Add parallel Print Page Options

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

127 Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.

Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.

Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.

Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.

Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!

Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.

Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.

Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.