Add parallel Print Page Options

135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,

që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.

Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.

Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.

Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.

Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.

Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,

dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.

10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:

11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.

12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.

13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.

15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;

16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.

18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.

19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.

20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.

21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.

136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;

19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.