Add parallel Print Page Options

23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.

Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.

Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.

Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.

Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.

Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.

Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.

I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)

O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.

O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)

25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.

10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.

11 Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.

12 Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t’i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.

13 Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.

14 Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.

15 Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m’i nxjerrë këmbët nga rrjeta.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.

17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.

18 Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.

19 Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.

20 Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.

21 Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.

22 O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.