Add parallel Print Page Options

O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.

Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)

Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.

Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)

Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.

Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.

Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.

Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)

Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.

Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.