Add parallel Print Page Options

46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.

10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.

11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.

Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.

Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.

Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)

Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.

Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!

Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.

Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.

Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.

48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.

I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.

Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.

Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,

por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.

Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,

në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.

Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.

Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.

10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.

11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.

12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,

13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.

14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.