Add parallel Print Page Options

65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.

Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.

Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.

Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.

Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.

Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.

Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.

Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.

Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.

10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.

11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.

12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.

13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.

66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.

11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.

12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.

13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,

14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.

15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)

16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.

19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.

20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)

me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)

Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.

Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.