Add parallel Print Page Options

12 Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t’i hanë.

Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: “Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën.”

Dhe ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë se ç’bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?

Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?

Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?

Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.

Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime," nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.

Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.”

Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre;

10 dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: “A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?.”

11 Dhe ai u tha atyre: “A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?

12 E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?.”

13 Atëherë ai i tha atij burri: “Shtrije dorën tënde!.” Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.

14 Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.

15 Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,

16 dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,

17 me qëllim që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:

18 “Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t’u shpall drejtësinë popujve.

19 Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t’ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.

20 Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.

21 Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij.”

Read full chapter