A A A A A
Bible Book List

1 i Mbretërve 9 Albanian Bible (ALB)

Mbas përfundimit nga ana e Salomonit të ndërtimit të shtëpisë të Zotit, të pallatit mbretëror dhe të gjitha gjërave që Salomoni dëshironte dhe kishte ndërmend të bënte,

Zoti iu shfaq një herë të dytë Salomonit, ashtu siç i qe shfaqur në Gabaon,

dhe Zoti i tha: "Unë e përmbusha lutjen tënde dhe kërkesën që bëre para meje; kam shenjtëruar këtë tempull që ti ke ndërtuar për t’i vënë emrin tim për gjithnjë; aty do të jenë për gjithnjë sytë dhe zemra ime.

Sa për ty, në qoftë se do të ecësh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, me ndershmëri zemre dhe me drejtësi, duke bërë tërë gjërat që të kam urdhëruar, dhe në rast se do të respektosh statutet dhe dekretet e mia,

unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate mbi Izrael për gjithnjë, ashtu siç ia kisha premtuar Davidit, atit tënd, duke thënë: "Nuk të ka për të munguar kurrë një njeri për t’u ulur mbi fronin e Izraelit".

Por në rast se ju ose bijtë tuaj do të largohen nga unë dhe nuk do të zbatoni urdhërimet dhe statutet e mia që kam vënë para jush dhe do të shkoni t’u shërbeni perëndive të tjera dhe të bini përmbys para tyre,

unë do ta zhduk Izraelin nga faqja e vendit që i kam dhënë dhe nuk do të jem i pranishëm në tempullin që kam shenjtëruar në emrin tim; kështu Izraeli do të bëhet gazi dhe tallja e tërë popujve.

Dhe ky tempull, megjithëse kaq i madhërishëm, do të jetë një vend i shkretë; kushdo që do t’i kalojë afër do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë, dhe ka për të thënë: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë vend dhe këtë tempull?".

Atëherë do t’i përgjigjen: "Sepse kanë braktisur Zotin, Perëndinë e tyre, që i nxori etërit e tyre nga vendi i Egjiptit dhe janë dhënë pas perëndive të tjera, janë përkulur para tyre dhe u kanë shërbyer; për këtë arsye Zoti ka sjellë mbi ta tërë këtë fatkeqësi"".

10 Njëzet vjet pasi Salomoni kishte ndërtuar dy ndërtesat, shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror,

11 (Hirami, mbret i Tiros, e kishte furnizuar Salomonin me gjithë drurin e kedrit dhe të qiparisit dhe me arin që dëshironte), mbreti Salomon i dha Hiramit njëzet qytete në vendin e Galilesë.

12 Hirami erdhi nga Tiro për të parë qytetet që i kishte dhënë Salomoni, por nuk i pëlqyen;

13 dhe tha: "Ç’qytete janë këto që më ke dhënë, o vëllai im?". Dhe i quajti vendi i Kabulit,," emër që përdoret edhe sot e kësaj dite.

14 Pastaj Hirami i dërgoi mbretit njëqind e njëzet talente ari.

15 Ky është raporti i punës së detyruar që mbreti Salomon rekrutoi për të ndërtuar shtëpinë e Zotit, shtëpinë e tij, Milon, muret e Jeruzalemit, Hatsorin, Megidon dhe Gezerin.

16 (Faraoni, mbret i Egjiptit, kishte dalë dhe kishte pushtuar Gezerin, i kishte vënë flakën dhe kishte vrarë Kananejtë që banonin në qytete; pastaj ia kishte dhënë si prikë vajzës së tij, bashkëshortes së Salomonit).

17 Pastaj Salomoni rindërtoi Gezerin, Beth-Horonin e poshtëm,

18 Baalathin dhe Tadmorin në pjesën e shkretë të vendit,

19 të gjitha qytetet e furnizimit që i përkisin Salomonit, qytetet për qerret e tij, qytetet për kalorësit e tij, të gjitha atë që i pëlqyen Salomonit të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin ku sundonte.

20 Tërë njerëzit që mbetën nga Amorejtë, Hitejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë, që nuk ishin bij të Izraelit,

21 domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që Izraelitët nuk kishin arritur t’i shfarosnin, Salomoni i rekrutoi për punë të detyruar deri në ditën e sotme.

22 Por nga bijtë e Izraelit, Salomoni nuk përdori asnjë për punë të detyruar; ata ishin përkundrazi luftëtarët e tij, shërbëtorët e tij, ministrat e tij, princat e tij, kapedanët e tij, komandantët e qerreve dhe e kalorësve të tij.

23 Shefat e nëpunësve që drejtonin punimet e Salmonit ishin pesëqind e pesëdhjetë veta; ata mbikqyrnin njerëzit që kryenin punimet.

24 Mbas kalimit të vajzës së Faraonit nga qyteti i Davidit në shtëpinë që Salomoni i kishte ndërtuar, ky u mor me ndërtimin e Milos.

25 Tri herë në vit Salomoni ofronte olokauste dhe flijime falënderimi mbi altarin që kishte ndërtuar për Zotin dhe digjte temjan mbi altarin që ndodhej para Zotit. Kështu e mbaroi tempullin.

26 Mbreti Salomon ndërtoi edhe një flotë në Etsion-Geber, në afërsi të Elathit, mbi bregun e Detit të Kuq, në vendin e Edomit.

27 Hirami dërgoi mbi anijet e flotës shërbëtorët e tij, marinarë që e njihnin detin, me qëllim që të punonin me shërbëtorët e Salomonit.

28 Ata shkuan në Ofir, ku morën katërqind e njëzet talente ari dhe ia sollën Salomonit.

2 i Kronikave 8 Albanian Bible (ALB)

Njëzet vjet pasi Salomoni ndërtoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij,

Salomoni rindërtoi qytetet që Hirami i kishte dhënë Salomonit dhe bëri që të banojnë në to bijtë e Izraelit.

Salomoni marshoi pastaj kundër Hamath-Tsobahut dhe e pushtoi.

Përveç kësaj rindërtoi Tadmorin në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet e furnizimit që kishte ndërtuar në Hamath.

Rindërtoi Beth-Horonin e sipërm dhe Beth-Horonin e poshtëm, qytete të fortifikuara me mure, porta dhe shufra,

si edhe Baalathin dhe tërë qytetet e furnizimit që i përkisnin Salomonit, të gjitha qytetet e qerreve, qytetet e kalorësisë, me një fjalë të gjitha ato që i pëlqyen të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin që ndodhej nën sundimin e tij.

Tërë njerëzit e mbetur nga Hitejtë, nga Amorejtë, nga Perezejtë, nga Hivejtë dhe nga Jebusejtë, që nuk ishin nga Izraeli,

(domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që Izraelitët nuk kishin mundur t’i shkatërronin) Salomoni i rekrutoi për punë të detyrueshme deri ditën e sotme.

Por nga bijtë e Izraelit Salomoni nuk përdori asnjë si shërbëtor për punimet e tij; këta ishin përkundrazi njerëzit e tij të luftës, krerët e udhëheqësve të tij dhe komandantët e qerreve dhe të kalorësisë së tij.

10 Shefat e nënpunësve të mbretit Salomon që kontrollonin popullin ishin dyqind e pesëdhjetë.

11 Por Salomoni bëri që vajza e Faraonit të ngjitej nga qyteti i Davidit në shtëpinë që kishte ndërtuar për të, sepse mendonte: "bashkëshortja ime nuk duhet të banojë në shtëpinë e Davidit, mbretit të Izraelit, sepse vendet ku ka hyrë arka e Zotit janë të shenjta".

12 Atëherë Salomoni i ofroi olokauste Zotit mbi altarin e Zotit, që ai kishte ndërtuar përpara portikut të tempullit;

13 dhe e bënte këtë në bazë të numrit që kërkohej çdo ditë, duke i ofruar sipas urdhërimeve të Moisiut, të shtunave, kur kishte hënë të re dhe gjatë festave solemne, tri herë në vit, domethënë në festat e bukëve të ndorme, në festat e javëve dhe në festën e kasolleve.

14 Duke iu përmbajtur normave të Davidit, atit të tij, ai vendosi klasat e priftërinjve për shërbimin e tyre, Levitët në funksionet e tyre (të lëvdojnë Zotin dhe të shërbejnë para priftërinjve) sipas detyrave të përditshme, dhe derëtarët sipas klasave të tyre në çdo portë, sepse kështu kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë.

15 Ata nuk u larguan nga urdhëri i mbretit, që u ishte dhënë priftërinjve dhe Levitëve, për çdo gjë dhe për thesaret.

16 Tërë puna e Salomonit ishte e organizuar mirë nga dita që u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit deri sa kjo mbaroi. Kështu shtëpia e Zotit u përfundua.

17 Atëherë mbreti Salomon shkoi në Etsion-Geber dhe në Elath mbi bregun e detit, në vendin e Edomit.

18 Hirami me anë të shërbëtorëve të tij i dërgoi anije dhe shërbëtorë që njihnin detin. Këta shkuan me shërbëtorët e Salomonit në Ofir, morën aty katërqind e pesëdhjetë talenta ari dhe ia çuan mbretit Salomon.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes