Psalmet 129-131
Albanian Bible
129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:
2 "Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.
3 Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".
4 Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.
5 U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!
6 U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;
7 nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;
8 dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.
2 E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.
3 O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.