Add parallel Print Page Options

19 Ashabi i njoftoi Jezebelit tërë ato gjëra që Elia kishte bërë dhe si kisht vrarë me shpatë tërë profetët.

Atëherë Jezebeli i dërgoi një lajmëtar Elias për t’i thënë: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq, në rast se nesër në këtë orë nuk do të të kem bërë ty si një nga ata".

Kur dëgjoi këto fjalë, Elia u ngrit dhe iku për të shpëtuar. Arriti në Beer-Sheba, që i përket Judës, dhe la aty shërbëtorin e tij.

Përkundrazi u fut në shkretëtirë një ditë rrugë, shkoi të ulet poshtë një gjinestre dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi".

Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjinestrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha".

Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe piu, pastaj përsëri u shtri.

Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty".

Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet netë deri sa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Atje hyri në një shpellë dhe aty kaloi natën. Dhe ja, fjala e Zotit iu drejtua dhe i tha: "Ç’bën këtu Elia?".

10 Ai u përgjigj: "Më nxiti një zili e madhe për Zotin, Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët e tu dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata kërkojnë të më vrasin".

11 Perëndia i tha: "Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit". Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet.

12 Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël.

13 Sa e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me mantelin, doli dhe u ndal në hyrje të shpellës; dhe ja, një zë i tha: Ç’bën aty Elia?".

14 Ai u përgjigj: "U nxita nga një zili e madhe për Zotin, për Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin".

15 Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë.

16 Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd.

17 Kështu që ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit, do të vritet nga Jehu; dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu.

18 Por kam lënë në Izrael një tepricë prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kanë puthur me buzët e tyre".

19 Elia u nis që andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, ndërsa lëronte me dymbëdhjetë pendë qe para tij, dhe ai vetë gjendej me pendën e dymbëdhjetë. Elia i kaloi afër dhe i hodhi sipër mantelin e tij.

20 Atëherë Eliseu la qetë dhe vrapoi pas Elias, duke thënë: "Të lutem, më lër të shkoj të puth atin tim dhe nënen time, pastaj do të të ndjek". Elia iu përgjigj: "Shko dhe kthehu, sepse ç’të kam bërë?".

21 Me t’u larguar nga ai, Eliseu mori një pendë qe dhe i ofroi si flijim; me veglat e qeve poqi mishin dhe ua dhe njerëzve, që e hëngrën. Pastaj u ngrit, shkoi pas Elias dhe u vu në shërbim të tij.

20 Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, mblodhi tërë ushtrinë e tij; me të ishin tridhjetë e dy mbretër me kuaj dhe qerre; pastaj u nis, rrethoi Samarinë dhe e sulmoi.

Pastaj i dërgoi lajmëtarë në qytet Ashabit, mbretit të Izraelit, për t’i thënë:

"Kështu thotë Ben-Hadadi: "Argjendi dhe ari yt janë të mitë, po kështu bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu më të mirë janë të mitë"".

Mbreti i Izraelit u përgjigj: "Éshtë ashtu si thua ti, o mbret, o imzot; unë dhe tërë ato që kam jemi të tutë".

Lajmëtarët e kthyen përsëri dhe thanë: "Kështu flet Ben-Hadadi: "Unë të çova fjalë se duhet të më japësh argjendin dhe arin tënd, gratë e tua dhe bijtë e tu;

por nesër, në këtë orë, do të dërgoj te ti shërbëtorët e mi, të cilët do të bastisin shtëpinë tënde dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tu; ata do të marrin të gjitha gjërat që janë me të shtrenjta për ty"".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri tërë pleqtë e vendit dhe u tha: Shikoni, ju lutem, se si ky njeri kërkon shkatërrimin tonë, sepse më kaa dërguar të kërkojë gratë e mia dhe bijtë e mi, argjendin dhe arin tim, dhe unë nuk i kam refuzuar asgjë".

Tërë pleqtë dhe tërë populli thanë: "Mos e dëgjo dhe mos prano".

Ashabi iu përgjigj pastaj lajmëtarëve të Ben-Hadadit: "I thoni mbretit, zotit time: "Të gjitha gjërat që i kërkove shërbëtorit tënd herën e parë do t’i bëj, por këtë nuk mund ta bëj"". Kështu lajmëtarët shkuan t’i njoftojnë përgjigjen Ben-Hadadit.

10 Atëherë Ben-Hadadi i çoi fjalë Ashabit: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq në rast se pluhuri i Samarisë do të mjaftojë që të mbushin grushtat tërë njerëzit që më pasojnë!".

11 Mbreti i Izraelit u përgjigj: "I thoni: "Ai që ka armaturën në trup të mos lavdërohet si ai që e heq"".

12 Kur Ben-Hadadi mori këtë përgjigje, ai ndodhej bashkë me mbretërit duke pirë në çadrat, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Bëhuni gati për mësymje!". Kështu ata u përgatitën për të sulmuar qytetin.

13 Por ja që një profet iu afrua Ashabit, mbretit të Izraelit, dhe i tha: Kështu thotë Zoti: "E shikon këtë turmë të madhe? Ja, që sot unë do ta lë në dorën tënde dhe kështu do të mësosh që unë jam Zoti"".

14 Ashabi i tha: "Me anë të kujt?". Ai u përgjigj: "Kështu thotë Zoti: "Me anë të të rinjve në shërbim të krerëve të krahinave"". Ashabi tha: Kush do ta fillojë betejën?". Profeti u përgjigj: "Ti".

15 Atëherë Ashabi kaloi në revistë të rinjtë që ishin në shërbim të krerëve të krahinave; ata ishin dyqind e tridhjetë e dy veta. Pastaj kaloi në revistë tërë popullin, tërë bijtë e Izraelit; ishin shtatë mijë veta.

16 Në mesditë bënë një dalje, ndërsa Ben-Hadadi ishte duke pirë dhe duke u dehur bashkë me tridhjetë e dy mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë.

17 Të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën të parët. Ben-Hadadi dërgoi njerëz për të parë dhe ata i njoftuan: "Nga Samaria kanë dalë disa njerëz".

18 Mbreti tha: "Në rast se kanë dalë me qëllime paqësore, i zini të gjallë; në qoftë se kanë dalë për të luftuar, i zini gjithashtu të gjallë".

19 Kështu të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën nga qyteti bashkë me ushtrinë që i pasonte,

20 dhe secili prej tyre vrau nga një njeri. Kështu Sirët ua mbathën këmbëve dhe Izraelitët i ndoqën; dhe Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, iku me kalë bashkë me disa kalorës.

21 Edhe mbreti i Izraelit mori pjesë në luftimet, shkatërroi kuaj dhe qerre dhe u shkaktoi Sirëve një disfatë të madhe.

22 Atëherë profeti iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: "Shko, përforcohu dhe mendo mirë atë që duhet të bësh, sepse mbas një viti mbreti i Sirisë do të të sulmojë".

23 Shërbëtorët e mbretit të Sirisë i thanë: "Perëndia i tyre është Perëndia i maleve; prandaj ata qenë më të fortë se ne; por në rast se ndeshemi në fushë, ne do të jemi me siguri më të fortë.

24 Prandaj vepro kështu: tërë mbretërve hiqua komandën që kanë dhe në vend të tyre cakto kapedanë.

25 Mblidh një ushtri baras me atë që ke humbur, me po aq kuaj dhe qerre; pastaj do të ndeshemi në fushë dhe me siguri do të jemi më të fortë se ata". Ai pranoi këshillën e tyre dhe veproi ashtu siç i thanë.

26 Pas një viti Ben-Hadadi kaloi në revistë Sirët dhe doli në drejtim të Afekut për të luftuar Izraelin.

27 Edhe bijtë e Izraelit u thirrën për t’u mbledhur dhe u furnizuan me ushqime; pastaj u nisën kundër Sirëve dhe ngritën kampin e tyre përballë tyre; dukeshin si dy kope të vogla dhish, ndërsa Sirët e kishin mbushur vendin.

28 Atëherë një njeri i Perëndisë iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: Kështu thotë Zoti: "Me qenë se Sirët kanë thënë: Zoti është Perëndia i maleve dhe nuk është Perëndia i luginave unë do të jap në duart e tua tërë këtë mizëri të madhe; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti"".

29 Shtatë ditë me radhë qëndruan në kampet e tyre njeri përballë tjetrit, por ditën e shtatë filloi beteja dhe bijtë e Izraelit vranë brenda një dite të vetme njëqind mijë këmbësorë sirë.

30 Ata që shpëtuan ikën në qytetin e Afekut, ku muret ranë mbi njëzet e shtatë mijë prej tyre. Edhe Ben-Hadadi iku dhe shkoi në qytet përt’u fshehur në një dhomë të brendshme.

31 Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, kemi dëgjuar të thuhet që mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë zemërbutë; prandaj të veshim thasë dhe të vëmë litarë në qafë dhe të dalim të presim mbretin e Izraelit; ndofta ai ka për të na lënë të gjallë".

32 Kështu ata u veshën me thasë dhe vunë litarë në qafë, shkuan te mbreti i Izraelit dhe i thanë: "Shërbëtori yt Ben-Hadadi thotë: "Të lutem, lërmë të gjallë"". Ashabi u përgjigj: "Éshtë ende gjallë? Ai është vëllai im".

33 Këta njerëz e muarrën këtë si shenjë të mbarë dhe nxituan të kërkonin vërtetimin e kësaj thënie, duke thënë: "Ben-Hadadi është, pra, vëllai yt!". Ai u përgjigj: "Shkoni ta merrni". Kështu Ben-Hadadi shkoi te Ashabi, që e hipi në qerren e tij.

34 Atëherë Ben-Hadadi i tha: "Unë do të të kthej qytetet që ati im i hoqi atit tënd; dhe kështu ti do të vendosësh tregje në Damask, ashtu si kishte bërë im atë në Samari". Ashabi i tha: "Me këtë kusht do të të lë të ikësh"; kështu Ashabi lidhi një besëlidhje me të dhe e la të ikë.

35 Atëherë një nga bijtë e profetëve i tha shokut të tij me urdhër të Zotit: "Më godit!". Por ky nuk pranoi ta godasë.

36 Atëherë i pari i tha: "Me qenë se nuk iu binde zërit të Zotit, sapo të largohesh nga unë një luan do të të vrasë". Kështu, me t’u larguar nga ai, doli një luan dhe e vrau.

37 Pastaj profeti gjeti një njeri dhe i tha: "Më godit!". Ky e rrahu dhe e plagosi.

38 Atëherë profeti shkoi ta presë mbretin në rrugë, duke u maskuar me një rryp pëlhure mbi sytë.

39 Kur po kalonte mbreti, i thirri dhe i tha: "Shërbëtori yt u fut në mes të betejës, kur dikush u tërhoq mënjanë dhe më solli një njeri, duke më thënë: "Ruaje këtë njeri; në rast se vritet, do ta paguash me jetën tënde ose do të paguash një talent argjendi".

40 Ndërsa shërbëtori yt ishte i zënë sa andej e këtej, ai person u zhduk". Mbreti i Izraelit i tha: "Ja vendimi yt; e ke shqiptuar ti vetë".

41 Atëherë ai hoqi me nxitim nga sytë rripin e përlhurës dhe mbreti i Izraelit e pa që ishte një nga profetët.

42 Pastaj profeti i tha mbretit: "Kështu thotë Zoti: "Me qenë se e le të të shpëtojë nga dora njeriun që kisha caktuar të shfarosej, jeta jote ka për tu paguar për të tijën dhe populli yt për popullin e tij".

43 Kështu mbreti i Izraelit u kthye në shtëpinë e tij i hidhëruar dhe i zemëruar, dhe shkoi në Samari.

23 Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.

Dhe filluan ta paditin duke thënë: “Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t’i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti.”

Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?.” Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Ti po thua.”

Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: “Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri.”

Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: “Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu.”

Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.

Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.

Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.

Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.

10 Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.

11 Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.

12 Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.

13 Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,

14 dhe u tha atyre: “Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,

15 dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.

16 Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj.”

17 Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.

18 Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: “Vraje këtë dhe na liro Barabën.”

19 Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.

20 Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.

21 Por ata bërtitnin duke thënë: “Kryqëzoje!.”

22 Për të tretën herë ai u tha atyre: “Po ç’të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj.”

23 Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.

24 Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin.

25 Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.

Read full chapter