Add parallel Print Page Options

33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.

10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.

11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.

14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.

15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.

16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.

17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.

18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.

20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.

21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.

22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.

12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.