Add parallel Print Page Options

Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia,

sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.

Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;

do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.

Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.

Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja;

kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.

Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke;

10 hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.

11 Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,

12 sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.

13 Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.

14 Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.

15 Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.

16 Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.

17 Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.

18 Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.

19 Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.

20 Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.

21 Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit.

22 Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.

23 Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.

24 Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.

25 Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë,

26 sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.

27 Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.

28 Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër," kur e ke me vete gjënë e nevojshme.

29 Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.

30 Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.

31 Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,

32 sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.

33 Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.

34 Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.

35 Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.

Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,

sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.

Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,

ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;

mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.

Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.

Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.

Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".

10 Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.

11 Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.

12 Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.

13 Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.

14 Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;

15 evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.

16 Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;

17 ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.

18 Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.

19 Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë.

20 Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;

21 mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;

22 sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.

23 Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.

24 Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.

25 Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.

26 Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.

27 Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.

Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,

me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.

Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;

por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.

Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.

Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.

Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.

Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,

për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.

10 Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,

11 dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,

12 dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?

13 Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.

14 U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".

15 Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.

16 A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?

17 Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.

18 Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.

19 Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.

20 Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?

21 Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.

22 I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.

23 Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.