Add parallel Print Page Options

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.