Add parallel Print Page Options

12 Këta janë njerëzit që erdhën te Davidi në Tsiklag, kur ai qendronte larg pranisë së Saulit, birit të Kishit; ata ishin një pjesë e trimave që e ndihmuan në luftë;

ishin të armatosur me harqe dhe mund të përdornin si dorën e djathtë ashtu edhe atë të majtë për të hedhur gurë dhe për të gjuajtur shigjeta me hark; i përkisnin fisit të Beniaminit, vëllezër të Saulit.

I pari i tyre ishte Ahiezeri, pastaj Joasi, bij të Shemaahut, nga Giberahu; Jezieli dhe Peleti, bij të Azmavethit; Berakahu dhe Jehu nga Anathothi;

Ishmajahu nga Gabaoni, trim midis të tridhjetëve dhe i pari i tyre; Jeremia, Jahazieli, Johanani, Jozabadi nga Gedera

Eluzai, Jerimothi, Bealiahu, Shemariahu, Shefatiahu nga Harufi;

Elkanahu, Jishshiahu, Azareli, Joezeri dhe Jashobeami, Koraiti;

Joelahu dhe Zebadiahu, bij të Jerohamit nga Gedori.

Ndër Gaditët disa njerëz vendosën të bashkohen me Davidin në kalanë e shkretëtirës; ishin njerëz të fortë dhe trima, të stërvitur për luftë, të shkathët në përdorimin e mburojës dhe të shtizës; fytyrat e tyre ishin si fytyrat e luanëve dhe në malet ishin të shpejtë si gazelat.

Ezeri ishte i pari i tyre, Obadiahu vinte i dyti dhe Eliabi i treti,

10 Mishmanahu i katërti, Jeremia i pesti

11 Atai i gjashti, Elieli i shtati,

12 Johanani i teti, Elzabadi i nënti,

13 Jeremia i dhjeti, Makbanai i njëmbëdhjeti.

14 Këta Gaditë ishin komandantë të ushtrisë; më i vogli komandonte njëqind ushtarë, më i madhi një mijë.

15 Këta janë ata që kaluan Jordanin në muajin e parë kur ky lumë kishte dalë nga shtrati i tij, dhe i bënë të ikin me vrap tërë banorët e luginave, në lindje dhe në perëndim.

16 Edhe disa nga bijtë e Beniaminit e të Judës shkuan te Davidi në kala.

17 Davidi u doli përpara dhe, duke marrë fjalën, tha: "Në rast se keni ardhur tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me juve, por në se keni ardhur për të më tradhëtuar dhe për të më dorëzuar në duart e kundërshtarëve të mi, megjithëse unë nuk kam përdorur fare dhunën, Perëndia i etërve tanë le të shohë dhe le të dënojë".

18 Atëherë Fryma e përshkoi Amasain, të parin e të tridhjetëve, që thirri: Ne jemi me ty, David; jemi me ty, o biri i Isait! Paqe, paqe ty dhe paqee atij që të ndihmon, sepse Perëndia yt të ndihmon". Atëherë Davidi i priti dhe i bëri komandantë të trupave.

19 Edhe nga Manasi disa kaluan me Davidin, kur ky vajti me Filistejtë për të luftuar kundër Saulit; por këta nuk i dhanë asnjë ndihmë Filistejve, sepse princat e Filistejve, mbasi u konsultuan, e kthyen prapa Davidin, duke thënë: "Ai ka për të kaluar me zotërinë e tij Saul duke vënë në rrezik kokat tona".

20 Ndërsa shkonte në Tsiklag, ata të Manasit që kaluan me të ishin Adnahu, Jozbadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihu, Tsillethai, komandantë të mijësheve që i përkisnin Manasit.

21 Këta e ndihmuan Davidin kundër bandave të plaçkitësve, sepse ishin të gjithë njerëz të fortë dhe trima dhe u bënë komandantë në ushtri.

22 Në atë kohë, në të vërtetë, çdo ditë disa vinin te Davidi për ta ndihmuar deri sa formoi një ushtri të madhe si ushtria e Perëndisë.

23 Ky është numri i krerëve të armatosur për luftë, që shkuan te Davidi në Hebron për t’i kaluar atij mbretërinë e Saulit, sipas fjalës së Zotit.

24 Bijtë e Judës, që mbanin mburoja dhe shtiza ishin gjashtë mijë e tetëqind veta, të armatosur për luftë.

25 Nga bijtë e Simeonit, njerëz të fortë dhe trima në luftë, ishin shtatë mijë e njëqind veta.

26 Nga bijtë e Levit, katër mijë e gjashtëqind veta;

27 përveç Jehojadit, princit të familjes së Aaronit, që kishte tre mijë e shtatëqind veta,

28 dhe Tsadoku, një i ri i fortë dhe trim, me njëzet e dy krerë të shtëpisë së tij atërore.

29 Nga bijtë e Beniaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë (sepse pjesa më e madhe e tyre i kishte qëndruar besnike deri atëherë shtëpisë së Saulit).

30 Nga bijtë e Efraimit, njëzet mijë e tetëqind veta, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, sipas shtëpive të tyre atërore.

31 Nga gjysma e fisit të Manasit, tetëmbëdhjetë mijë veta, që u zgjodhën individualisht për të vajtur dhe për ta shpallur mbret Davidin.

32 Nga bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohrat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli: dyqind krerë dhe tërë vëllezërit e tyre në urdhrat e tyre.

33 Nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë, që shkonin të luftonin, të shkathët për tu vendosur në rend beteje me të gjitha armët e luftës dhe të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur.

34 Nga Neftali, një mijë krerë dhe me ta tridhjetë e shtatë mijë njerëz me mburoja dhe shtiza.

35 Nga Danitët, të shkathët për t’u radhitur në rend beteje, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind veta.

36 Nga Asheri, dyzet mijë, që shkonin të luftonin dhe që ishin të shkathët për t’u vendosur në rend beteje.

37 Nga ana tjetër e Jordanit, nga Rubenitët, nga Gaditët dhe nga gjysma e fisit të Manasit, njëqind e njëzet mijë veta, të pajisur me të gjitha armët për të luftuar.

38 Tërë këta luftëtarë, të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur, erdhën në Hebron për ta shpallur Davidin mbret mbi tërë Izraelin; edhe pjesa tjetër e Izraelit ishte në një mëndje për ta bërë mbret Davidin.

39 Ata qëndruan atje tri ditë me Davidin, duke ngrënë dhe duke pirë, sepse vëllezërit e tyre kishin siguruar ushqim për ta.

40 Edhe nga ata që banonin afër tyre, madje edhe nga Isakari, nga Zabuloni dhe nga Neftali sillnin ushqime me gomarë, me deve, me mushka dhe me qe, furnizime të mëdha: miell, bukëfiqe dhe rrush të thatë, verë, vaj, lopë dhe dele me bollëk; sepse Izraeli ishte shend e verë.

13 Davidi u këshillua me komandantët e mijëshëve e dhe të qindëshëve dhe me të gjithë princat.

Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë së Izraelit: "Në qoftë se kjo ju duket e mirë dhe në se na vjen nga Zoti, Perëndia ynë, t’u çojmë fjalë vëllezërve tanë që kanë mbetur në të gjitha krahinat e Izraelit, dhe me ta edhe priftërinjve dhe Levitëve në qytetet e tyre dhe tokat për kullotë të mblidhen pranë nesh,

dhe ta sjellim përsëri arkën e Perëndisë tonë te ne, sepse nuk e kemi kërkuar në kohën e Saulit".

Tërë asambleja pranoi të vepronte kështu, sepse kjo gjë dukej e drejtë në sytë e tërë popullit.

Atëherë mblodhi tërë Izraelin nga Shihori i Egjiptit, deri në hyrje të Hamathit, për ta sjellë përsëri arkën e Perëndisë nga Kiriath-Jearimi.

Pastaj Davidi me tërë Izraelin u nis në drejtim të Baalahut, domethënë në drejtim të Kirjath-Jearimit që ishte pronë e Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë, të Zotit, që rri mbi kerubinët, ku përmëndet emri i tij.

Nga shtëpia e Abinadabit e transportuan arkën e Perëndisë mbi një qerre të re. Uza dhe Ahio e ngisnin qerren.

Davidi dhe tërë Izraeli e kremtonin këtë ngjarje përpara Perëndisë me tërë forcat e tyre, me këngë dhe qeste, me harpe, dajre, cembale dhe bori.

Kur arritën në lëmin e Kidonit, Uza shtriu dorën për të mbajtur arkën, sepse qetë ishin penguar.

10 Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Uzës dhe e goditi, sepse kishte shtrirë dorën e tij mbi arkë; ai vdiq atje përpara Perëndisë.

11 Davidi u hidhërua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull duke goditur Uzën. Prandaj ky vend quhet edhe sot e Çara e Uzës.

12 Atë ditë Davidi pati frikë nga Perëndia dhe tha: "Si mund ta transportoj arkën e Perëndisë në shtëpinë time?".

13 Kështu Davidi nuk deshi ta kishte arkën pranë vetes në qytetin e Davidit, por e kaloi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi.

14 Arka e Perëndisë mbeti tre muaj pranë familjes së Obed-Edomit në shtëpinë e saj; dhe Zoti bekoi shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithshka që ishte pronë e tij.

14 Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, muratorë, dhe marangozë për t’i ndërtuar një shtëpi.

Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit.

Davidi u martua me gra të tjera në Jeruzalem dhe i lindën djem e vajza.

Këto janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shohabi, Salomoni,

Ibhari, Elishua, Elpeleti,

Nagahu, Nefegu, Jafia,

Elishama, Beelida dhe Elifeleti.

Kur Filistejtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i tërë Izraelit, dolën të gjithë në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi u doli përballë.

Filistejtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.

10 Atëherë Davidi u këshillua me Perëndinë, duke thënë: A duhet të dal kundër Filistejve? A do të m’i japësh në duart e mia?". Zoti u përgjigj: Dil dhe unë do t’i jap në duart e tuaa".

11 Ata dolën në Baal-Peratsim, ku Davidi i mundi dhe tha: "Perëndia ka hapur me duart e mia një kalim midis armiqve të mi, si një kalim i hapur nga ujërat". Prandaj i vunë këtij vendi emrin e Baal-Peratsimit.

12 Filistejtë braktisën aty perënditë e tyre dhe Davidi urdhëroi që të digjeshin në zjarr.

13 Më vonë Filistejtë filluan të shpërndahen nëpër luginë.

14 Davidi u këshillua përsëri me Perëndinë, dhe Perëndia i tha: "Mos u dil prapa, por merru krahët dhe sulu mbi ta përballë ballsameve.

15 Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e ballsameve, hidhu menjëherë në sulm, sepse Perëndia do të të dalë përpara për të mundur ushtrinë e Filistejve".

16 Davidi bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, dhe ata mundën ushtrinë e Filistejve nga Gabaoni deri në Gezer.

17 Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Zoti solli tmerrin e tij mbi të gjitha kombet.