Psalmet 1-3
Albanian Bible
1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.
6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
2 Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?
2 Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,
3 duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".
4 Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.
5 Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,
6 dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
7 Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.
8 Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.
9 Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".
10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.
11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.
12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.
3 O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.
2 Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)
3 Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.
4 Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)
5 Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.
6 Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.
7 Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.
8 Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)