Add parallel Print Page Options

Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet.

Dhe ju u krekosët e madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë.

Dhe unë, megjithëse nuk jam aty me trup, me frymë aty jam, dhe, sikur të isha i pranishëm, kam gjykuar tanimë atë që bëri këtë.

Në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, mbasi të mblidheni ju bashkë me frymën time, me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht,

vendosa që ti dorëzohet ky njeri në dorë të Satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus.

Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun gjithë brumin?

Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.

Prandaj le të kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës.

Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë,

10 dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota.

11 Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpi-fës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë.

12 Sepse a më takon mua të gjykoj edhe ata që janë jashtë? A nuk i gjykoni ju të brendshmit?

13 Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj.

A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?

A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?

A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!

Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.

Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?

Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.

Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?

Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.

A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,

10 as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

11 Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.

12 Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës.

13 Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin.

14 Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.

15 A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu!

16 A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm.”

17 Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të.

18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.

19 A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?

20 Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.

Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua.

Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.

Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.

Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.

Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t’i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.

Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim,

sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu.

Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë,

por në qoftë se s’kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh.

10 Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri,

11 dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.

12 Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.

13 Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë,

14 sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.

15 Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe.

16 Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?

17 Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat.

18 A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet.

19 Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.

20 Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.

21 A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.

22 Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.

23 Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.

24 Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.

25 Por për sa u takon virgjëreshave, s’kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm.

26 Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme.

27 Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua.

28 Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t’ju kursej juve.

29 Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë;

30 dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim;

31 dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.

32 Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t’i pëlqejë Zotit;

33 por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë gruas së tij.

34 Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë burrit.

35 Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t’ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t’i kushtoheni Zotit pa u shkëputur.

36 Por nëqoftëse dikush mendon të sillet në mënyrë të pahijshme ndaj virgjëreshës së tij, kur asaj i kalon lulja e kohës, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë çfarë të dojë; le të martohen.

37 Por ai që është i qëndrueshëm në zemër të vet dhe që nuk i nënshtrohet nevojës, por është zot i vullnetit të vet dhe e ka vendosur në zemër të vet të ruajë virgjëreshën e tij, bën mirë.

38 Prandaj ai që marton bën mirë, ai që nuk e marton bën edhe më mirë.

39 Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin.

40 Por, sipas gjykimit tim, ajo është më e lumtur, po mbeti ashtu; dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.

Për sa u përket flijimeve për idhujt, ne e dime se të gjithë kemi njohuri; njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.

Në qoftë se dikush mendon se di diçka, ai nuk di ende asgjë sikundër duhet të dijë.

Por në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.

Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një.

Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër),

për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij.

Por njohuria nuk është në të gjithë; madje disa, të ndërgjegjshëm për idhullin, hanë gjëra posi të flijuara idhujve; dhe ndërgjegja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet.

Por të ngrënit nuk na çon te Perëndia; po të hamë, nuk fitojmë asgjë më tepër dhe, po të mos hamë, s’kemi gjë më pak.

Por kini mendjen se mos kjo liri që keni të bëhet pengesë për të dobëtit.

10 Sepse, në qoftë se dikush të sheh ty, që ke njohuri, të ulur në tryezë në një tempull idhujsh, ndërgjegja e tij, që është e dobët, a nuk do të marrë guxim që ai të hajë gjërat e flijiuara për idhujt?

11 Edhe kështu, për shkak të njohurisë sate, do të humbasë vëllai yt i dobët, për të cilin vdiq Krishti.

12 Dhe, kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve, duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit.

13 Prandaj, në qoftë se një ushqim skandalizon vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos e skandalizoj vëllanë tim.