Add parallel Print Page Options

15 Pastaj Samueli i tha Saulit: "Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit.

Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti.

Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë".

Sauli thirri popullin dhe kaloi në parakalim në Telaim; dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë njerëz të Judës.

Sauli erdhi në qytetin e Amalekut dhe zuri pritë në luginë.

pastaj Sauli u tha Kenejve: "Shkoni, tërhiquni, dilni jashtë Amalekitëve, që të mos ju shkatërrojë bashkë me ta, sepse ju u treguat të mëshirshëm me të gjithë bijtë e Izraelit kur po dilnin nga Egjipti". Kështu Kenejtë u tërhoqën nga radhët e Amalekitëve.

Sauli i mundi Amalekitët nga Havilahu deri në Shur, që ndodhet përballë Egjiptit.

Ai e zuri të gjallë Agagun, mbretin e Amalekitëve, dhe vendosi shfarosjen e të gjithë popullit, duke i vrarë me shpatë.

Por Sauli dhe populli kursyen Agagun dhe pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve, të kafshëve të majme, të qengjave dhe të kafshëve më të mira, duke mos vendosur shkatërrimin e tyre; por vendosën zhdukjen e tërë sendeve që ishin të një cilësie të dobët dhe pa asnjë vlerë.

10 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit, duke i thënë:

11 "Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhërat e mia". Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit.

12 Në mëngjes herët Samueli u ngrit për t’i dalë përpara Saulit; por erdhën t’i thonë Samuelit: "Sauli ka shkuar në Karmel, dhe i ka ngritur vetes një monument; pastaj është kthyer duke kaluar tutje dhe ka zbritur në Gilgal".

13 Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: "Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit".

14 Por Samueli tha: "Ç’është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?".

15 Sauli u përgjegj: "Këto janë kafshë që ua kemi marrë Amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t’i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset".

16 Atëherë Samueli i tha Saulit: "Mjaft! Unë do të të tregoj atë që më tha Zoti sonte!". Sauli i tha "Folë".

17 Kështu Samueli tha: "A nuk është vallë e vërtetë që kur ishe i vogël në sytë e tu ishe bërë kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit?

18 Zoti të kishte ngarkuar një mision, duke thënë: "Shko, vendos shfarosjen e mëkatarëve Amalekitë dhe lufto kundër tyre deri sa të shfarosen".

19 Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?".

20 Sauli i tha Samuelit: "Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje Amalekitët.

21 Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t’i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd, në Gilgal".

22 Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.

23 Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret".

24 Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.

25 Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit".

26 Por Samueli iu përgjegj Saulit: "Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin".

27 Ndërsa Samueli po kthehej për të ikur, Sauli i kapi skajin e mantelit të tij që u gris.

28 Atëherë Samueli i tha: "Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti.

29 Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet".

30 Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit; kthehu me mua, që të bie përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd".

31 Kështu Samueli u kthye me Saulin, dhe Sauli ra përmbys përpara Zotit.

32 Pastaj Samueli tha: "Më sillni Agagun, mbretin e Amalekitëve". Agagu shkoi tek ai me qejf. Agagu thoshte: "Me siguri hidhërimi i vdekjes ka kaluar".

33 Samueli i tha: "Ashtu si shpata i la pa fëmijë gratë, kështu edhe nëna jote do të mbetet pa të birin midis grave". Pastaj Samueli e preu copë-copë Agagun përpara Zotit në Gilgal.

34 Pastaj Samueli shkoi në Ramah dhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij, në Gibeahun e tij.

35 Samueli nuk shkoi për ta parë më Saulin deri ditën e vdekjes së tij, sepse Samueli mbante zi për Saulin; dhe Zoti u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit.

16 Zoti i tha Samuelit: "Deri kur do të mbash zi për Saulin, kurse unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Isai, Betlemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij".

Samueli u përgjigj: "Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë". Zoti tha: "Do të marësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: Kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotitt".

Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë".

Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: "Po na vjen në mënyrë paqësore?".

Ai u përgjegj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim.

Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij".

Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën".

Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".

Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".

10 Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre".

11 Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu".

12 Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është".

13 Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah.

14 Fryma e Zotit ishte larguar nga Sauli dhe një frym i keq e terrorizonte nga ana e Zotit.

15 Shërbëtorët e Saulit i thanë "Ja, një frym i keq të shqetëson nga ana e Perëndisë.

16 Zoti ynë të urdhërojë, pra, që shërbëtorët e tu që rrinë përpara teje të gjejnë një njeri që i bie mirë harpës; kur pastaj fryma e keq nga ana e Perëndisë do të të zotërojë, ai do t’i bjerë harpës dhe ti do ta ndjesh veten mirë".

17 Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një njeri që i bie mirë dhe ma sillni".

18 Atëherë një nga shërbëtorët filloi të thotë: Ja, unë pashë një nga bijtë e Isait, Betlemitit, që i bie mirë dhe që është një njeri i fortë dhe trim, i shkathët në luftim, gojëtar i hijshëm; dhe Zoti është me të".

19 Sauli, pra, i dërgoi lajmëtarë Isait për t’i thënë: "Më dërgo birin tënd Davidin, që është me kopenë".

20 Atëherë Isai mori një gomar të ngarkuar me bukë, një calik me verë, një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të tij.

21 Davidi arriti te Sauli dhe hyri në shërbim të tij; Saulit i hyri në zemër dhe e bëri shqyrtar të tij.

22 Sauli dërgoi pastaj t’i thonë Isait: "Të lutem, lëre Davidin në shërbimin tim, sepse ai gëzon hirin tim".

23 Kur fryma e keq nga ana e Perëndisë sundonte mbi Saulin, Davidi merrte harpën dhe i binte; atëherë Sauli e ndjente veten të qetësuar dhe më mirë dhe fryma e keqe largohej prej tij.

25 Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”

26 Dhe ai tha: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?.”

27 Ai duke u përgjigjur tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten.”

28 Jezusi i tha: “U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh.”

29 Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: “Po kush është i afërmi im?.”

30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: “Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.

31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.

32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.

33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.

34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.

35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".

36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.”

37 Dhe ai tha: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.” Atëherë Jezusi i tha: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”

38 Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.

39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.

40 Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.”

41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;

42 por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.”

Read full chapter