Add parallel Print Page Options

Pastaj Salomoni bëri krushqi me Faraonin, mbretin e Egjiptit. U martua me të bijën e Faraonit dhe e çoi në qytetin e Davidit, deri sa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e tij, shtëpinë e Zotit dhe muret rrethuese të Jeruzalemit.

Populli ofronte flijime në vendet e larta, sepse deri në atë ditë nuk ishte ndërtuar akoma një tempull në emër të Zotit.

Salomoni e donte Zotin dhe respektonte statutet e Davidit, atit të tij; megjithatë ofronte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta.

Mbreti shkoi në Gabaon për të ofruar flijime, sepse ky ishte vendi i lartë më i rëndësishëm; dhe mbi këtë altar Salomoni ofroi një mijë olokauste.

Në Gabaon, Zoti i doli në ëndërr natën Salamonit. Perëndia i tha: "Kërko ç’të duash dhe unë do ta jap".

Salamoni u përgjigj: "Ti ke treguar një dashamirësi të madhe ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, sepse ai ecte para teje me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të pastër ndaj teje; ti ke vazhduar të shfaqësh ndaj tij këtë dashamirësi të madhe dhe i ke dhënë një bir që të ulet mbi fronin e tij, siç po ndodh sot.

Tani, o Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem.

Përveç kësaj shërbëtori yt është në mes të popullit që ti ke zgjedhur, një popull i madh, tepër i shumtë për t’u numëruar dhe llogaritur.

Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Kush në fakt mund të administrojë drejtësinë për popullin tënd kaq të madh?".

10 I pëlqeu Perëndisë që Salomoni bëri këtë kërkesë.

11 Atëherë Perëndia i tha: "Me qenë se kërkove këtë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por ke kërkuar zgjuarsi për të kuptuar atë që është e drejtë,

12 ja, unë po bëj atë që ti ke kërkuar: po të jap një zemër të urtë dhe të zgjuar, sa nuk ka pasur asnjëri para teje dhe nuk ka për të dalë askush si ti mbas teje.

13 Po të jap edhe atë që nuk ke kërkuar: pasuri dhe lavdi, kështu që midis mbretërve nuk do të ketë asnjë si ti, për të gjitha ditët e jetës sate.

14 Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t’i zgjatur ditët e tua".

15 Salomoni u zgjua, dhe ja, ishte në ëndërr. Atëherë ai u kthye në Jeruzalem, u paraqit para arkës së besëlidhjes të Zotit, ofroi olokauste dhe flijime falënderimi, dhe shtroi një banket për të tërë shërbëtorët e tij.

16 Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij.

17 Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi.

18 Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave.

19 Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij.

20 Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur.

21 Kur në mëngjes u ngrita për t’i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e kqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur".

22 Atëherë gruaja tjetër tha: "Nuk është e vërtetë; djali im është ai që jeton, dhe yti është ai i vdekur". Por e para nguli këmbë: "Nuk është e vërtetë; yt bir është ai vdekur dhe imi është ai i gjallë". Kështu grindeshin përpara mbretit.

23 Atëherë mbreti tha: "Njëra thotë: "Ai i gjallë është djali im dhe ai i vdekur është yti". Dhe tjetra thotë: "Nuk është e vërtetë; ai i vdekur është djali yt dhe ai i gjallë është imi"".

24 Atëherë mbreti urdhëroi: "Më sillni një shpatë!". Kështu sollën një shpatë para mbretit.

25 Pastaj mbreti urdhëroi: "Ndajeni fëmijën e gjallë në dy pjesë dhe jepini gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës".

26 Atëherë gruaja e fëmijës së gjallë, që e donte shumë fëmijën e vet, i tha mbretit: "Imzot, jepjani asaj fëmijën e gjallë, por mos e vrisni". Tjetra përkundrazi thoshte: "Të mos jetë as imi, as yti; por ndaheni!".

27 Atëherë mbreti u përgjigj duke thënë: "Jepini së parës fëmijën e gjallë dhe mos e vrisni, sepse ajo është nëna e fëmijës".

28 Tërë Izraeli e mësoi vendimin që u dha nga mbreti dhe patën frikë nga mbreti sepse shihnin që dituria e Perëndisë ishte tek ai për të ushtruar drejtësinë.

Mbreti Salomon mbretëronte mbi tërë Izraelin.

Këta ishin funksionarët e tij të lartë: Azariahu, bir i priftit Tsadok,

Elihorefi dhe Ahijahu, bij të Shishas, ishin sekretarë; Jozafati, bir i Ahiludit, ishte kancelier;

Benajahu, bir i Jehojadit, ishte komandant i ushtrisë; Tsadoku dhe Abiathari ishin priftërinjtë;

Azariahu, bir i Nathanit, ishte kryetar i prefektëve; Zabudi, bir i Nathanit, ishte prift dhe këshilltar personal i mbretit.

Ahishari ishte maxhordom dhe Adinorami, bir i Abdas, ishte caktuar për haraçet.

Salomoni kishte dymbëdhjetë prefektë në të gjithë Izraelin, të cilët kujdeseshin për mbajtjen e mbretit dhe të shtëpisë së tij; secili prej tyre ishte ngarkuar për tu kujdesur për një muaj në vit.

Këto janë emrat e tyre: Ben-Hur në krahinën malore të Efraimit;

Ben-Dekjer në Makats, Shaalbim, Beth-Shemesh dhe Elon të Beth-Hananit;

10 Ben-Hesed në Aruboth; Sokothi dhe tërë vendi i Heferit ishin pronë e tij;

11 Ben-Abinabadi, në gjithë krahinën e Dorit; Tafatha, bijë e Salomonit, ishte gruaja e tij;

12 Baana, bir i Ahiludit, kishte Taanakun, Megidon dhe tërë Beth-Shenin, që është pranë Tsarethanit, poshtë Jizreelit, dhe që shtrihet nga Beth-Sheani deri në Abel-Meholahu dhe matanë Jokneamit.

13 Ben-Geber, në Ramoth të Galaadit, kishte fshatrat e Jairit, birit të Manasit, në Galaad, si edhe Argobin në Bashan, gjashtëdhjetë qytete të mëdha me mure dhe shule prej bronzi;

14 Ahinadabi, bir i Idos, në Mahanaim;

15 Ahimatsi, në Neftali; edhe ai kishte për grua Basmethin, një nga bijat e Salomonit;

16 Banahun, bir i Hushait, në Asher dhe në Aloth;

17 Jozafati, bir i Parnahut, në Isakar;

18 Shimei, bir i Elahut, në Beniamin;

19 Geberi, bir i Urit, në vendin e Galaadit, në vendin e Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit; ai ishte i vetmi prefekt që ishte në vend.

20 Juda dhe Izraeli ishin të shumtë si rëra që është në bregun e detit. Ata hanin dhe pinin me gaz.

21 Kështu Salomoni sundone mbi gjithë mbretërinë nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufijtë e Egjiptit. Këta i sillnin haraçe dhe i shërbyen tërë ditët e jetës së tij.

22 Furnizimi ditor i ushqimeve për Salomonin përbëhej nga tridhjetë kore lule dielli dhe gjashtëdhjetë kore mielli të zakonshëm,

23 dhjetë qe të majmë, njëzet qe të kullotës dhe njëqind dele pa llogaritur drerët, gazelat, kapronjtë dhe shpendët e majmë.

24 Ai sundonte gjithë vendin nga kjo anë e Lumit, nga Tifsahu deri në Gaza, mbi tërë mbretërit nga kjo anë e Lumit, dhe jetonte në paqe me të gjithë shtetet kufitare që ishin rreth e qark.

25 Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni.

26 Salomoni kishte gjithashtu dyzet mijë stalla kuajsh për qerret e tij dhe dymbëdhjetë mijë kalorës.

27 Këta prefektë, secili në muajin e tij, merreshin me mbajtjen e mbretit Salomon dhe të gjithë atyre që pranoheshin në tryezën e tij; dhe nuk linin t’u mungonte asgjë.

28 Sillnin edhe elbin dhe kashtën për kuajt dhe mushkat në vendin e duhur, secili sipas urdhrave që kishte marrë.

29 Perëndia i dha Salomonit dituri, zgjuarsi të madhe dhe një mëndje të hollë si rëra që është në bregun e detit.

30 Dhe dituria e Salomonit ia kaloi diturisë të të gjithë bijve të Lindjes dhe tërë diturisë të Egjiptasve.

31 Ai ishte më i ditur se çdo njeri tjetër: më tepër se Ezrahiti Ethan; më tepër se Hemani, se Kakoli dhe se Darda, bijtë e Maholit; dhe fama e tij u përhap në të gjitha kombet e afërta.

32 Shqiptoi tre mijë proverba dhe kantikët e tij qenë një mijë e pesëqind.

33 Foli edhe për drurët, nga kedri i Libanit deri në isopin që mbin nga muri; foli gjithashtu për kafshët, për zogjtë, për rrëshqanorët dhe për peshqit.

34 Nga të gjithë popujt vinin njerëz për të dëgjuar diturinë e Salomonit; ata ishin të dërguar nga tërë mbretërit e dheut që kishin dëgjuar të flitej për diturinë e tij.

Salomoni, bir i Davidit, u forcua shumë në mbretërinë e tij, dhe Zoti, Perëndia i tij, qe me të dhe e bëri jashtëzakonisht të madh.

Salomoni i foli tërë Izraelit, komandantëve të mijesheve dhe të qindsheve, gjyqtarëve, tërë princave të të gjithë Izraelit, të parëve të shtëpive atërore.

Pastaj Salomoni bashkë me tërë asamblenë shkoi në vendin e lartë, që ishte në Gabaon, sepse aty ndodhej çadra e mbledhjes së Perëndisë që Moisiu, shërbëtori i Zotit, kishte ndërtuar në shkretëtirë.

Arkën e Perëndisë, përkundrazi, Davidi e kishte mbartur nga Kirjath-Jearimi në vendin që kishte përgatitur për të; në të vëretë ai kishte ngritur për të një çadër në Jeruzalem.

Altarin prej bronzi, që e kishte bërë Betsaleeli, bir i Urit, që ishte bir i Urit, e vendosi përpara tabernakullit të Zotit. Salomoni dhe asambleja shkuan për të kërkuar Zotin.

Atje Salomoni u ngjit në altarin prej bronzi përpara Zotit, që ishte në çadrën e mbledhjes, dhe mbi të ofroi një mijë olokauste.

Atë natë Perëndia iu shfaq Salomonit dhe i tha: "Më kërko atë që do dhe unë do të ta jap".

Salomoni iu përgjigj Perëndisë: "Ti je treguar shumë dashamirës me Davidin, atin tim, dhe më ke bërë mua të mbretëroj në vend të tij.

Tani, o Zot Perëndi, u realizoftë premtimi yt që i ke bërë Davidit, atit tim, sepse ti me ke bërë mbret mbi një popull të madh si pluhuri i tokës!

10 Më jep, pra, dituri dhe zgjuarsi, që të mund të hyj dhe të dal para këtij populli, sepse kush mund ta qeverisë, vallë, këtë popull të madh tëndin?".

11 Perëndia i tha Salomonit: "Me qenë se kjo ishte gjëja që kishe në zemër dhe nuk më ke kërkuar as pasuri, as mall, as lavdi, as jetën e armiqve të tu dhe as jetë të gjatë, por kërkove për vete diturin dhe zgjuarsin që të mund të qeverisësh popullin tim mbi të cilin të vura mbret,

12 dituria dhe zgjuarsia të janë dhënë. Përveç tyre do të të jap pasuri, mall dhe lavdi, të cilat nuk i ka pasur asnjë mbret para teje dhe nuk do t’i ketë asnjë pas teje".

13 Salomoni u kthye pastaj nga vendi i lartë që ishte në Gabaon, nga çadra e mbledhjes, në Jeruzalem, dhe mbretëroi mbi Izraelin.

14 Salomoni grumbulloi qerre dhe kalorës, dhe pati një mijë e katërqind qerre dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, të cilët i vendosi në qytetet e qerreve dhe pranë mbretit në Jeruzalem.

15 Mbreti veproi gjithashtu në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi dhe ari të ishin të rëndomtë si gurët, dhe kedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fushë.

16 Kuajt e Salomonit importoheshin nga Egjipti dhe nga Kue; tregtarët e mbretit shkonin t’i merrnin në Kue me një çmim të caktuar.

17 Ata sillnin dhe importonin nga Egjipti një qerre për gjashtëqind sikla argjendi dhe një kalë për njëqind e pesëdhjetë. Kështu, me anë të këtyre tregtarëve, ua eksportonin tërë mbretërve të Hitejve dhe të Sirisë.

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.