shpejtë dhe do të shkosh në vendin ku u fshehe ditën e ngjarjes, dhe do të rrish pranë gurit të Ezelit.

20 Unë do të hedh tri shigjeta përbri gurit sikur të gjuaja në shenjë.

21 Pastaj do të dërgoj një djalosh, duke i thënë: "Shko të kërkosh shtigjeta". Në rast se i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë nga ana jote, prandaj merri!" atëherë eja sepse, ashtu si Zoti jeton, punët të ecin mbarë ty dhe nuk ka asnjë rrezik.

22 Në qoftë se përkundrazi i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë matanë teje," atëherë shko, sepse Zoti të bën të ikësh.

23 Sa për gjërat për të cilat kemi folur midis nesh, ja, Zoti qoftë dëshmitar midis teje dhe meje për gjithnjë".

24 Kështu Davidi u fsheh nëpër ara; kur filloi hëna e re, mbreti u ul për të ngrënë.

25 Mbreti u ul në karrigen e tij, si herët e tjera, në karrigen pranë murit; Jonathani u ul përballë tij. Abneri u ul pranë Saulit, por vendi i Davidit mbeti bosh.

26 Megjithatë Sauli nuk tha asgjë atë ditë, sepse mendonte: "Do t’i ketë ndodhur diçka; nuk do të jetë i pastër; me siguri ai nuk është i pastër".

27 Por të nesërmen, ditën e dytë të hënës së re, vendi i Davidit ishte akoma bosh. Atëherë Sauli i tha Jonathanit, birit të tij: "Pse biri i Isait nuk erdhi për të ngrënë as dje, as sot?".

28 Jonathani iu përgjegj Saulit: "Davidi më kërkoi me insistim ta lë të shkojë në Betlem;

29 dhe tha: "Të lutem lermë të shkoj, sepse kemi në qytet një flijim në familje, dhe vëllai im më ka detyruar të marr pjesë në të; tani, pra, po të gëzoj hirin tënd, të lutem, lermë të hidhem shpejt për të parë vëllezërit e mi". Për këtë arësye nuk erdhi në tryezën e mbretit".

30 Atëherë zemërimi i Saulit u ndez kundër Jonathanit dhe i tha: "O bir i çoroditur dhe rebel, vallë nuk e di unë që ti mban anën e birit të Isait, për turpin tënd dhe për turpin e lakuriqësisë të nënës sate?

31 Sepse për deri sa biri i Isait do të jetojë mbi tokë, nuk do të ketë qëndrueshmëri as për ty, as për mbretërinë tënde. Prandaj dërgo ta marrin dhe sille tek unë, sepse ai duhet të vdesë.

32 Jonathani iu përgjegj Saulit, atit të tij duke i thënë: "Pse duhet të vdesë? Çfarë ka bërë?".

33 Atëherë Sauli e vërtiti ushtën kundër tij për ta vrarë. Jonathani e kuptoi që vrasja e Davidit ishte diçka e vendosur nga ana e të atit.

34 Kështu Jonathani u ngrit i zemëruar nga tryeza dhe nuk hëngri gjë as ditën e dytë të hënës së re, mbasi ishte i hidhëruar për Davidin, sepse i ati e kishte trajtuar në mënyrë të turpshme.

35 Të nesërmen në mëngjes, Jonathani doli në fushë në vendin e caktuar me Davidin, duke pasur me vete një djalosh.

36 Ai i tha djaloshit: "Vrapo të më sjellësh shigjetat që unë gjuaj". Ndërsa djaloshi vraponte, ai hodhi një shigjetë që kaloi përtej tij.

37 Kur djaloshi arriti në vendin ku ndodhej shigjeta që Jonathani kishte hedhur, Jonathani i bërtiti nga prapa: "Shigjeta, vallë ka rënë matanë teje?".

38 Pastaj Jonathani i bërtiti akoma djaloshit: "Vepro shpejt, mbaro punë, mos u ndal!". Kështu djaloshi i Jonathanit mblodhi shigjetat dhe u kthye tek i zoti.

39 Por djaloshi nuk e dinte asgjë; vetëm Jonathani dhe Davidi e dinin si qëndronte çështja.

40 Pastaj Jonathani ia dha armët e tij djaloshit dhe i tha: "Nisu, çoji në qytet".

41 Me t’u nisur djaloshi, Davidi u ngrit nga krahu jugor, ra përmbys tri herë me fytyrë për tokë; pastaj të dy puthen me njeri tjetrin dhe qanë bashkë; por Davidi qau më tepër.

42 Pastaj Jonathani i tha Davidit: "Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit; Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi". Pastaj Davidi u ngrit dhe iku; dhe Jonathani u kthye në qytet.

21 Pastaj Davidi shkoi në Nob tek prifti Ahimelek; Ahimeleku i doli përpara Davidit duke u dridhur dhe i tha: "Pse je vetëm dhe nuk ka njeri me ty?".

Davidi iu përgjegj priftit Ahimelek: "Mbreti më urdhëroi diçka dhe më tha: "Asnjeri të mos dijë kurrgjë për çështjen për të cilën po të dërgoj dhe për atë që të kam urdhëruar". Njerëzti e mi i kam drejtuar në filan vend.

Dhe tani çfarë ke në dorë? Më jep pesë bukë ose çfarë të kesh".

Prifti iu përgjegj Davidit, duke thënë: "Nuk kam bukë të zakonshme, ka vetëm bukë të shenjtëruar, me kusht që burrat e tu t’u jenë përmbajtur së paku kontakteve me gratë".

Davidi iu përgjegj priftit: "Kemi mbetur pa gra, qysh se jemi nisur, tri ditë më parë; enët e njerëzve të mi janë të pastra; në fakt edhe buka është e zakonshme, megjithëse sot është shenjtëruar në enët".

Kështu prifti i dha bukën e shenjtëruar, sepse aty nuk kishte tjetër bukë veç asaj të paraqitjes, që ishte hequr nga prania e Zotit, për ta zëvendësuar me bukë të ngrohtë në çastin kur hiqet.

Atë ditë ndodhej aty një nga shërbëtorët e Saulit, që qëndronte para Zotit; quhej Doeg, Edomiti, kryebariu i Saulit.

Davidi i tha Ahimelekut: "Mos ke rastësisht për kollaj ndonjë shtizë a një shpatë? Mbasi unë nuk kam marrë me vete as shpatën, as armët e mia, sepse detyra e ngarkuar nga mbreti ishte urgjente".

Prifti u përgjegj: "Éshtë shpata e Goliathit, Filisteut, që ti vrave në luginën e Terebintos; është aty prapa efodit, e mbështjellë me një pëlhurë; në rast se e do, merre, sepse këtu nuk kemi tjetër veç kësaj". Davidi tha: Asnjë nuk ia kalon asaj; nëma!!".

10 Atë ditë Davidi u ngrit dhe iku nga prania e Saulit; ai shkoi në Akish, te mbreti i Gathit.

11 Shërbëtorët e Akishit i thanë: "A nuk është ky Davidi, mbret i vendit? A nuk këndonin në kor për të në valle, duke thënë: "Sauli ka vrarë një mijë të tij dhe Davidi dhjetë mijë të tij"?".

12 Davidi i mbajti në zemër këto fjalë dhe pati frikë të madhe nga Akishi, mbret i Gathit.

13 Kështu ndërroi mënyrën e sjelljes së tij para tye dhe e hiqte veten si të marrë në duart e tyre; bënte shkaravina mbi kanatet e dyerve dhe lëshonte jargë mbi mjekrën e tij.

14 Atëherë Akishi u tha shërbëtorëve të tij: "Ja, e shikoni, ky është i marrë; pse ma keni sjellë?

15 Mos vallë më mungojnë të marrët, dhe ju më sillni këtë për të bërë të marrin në praninë time? Ai nuk ka për të hyrë në shtëpinë time!".

29 Duke qenë se turmat po i shtyheshin përreth, ai filloi të thotë: “Ky brez është i lig; ai kërkon nje shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.

30 Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez.

31 Mbretëresha e Mesditës do të ngrihet ditën e gjyqit me njerëzit e këtij brezi dhe do t’i dënojë, sepse ajo po vjen nga skaji i dheut për të dëgjuar urtësinë e Salomonit; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Salomoni.

32 Ninivasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona.”

33 Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.

34 Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.

35 Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.

36 Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj.”

37 Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.

38 Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.

39 Dhe Zoti i tha: “Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.

40 Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?

41 Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.

42 Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t’i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.

43 Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.

44 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur.”

45 Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: “Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne.”

46 Dhe ai thoshte: “Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.

47 Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.

48 Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.

49 Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t’u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t’i përndjekin,"

50 me qëllim që këtij brezi t’i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:

51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t’i kërkohet llogari.

52 Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin.”

53 Po ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, skribët dhe farisenjtë filluan të zemërohen shumë kundër tij dhe ta sulmojnë atë me shumë pyetje,

54 për t’i ngritur kurthe, për ta zënë në gabim e për të mundur ta akuzojnë për ndonjë fjalë të tij.

Read full chapter