1 i Kronikave 18-20
Albanian Bible
18 Mbas këtyre ngjarjeve, Davidi mundi Filistejtë dhe i poshtëroi, duke u hequr nga dora Gathin dhe fshatrat përreth tij.
2 Ai mundi gjithashtu Moabitët; dhe Moabitët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit.
3 Davidi mundi përveç tyre Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, deri në Hamath, ndërsa ai shkonte për të vendosur sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.
4 Davidi i mori një mijë qerre, i kapi shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi preu gjithashtu kërcinjtë e tërë kuajve, por kurseu mjaft për njëqind qerre.
5 Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë Sirë.
6 Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut, dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që ai shkonte.
7 Davidi mori mburojat e arta që shërbëtorët e Hadarezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.
8 Davidi mori edhe një sasi të madhe bronzi në Tibhath dhe në Kun, qytete të Hadarezerit. Me të Salomoni ndërtoi detin prej bronzi, shtyllat dhe veglat prej bronzi.
9 Kur Tou, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadarezerit, mbretit të Tsobahut,
10 i dërgoi mbretit David Hadoramin, birin e tij, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse kishte luftuar kundër Hadarezerit dhe e kishte mundur (Hadarezeri ishte gjithnjë në luftë me Toun); dhe Hadorami pruri me vete lloj-lloj enësh ari, argjendi dhe bronzi.
11 Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu si kishte bërë me argjendin dhe me arin që u kishte marrë tërë kombeve, domethënë Edomitëve, Moabitëve, Amonitëve, Filistejve dhe Amalekitëve.
12 Përveç kësaj Abishai, bir i Tserujahut, mundi tetëmbëdhjetë mijë Edomitë në luginën e Kripës.
13 Vendosi garnizone edhe në Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që shkonte.
14 Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke shqiptuar gjykime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij.
15 Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafati, bir i Ahikudit, ishte arkivist;
16 Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Abimeleku, bir i Abiatharit, ishin priftërinj; Shavsha ishte sekretar;
17 Benajahu, bir i Jehojadait, ishte kryetar i Kerethejve dhe i Pelethejve; bijtë e Davidit ishin të parët në krah të mbretit.
19 Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që Nahashi, mbret i bijve të Amonit, vdiq dhe i biri mbretëroi në vend të tij.
2 Davidi tha: "Unë dua të përdor me Hanunin, birin e Nahashit, po atë dashamirësi që i ati ka treguar ndaj meje". Kështu Davidi dërgoi lajmëtarë për ta ngushëlluar për humbjen e atit të tij. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën ne vendin e bijve të Amonit te Hanuni për ta ngushëlluar,
3 krerët e bijve të Amonit i thanë Hanunit: "Ti beson që Davidi të ka dërguar ngushëllues për të nderuar atin tënd? Shërbëtorët e tij a nuk kanë ardhur vallë për të vëzhguar, për të shkatërruar dhe për të spiunuar vendin?".
4 Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, i detyroi të rruhen dhe të presin rrobat për gjysmë deri në mollaqet, pastaj i la të shkonin.
5 Ndërkaq disa shkuan të njoftojnë Davidin për atë që u kishte ndodhur këtyre njerëzve; atëherë Davidi dërgoi njerëz për t’i takuar, sepse ata ishin krejt të turpëruar. Mbreti porositi që t’u thonë atyre: "Qëndroni në Jeriko sa t’ju rritet mjekra, pastaj do të ktheheni".
6 Kur bijtë e Amonit e kuptuan se kishin shkaktuar urrejtjen e Davidit, Hanuni dhe Amonitët dërguan një mijë talenta argjendi për të rekrutuar në shërbimin e tyre qerre dhe kalorës nga Mesopotamia, nga Sirët e Maakahut dhe nga Tsobahu.
7 Rekrutuan gjithashtu tridhjetë e dy mijë qerre dhe mbretin e Maakahut me gjithë popullin tij, që fushuan përballë Medebas. Ndërkaq bijtë e Amonit ishin mbledhur nga qytetet e tyre për të marrë pjesë në luftë.
8 Kur Davidi e dëgjoi këtë, dërgoi kundër tyre Joabin dhe tërë ushtrinë e njerëzve trima.
9 Bijtë e Amonit dolën dhe u renditën për betejë në portën e qytetit, ndërsa mbretërit që kishin ardhur në ndihmë të tyre rrinin mënjanë në fushë.
10 Kur Joabi e kuptoi që kishte kundër tij dy fronte beteje, njeri pëpara dhe tjetri prapa, zgjodhi nga njerëzit më të mirë të Izraelit dhe i vendosi në rend beteje kundër Sirëve;
11 pjesën tjetër të popullit e vendosi nën urdhrat e vëllait të tij Abishai; këta u renditën kundër bijve të Amonit;
12 pastaj i tha: "Në rast se Sirët janë më të fortë se unë, ti do të më vish në ndihmë; por në rast se bijtë e Amonit janë më të fortë se ti, atëherë do të vij unë të të ndihmoj.
13 Tregohu trim dhe të jemi të fortë për popullin tonë dhe për qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen".
14 Pastaj Joabi me njerëzit që kishte me vete shkoi përpara për t’u ndeshur me Sirët; por këta ikën para tij.
15 Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, edhe ata ua mbathën para Abishait, vëllait të Joabit, dhe u kthyen në qytet. Atëherë Joabi u kthye në Jeruzalem.
16 Sirët, duke qenë se ishin mundur nga Izraeli, dërguan lajmëtarë dhe prunë Sirët që ishin matanë lumit. Në krye të tyre ishte Shofaku, komandanti i ushtrisë të Hadarezerit.
17 Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin, marshoi kundër tyre dhe u vendos në rend beteje kundër tyre. Sapo Davidi u rreshtua në rend beteje kundër Sirëve, këta e filluan menjëherë betejën.
18 Por Sirët ua mbathën para Izraelit; dhe Davidi vrau shtatë mijë kalorës dhe dyzet mijë këmbësorë Sirë; vrau gjithashtu Shofakun, komandantin e ushtrisë.
19 Kur shërbëtorët e Hadarezerit panë se ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Davidin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët nuk deshën më t’u vinin në ndihmë bijve të Amonit.
20 Me fillimin e vitit të ri, në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Joabi u vu në krye të një ushtrie të fuqishme dhe shkretoi vendin e bijve të Amonit; pastaj shkoi të rrethojë Rabahun, ndërsa Davidi qëndroi në Jeruzalem; Joabi mundi Rabahun dhe e shkatërroi.
2 Atëherë Davidi i hoqi kurorën nga koka e mbretit të tyre dhe pa që ajo peshonte një talent ari, dhe në të kishte gurë të çmuar; ajo pastaj u vu mbi kryet e Davidit. Përveç kësaj nga ai qytet ai mori një plaçkë shumë të madhe.
3 I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punojnë me sharra, me lesa prej hekuri dhe me sëpata. Kështu veproi Davidi në të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Pastaj Davidi u kthye në Jeruzalem me tërë popullin.
4 Mbas këtyre ngjarjeve u bë në Gezer një betejë me Filistejtë; atëherë Sibekai nga Hushahu vrau Sipain, një nga pasardhësit e gjigantëve, dhe kështu Filistejtë u poshtëruan.
5 U bë një betejë tjetër me Filistejtë; Elhanani, bir i Jairit, vrau Lahmin, vëllanë e Goliathit nga Gathi, që e kishte shtizën sa një shul endësi.
6 U bë edhe një beteje tjetër në Gath, ku kishte një njeri me shtat të madh, me gjashtë gishtërinj në secilën dorë dhe gjashtë gishtërinj në secilën këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.
7 Ai e fyu Izraelin dhe Jonathani, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, e vrau.
8 Këta kishin lindur nga gjigantët e Gathit. Ata i zhduku dora e Davidit dhe ajo e shërbëtorëve të tij.