Add parallel Print Page Options

Pastaj i çova përsëri sytë dhe pashë, dhe ja një rrotull që fluturonte.

Engjëlli më tha: "Çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Shoh një rrotull që fluturon; gjatësia e saj është njëzet kubitë dhe gjërësia e saj dhjetë kubitë".

Atëherë ai më tha: "Ky është mallkimi që po përhapet mbi gjithë vendin; sepse tani e tutje, kushdo që vjedh do të dëbohet prej tij dhe kushdo që tani e tutje betohet me të rreme, do të dëbohet prej tij.

Unë do ta bëj të dalë," thotë Zoti i ushtrive, "dhe ai do të hyjë në shtëpinë e vjedhësit dhe në shtëpinë e atij që bën betim të rremë në emrin tim; do të mbetet në atë shtëpi dhe do ta konsumojë bashkë me lëndën e saj dhe me gurët e saj".

Pastaj Engjëlli që fliste me mua doli dhe më tha: "Ço sytë dhe shiko çfarë është ajo që po del".

Unë thashë: "Çfarë është?". Ai tha: "Éshtë efa që po del". Pastaj shtoi: Kjo është pamja e tyre në gjithë vendinn".

Pastaj, ja, u ngrit një kapak plumbi, dhe kështu në mes të efas rrinte ulur një grua.

Atëherë ai tha: "Kjo është ligësia". Dhe e hodhi në mes të efas, pastaj hodhi kapakun prej plumbi mbi hapjen e saj.

Pastaj i çova sytë dhe shikova, dhe ja që po vinin dy gra me erën në krahët e tyre, sepse ato kishin krahë si krahët e lejlekut, dhe e ngritën efan midis tokës dhe qiellit.

10 Kështu unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Ku e çojnë efan këto?".

11 Ai m’u përgjigj: "Në vendin e Shinarit për t’i ndërtuar një shtëpi; kur të jetë gati efa do të vihet mbi piedestalin e vet".

I çova përsëri sytë dhe shikova, dhe ja, katër qerre që dilnin në mes të dy maleve; dhe malet ishin male prej bronzi.

Në qerren e parë kishte kuaj të kuq, në qerren e dytë kuaj të zinj,

në qerren e tretë kuaj të bardhë dhe në të katërtën kuaj shumë laramanë.

Atëherë nisa t’i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, po këta?".

Engjëlli u përgjigj dhe tha: "Këta janë katër frymat e qiellit që dalin pasi kanë qenë në prani të Zotit të mbarë dheut.

Qerrja me kuaj të zinj shkon drejt vendit të veriut; kuajt e bardhë e ndjekin, kuajt laramanë shkojnë drejt vendit të jugut;

pastaj përparojnë kuajt me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe kërkojnë të shkojnë për të përshkuar dheun". Ai u tha atyre: "Shkoni, përshkoni dheun!". Kështu ata e përshkuan dheun.

Pastaj ai më thirri dhe më foli, duke thënë: "Ja, ata që po shkojnë drejt vendit në veri e kanë qetësuar Frymën time mbi vendin e veriut.

Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

10 "Prano dhurata nga mërgimtarët, domethënë nga Heldai, nga Tobiahu dhe nga Jedaiahu që kanë ardhur nga Babilonia, dhe që po sot kanë shkuar në shtëpinë e Josias, birit të Sofonias.

11 Merr argjendin dhe arin, bëj një kurorë me to dhe vëre mbi kryet e Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryepriftit.

12 Pastaj foli atij, duke thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ja, burri emri i të cilit është Filizë, do të filizoj në vendin e tij dhe do të ndërtojë tempullin e Zotit.

13 Po, ai do të ndërtojë tempullin e Zotit, do të mbulohet me lavdi dhe do të ulet e do të mbretërojë mbi fronin e tij, do të jetë prift mbi fronin e tij, dhe midis të dyve do të jetë një këshillë paqeje.

14 Kurora do të jetë një kujtim në tempullin e Zotit për Helemin, për Tobiahun, për Jedaiahun dhe për Henin, birin e Sofonias.

15 Edhe ata që janë larg do të vijnë për të ndihmuar për ndërtimin e tempullit të Zotit; atëherë do të pranoni që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju. Kjo do të ndodhë në qoftë se do t’i bindeni me zell zërit të Zotit, Perëndisë tuaj".

Në vitin e katërt të mbretit Dar, ditën e katërt të muajit të nëntë, që është Kislevi, ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Zakarias.

Kishin dërguar Sharetserin, bashkë me Regemelekun dhe njerëzit e tij, në Bethel për të kërkuar me lutje favorin e Zotin,

dhe për të folur me priftërinjtë që ishin në shtëpinë e Zotit të ushtrive dhe me profetët, duke thënë: "A duhet të qaj në muajin e pestë dhe të agjëroj si kam bërë gjatë shumë viteve?".

Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Folu gjithë popullit të vendit dhe priftërinjve dhe thuaj: "Kur keni agjëruar dhe jeni pikëlluar në muajin e pestë dhe në të shtatin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?

Po më pas, kur keni ngrënë dhe pirë, mos vallë keni ngrënë dhe pirë për veten tuaj?

A nuk janë këto fjalët që Zoti i ushtrive ka shpallur me anë të profetëve të së kaluarës, kur Jeruzalemi ishte i banuar dhe i qetë bashkë me qytetet e tij të afërta dhe gjithashtu Negevi dhe fusha ishin të banuara?"".

Fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti i ushtrive: Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj.

10 Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfërin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.

11 Por ata nuk deshën të dëgjojnë, kthyen krahët me kryeneçësi dhe i zunë veshët që të mos dëgjonin.

12 E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive.

13 Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin," thotë Zoti i ushtrive,

14 "por i shpërndava me shakullimë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin. Kështu vendi mbeti i shkretë pas tyre, dhe askush nuk kalonte andej ose nuk u kthye. Nga një vend kënaqësie ata e kthyen në shkreti".

Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë:

Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të".

Kështu thotë Zoti: "Unë do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jeruzalemit. Jeruzalemin do ta quajnë Qytet të besnikërisë dhe malin e Zotit të ushtrive, mal të shenjtërisë".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nëpër sheshet e Jeruzalemit do të ulen akoma pleq e plaka, secili me shkopin e vet në dorë për shkak të moshës së shtyrë.

Sheshet e qytetit do të jenë plot e përplot me djem dhe vajza që do të lozin në sheshet e tij".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në se kjo duket shumë e vështirë në sytë e atyre që kanë mbetur nga ky popull ndër këto ditë, a do të jetë gjithashtu tepër e vështirë për sytë e mi?," thotë Zoti i ushtrive.

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit.

Unë do t’i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.

10 Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vet, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njeri tjetrit.

11 Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara," thotë Zoti i ushtrive.

12 "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t’u japin vesën e tyre. Do t’i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.

13 Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t’ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".

14 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t’ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin," thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,

15 kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t’i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!

16 Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.

17 Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti".

18 Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë:

19 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen".

20 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Do të vijnë akoma popuj dhe banorë të shumë qyteteve;

21 banorët e një qyteti do të shkojnë tek ata të tjetrit, duke thënë: "Le të shkojmë menjëherë t’i përgjërohemi fytyrës së Zotit dhe të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj".

22 Po, shumë popuj dhe kombe të fuqishëm do të vijnë të kërkojnë Zotin e ushtrive në Jeruzalem dhe t’i përgjërohen fytyrës së Zotit".

23 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: "Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju"".