Add parallel Print Page Options

81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.

Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.

I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.

Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.

Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;

"O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.

Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)

Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!

Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.

10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.

11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.

12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.

13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!

14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.

15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.

16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".

82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.

Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)

Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.

Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.

Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.

Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.

Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".

Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.

83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!

Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.

Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.

Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".

Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.

Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,

Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;

dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)

Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,

10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.

11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,

12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".

13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.

14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,

15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.

16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.

17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;

18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.