Add parallel Print Page Options

A s’jam unë apostull? A s’jam unë i lirë? Po a nuk e pashë Jezu Krishtin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?

Në qoftë se për të tjerët nuk jam apostull, së paku për ju unë jam; sepse ju jeni vula e apostullimit tim në Zotin.

Kjo është mbrojtja ime ndaj atyre që më hetojnë.

A nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë?

A nuk kemi edhe ne të drejtë të marrim me vete një bashkëshorte, që të jetë motër në besim, sikurse edhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, edhe Kefa?

Apo vetëm unë dhe Barnaba nuk kemi të drejtë të mos punojmë?

Kush, vallë, shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush mbjell vresht dhe nuk ha nga fryti i tij? Kush kullot një tufë dhe nuk ha nga qumështi i tufës?

A i them këto si njeri? A nuk i thotë këto edhe ligji?

Sepse në ligjin e Moisiut është shkru-ar: “Mos ia lidh gojën kaut që shin.” A u merrka Perëndia me qetë, vallë?

10 Apo e thotë këtë për ne? Vërtetë për ne janë shkruar, sepse kush lëron duhet të lërojë me shpresë, dhe kush shin, duhet të shijë me shpresë që të marrë atë që shpreson.

11 Në qoftë se ne kemi mbjellë midis jush gjërat frymërore, a është gjë e madhe nëse korrim të mirat tuaja materiale?

12 Në qoftë se të tjerë kanë pjesë të kësaj të drejte mbi ju, a nuk do ta kishim ne shumë më tepër? Po ne nuk e përdornim këtë të drejtë; po durojmë çdo gjë, për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit.

13 Nuk e dini ju se ata që kryejnë shërbesën e shenjtë hanë nga gjërat e tempullit, dhe ata që i shërbejnë altarit marrin pjesë nga të mirat e altarit?

14 Kështu edhe Zoti urdhëroi që ata që shpallin ungjillin, nga ungjilli të rrojnë.

15 Por unë nuk përdora asnjë nga këto gjëra as nuk i shkrova, që kështu të më bëhet, sepse për mua është më mirë të vdes se sa dikush ta bëjë të kotë të mburrurit tim.

16 Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!

17 Sepse, po e bëra këtë vullnetarisht, do të kem një pagë; por po ta bëj kundër dëshirës, mbetet gjithnjë një detyrë që më është besuar.

18 Cila, pra, është paga ime? Që, duke predikuar ungjillin ta bëj ungjillin të ofruar falas, pa e përdorur për keq pushtetin tim në ungjillin.

19 Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz.

20 Kështu e kam bërë vetën time Jude me Judenjtë për t’i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t’i fituar ata që janë nën ligj;

21 me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj.

22 E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.

23 Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjestar i tij.

24 A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni.

25 Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet.

26 Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën;

27 madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.

10 Sepse, o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos edini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det,

dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det,

të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror,

dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti.

Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë.

Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata,

dhe që të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: “Populli u ul që të hajë dhe të pijë, dhe u ngrit për të luajtur.”

Dhe të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë.

Dhe të mos e tundojmë Krishtin, ashtu si e tunduan disa nga ata dhe u vranë nga gjarpërinjtë.

10 Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi.

11 Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shëmbull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët.

12 Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë.

13 Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni.

14 Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria.

15 Po ju flas si të mënçur, gjykojeni ju atë që them:

16 kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?

17 Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.

18 Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit?

19 Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka?

20 Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët.

21 Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve.

22 A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai?

23 Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka është dobishme; gjithçka më lejohet, por jo çdo gjë ndërton.

24 Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.

25 Hani çdo gjë që shitet te kasapi, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes,

26 sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”

27 Dhe në qoftë se ndonjë jobesimtar ju fton dhe ju doni të shkoni, hani çdo gjë që t’u vihet përpara, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes.

28 Por në qoftë se dikush ju thotë: “Kjo është nga flijim idhujsh,” mos hani, për atë që ju paralajmëroi dhe për shkak të ndërgjegjes, sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”

29 Dhe them ndërgjegje, por jo tënden, por të tjetrit. Sepse përse të gjykohet liria ime nga ndërgjegja e një tjetri?

30 Në qoftë se unë marr pjesë me falenderim, pse të shahem për atë gjë, për të cilin falenderoj?

31 Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.

32 Mos u bëni shkak skandali as për Judenj, as për Grekë, as për kishën e Perëndisë;

33 sikurse edhe unë vetë përpiqem t’u pëlqej të gjithëve në çdo gjë, nuk kërkoj përfitimin tim, por të të shumtëve, që të shpëtohen.

11 Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.

Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.

Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.

Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij.

Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar.

Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.

Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit,

sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri,

edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.

10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.

11 Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin,

12 sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia.

13 Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t’i lutet Perëndisë pa u mbuluar?

14 Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?

15 Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.

16 Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s’kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.

17 Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen.

18 Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj.

19 Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar.

20 Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit,

21 sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur.

22 A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s’kanë asgjë? Çfarë t’ju them juve? T’ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.

23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën

24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.”

25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim.”

26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.

27 Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.

28 Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,

29 sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.

30 Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.

31 Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.

32 Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.

33 Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin.

34 Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t’i rregulloj.