Add parallel Print Page Options

15 Davidi ndërtoi disa shtëpi në qytetin e Davidit, përgatiti një vend për arkën e Perëndisë dhe ngriti një çadër për atë.

Atëherë Davidi tha: "Asnjeri nuk duhet të mbartë arkën e Zotit përveç Levitëve, sepse Zoti ka zgjedhur ata për ta mbajtur arkën e Perëndisë dhe për t’i shërbyer atij përjetë".

Davidi mblodhi tërë Izraelin në Jeruzalem për ta çuar arkën e Zotit në vendin që i kishte përgatitur.

Davidi mblodhi edhe bijtë e Aaronit dhe Levitët.

Nga bijtë e Kehathit, Urielin, të parin, dhe njëqind e njëzet vëllezërit e tij;

nga bijtë e Merarit, Asajahun, të parin, dhe dyqind e njëzet vëllezërit e tij;

nga bijtë e Gershomit, Joelin, të parin, dhe njëqind e tridhjetë vëllezërit e tij;

nga bijtë e Elitsafanit, Shemajahun, të parin, dhe dyqind vëllezërit e tij;

nga bijtë e Hebronit, Elielin, të parin, dhe tetëdhjetë vëllezërit e tij;

10 nga bijtë e Uzielit, Aminadabin, të parin, dhe njëqind e dymbëdhjetë vëllezërit e tij.

11 Pastaj Davidi thirri priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar, dhe Levitët Uriel, Asajahu, Joel, Shemajahu, Eliel dhe Aminadab,

12 dhe u tha atyre: "Ju jeni të parët e shtëpive atërore të Levitëve; shenjtërohuni, ju dhe vëllezëzit tuaj, që të mund të transportojnë arkën e Zotit, Perëndisë të Izraelit, në vendin që i kam përgatitur.

13 Sepse herën e parë ju nuk ishit dhe Zoti, Perëndia ynë, hapi një të çarë midis nesh, sepse nuk e kishim kërkuar sipas rregullave të caktuara".

14 Kështu priftërinjtë dhe Levitët u shenjtëruan për të transportuar arkën e Zotit, Perëndisë të Izraelit.

15 Bijtë e Levitëve e mbajtën arkën e Perëndisë mbi shpatullat e tyre me anë të shufrave, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu sipas fjalës të Zotit.

16 Pastaj Davidi urdhëroi krerët e Levitëve të caktonin vëllezërit e tyre këngëtarë me vegla muzikore, harpa, qeste dhe cembale për të pasur tinguj gëzimi.

17 Prandaj Levitët caktuan Hemanin, birin e Joelit, midis vëllezërve të tij, Asafin, birin e Berakiahut, dhe midis bijve të Merarit, vëllezërit e tyre, Ethanin, birin e Kushajahut.

18 Me ta ishin vëllezërit e tyre të klasës së dytë: Zakaria, Beni, Jaazieli, Semiramothi, Jehieli, Uni, Eliabi, Benajahu, Maasejahu, Matithiahu, Elifalehu, Miknejahu, Obed-Edomi dhe Jeeli, që ishin derëtarë.

19 Këngëtarët Heman, Asaf dhe Ethan përdornin cembale prej bronzi;

20 Zakaria, Azieli, Shemiramothi, Jehieli, Uni, Eliabi, Maasejahu dhe Benajahu u binin harpave për zëra sopranoje;

21 Matithiahu, Elifalehu, Miknejahu, Obed-Edomi, Jejeli dhe Azaziahu u binin qesteve në oktavë për të udhëhequr këngën;

22 Kenaiahu, i pari i Levitëve, ishte i ngarkuar me këngën; ai drejtonte këngën, sepse ishte kompetent në këtë fushë.

23 Berekiahu dhe Elkanahu ishin derëtarë pranë arkës.

24 Priftërinjtë Shebarniahu, Joshafati, Nethaneel, Amasai, Zakaria, Benajah dhe Elezieri u binin borive përpara arkës së Perëndisë, kurse Obed-Edomi dhe Jehijahu kryenin detyrën e derëtarit afër arkës.

25 Atëherë Davidi, pleqtë e Izraelit dhe komandantët e mijëshëve vepruan me gëzim në transportimin e arkës së besëlidhjes të Zotit nga shtëpia e Obed-Edomit.

26 Kështu, sepse Perëndia i ndihmoi Levitët që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit, u ofruan si flijime shtatë dema dhe shtatë desh.

27 Davidi kishte veshur një mantel prej liri të hollë, ashtu si tërë Levitët që mbanin arkën, këngëtarët dhe Kenianahu, drejtuesi i këngës së bashku me këngëtarët; Davidi kishte veshur gjithashtu një efod prej liri.

28 Kështu tërë Izraeli e çoi lart arkën e besëlidhjes të Zotit me klithma gëzimi nën tingujt e burive, brirëve, cembaleve, qesteve dhe harpave.

29 Por ndodhi që, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit arriti në qytetin e Davidit, Mikal, e bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që kërcente dhe hidhej përpjetë, dhe e përçmoi në zemër të saj.

16 Kështu e prunë arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tabernakullit që Davidi kishte ngritur për të; pastaj ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Perëndisë.

Kur Davidi mbaroi së ofruari olokaustet dhe flijimet e falenderimit, ai bekoi popullin në emër të Zotit;

pastaj u ndau tërë Izraelitëve, burra dhe gra, secilit prej tyre një bukë, një racion mish dhe një sasi rrushi të thatë.

Pastaj vendosi përpara arkës të Zotit disa Levitë për të kryer shërbimin për të kujtuar, për të falenderuar dhe për të lëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit;

Asafi, i pari, Zakaria i dyti mbas tij, pastaj Jeieli, Shemiramothi, Jehieli, Matithiahu, Eliabi, Benajahu, Obed-Edomi dhe Jejeli. Ata u binin harpave dhe qesteve, ndërsa Asafi u binte cembaleve.

Priftërinjtë Benajah dhe Jahaziel përkundrazi i binin trombës vazhdimisht përpara arkës së besëlidhjes së Perëndisë.

Atë ditë Davidi u besoi për herë të parë Asafit dhe vëllezërve të tij detyrën që të këndonin lëvdata Zotit.

Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve.

Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij.

10 Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin!

11 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij!

12 Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij,

13 ju, o stermpa të Izraelit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij!

14 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij i gjejmë mbi të gjithë tokën.

15 Mos harroni kurrë besëlidhjen e tij, fjalën e tij të urdhëruar për një mijë breza,

16 besëlidhjen e lidhur me Abrahamin, betimin që i ka bërë Isakut,

17 që ia konfirmoi Jakobit si një statut dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

18 duke thënë: "Unë do t’ju jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj".

19 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, fare i pakët dhe të huaj në vend.

20 Kur shkonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër,

21 ai nuk lejoi që ndokush t’i shtypte; përkundrazi dënoi disa mbretër për dashurinë që ushqente për ta,

22 duke thënë: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

23 Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij!

24 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve!

25 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është me friksuësi nga tërë perënditë.

26 Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejtë.

27 Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij.

28 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

29 Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij;

30 dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet.

31 Le të gëzohen qiejtë dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron".

32 Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të;

33 atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën.

34 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

35 Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar".

36 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen," dhe lëvdoi Zotin.

37 Kështu Davidi la Asafin dhe vëllezërit e tij atje përpara arkës së besëlidhjes të Zotit, me qëllim që të shërbenin vazhdimisht përpara arkës, sipas nevojave të çdo dite,

38 la edhe Obed-Edomin dhe të gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij (Obed-Edomi, bir i Jeduthunit dhe Hosahu si derëtarë),

39 dhe priftin Tsadok dhe priftërinjtë vëllezër të tij përpara tabernakullit të Zotit, në vendin e lartë që ishte në Gabaon,

40 me qëllim që ata t’i ofronin Zotit olokauste mbi altarin e olokausteve, vazhdimisht në mëngjes e në mbrëmje, sipas tërë atyre që janë shkruar në ligjin e Zotit, që ai ia kishte imponuar Izraelit.

41 Dhe me ta ishin Hemani, Jeduthuni dhe të tjerët që ishin zgjedhur dhe caktuar me emër për të lëvduar Zotin, sepse mirësia e tij është e përjetshme.

42 Me ta ishin gjithashtu Hemani dhe Jeduthuni me bori dhe cembale, për ata që do t’u binin veglave, dhe me vegla muzikore për të shoqëruar këngët e Perëndisë. Bijtë e Jeduthunit duhet të rrinin te porta.

43 Më në fund tërë populli u kthye, secili në shtëpinë e vet, dhe Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet.

17 Ndodhi që Davidi, mbasi u vendos në shtëpinë e vet, i tha profetit Nathan: "Ja, unë banoj në një shtëpi prej kedri, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit ndodhet nën një çadër".

Nathani iu përgjegj Davidit: "Bëj të gjitha ato që ke në zemër, sepse Perëndia është me ty".

Por po atë natë fjala e Perëndisë iu drejtua Nathanit, duke i thënë:

"Shko t’i thuash shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti: Nuk do të jesh ti ai që do të më ndërtojë një shtëpi në të cilën unë të mund të banoj.

Në fakt nuk kam banuar kurrë në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë Izraelin nga Egjipti deri më sot; por kam shkuar nga një çadër te tjetra dhe nga një banesë te tjetra.

Kudo kam shkuar me gjithë Izraelin, a i kam folur vallë ndonjerit prej gjyqtarëve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të ushqenin popullin tim, duke thënë: "Pse nuk më ndërtoni një shtëpi me dru kedri?".

Tani do t’i flasësh kështu shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të mora nga vatha, kur po shkoje pas deleve, dhe të bëra princ mbi popullin tim, Izraelin.

kam qenë me ty kudo ku ke vajtur, kam shfarosur përpara teje tërë armiqtë e tu dhe e kam bërë emrin tënd si atë të njerëzve të mëdhenj që janë mbi dhe.

Përveç kësaj do t’i jap popullit tim të Izraelit një vend ku të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e lëvizin më, dhe të këqijtë të mos vazhdojnë ta shkretojnë si më parë,

10 qysh prej kohës që kam vendosur gjyqtarët mbi popullin tim të Izraelit. Do të poshtëroj edhe tërë armiqtë e tu. Të njoftoj gjithashtu që Zoti do të të ndërtojë një shtëpi.

11 Kur të mbushen ditët e tua dhe të shkosh të bashkohesh me etërit e tu, unë do të nxjerrë një pasardhësin tënd, që do të jetë një nga bijtë e tu, dhe do ta konsolidoj mbretërinë e tij.

12 Ai do të më ndërtojë një shtëpi dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e tij përgjithnjë.

13 Unë do të jem për të një atë dhe ai për mua një bir; dhe nuk do t’ia heq përkrahjen time ashtu siç ia kam hequr atij që të ka paraprirë.

14 Unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë në shtëpinë time dhe në mbretërinë time, dhe froni i tij do të jetë i qëndrueshëm gjithnjë"".

15 Nathani i foli Davidit duke përdorur tërë këto fjalë dhe sipas gjithë vizionit të tij.

16 Atëherë mbreti David hyri, u ul përballë Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot Perëndi, ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?

17 Megjithatë kjo t’u duk një gjë e vogël para syve të tu, o Perëndi; ti fole edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët dhe më konsiderove sikur të isha një njeri i rangut të lartë, o Zot Perëndi.

18 Çfarë mund të thotë akoma Davidi për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh në të vërtetë shërbëtorin tënd.

19 O Zot, për dashurinë e shërbëtorit tënd dhe sipas zemrës sate, ti ke kryer gjithë këto vepra të fuqishme për t’i bërë të njohura tërë këto gjëra të mëdha.

20 O Zot, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, sipas tërë ato që kemi dëgjuar me veshët tona.

21 Dhe kush është si populli yt i Izraelit, i vetmi komb mbi tokë që Perëndia erdhi për ta çliruar dhe për ta bërë popullin e tij, për të të dhënë një emër me gjëra të mëdha dhe të tmerrshme, duke i dëbuar kombet përpara popullit tënd që ti ke çliruar nga Egjipti?

22 Ti e ke bërë popullin e Izraelit popullin tënd për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tyre.

23 Prandaj fjala që ke shqiptuar, o Zot, përsa i përket shërbëtorit tënd dhe shtëpisë së tij, të ruajë vlerën e saj për gjithnjë! Bëj siç ke thënë!

24 Po, të mbetet e vlefshme, me qëllim që emri yt të shkëlqejë për gjithnjë dhe të kemi mundësinë të themi: "Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është me të vërtetë Perëndia për Izraelin"; dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje!

25 Ti vetë, o Perëndia im, i ke treguar shërbëtorit tënd se do t’i ndërtoje një shtëpi. Prandaj shërbëtori yt pati guximin të lutet në praninë tënde.

26 Dhe tani, o Zot, ti je Perëndia dhe i ke premtuar këtë të mirë shërbëtorit tënd.

27 Ndërkaq le të të pëlqejë të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, me qëllim që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse atë që bekon ti, o Zot, është e bekuar për gjithnjë".