Add parallel Print Page Options

22 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

"A mundet vallë njeriu t’i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes.

Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme?

Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty?

Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta?

Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre.

Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të uriturit.

Toka i përkiste njeriut të fuqishëm dhe banonte në të njeriu i nderuar.

E ktheje gruan e ve me duar bosh, dhe krahët e jetimëve ishin të këputur.

10 Ja pse je rrethuar kudo nga leqe dhe drithma të papritura të turbullojnë,

11 ose një errësirë nuk të lejon të shikosh dhe një vërshim uji të përmbyt.

12 A nuk është Perëndia lart në qiejt? Shiko yjet e larta, sa lart ndodhen!

13 Dhe ti thua: "Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë nëpërmjet territ të dendur?

14 Re të dendura e mbulojnë dhe kështu nuk mund të shikojë, dhe shëtit mbi kupën e qiejve".

15 A dëshiron ti të ndjekësh rrugën e lashtë të përshkruar prej kohe nga njerëzit e këqij,

16 që e çuan larg para kohe, dhe themelin e të cilëve e mori një lum që vërshonte?

17 Ata i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne! Çfarë mund të na bëjë i Plotfuqishmi?".

18 Megjithatë Perëndia ua kishte mbushur shtëpitë me të mira. Por unë u rri larg këshillave të të pabesëve.

19 Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, dhe i pafajmi tallet me ta;

20 po, me siguri, armiqtë tanë po shkatërrohen, dhe zjarri po përpin atë që mbetet.

21 Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqënie.

22 Prano udhëzime nga goja e tij dhe shtjeri fjalët e tij në zemrën tënde.

23 Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua

24 dhe u hedh arin në pluhur dhe arin e Ofirit ndër gurët e përroit,

25 atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi.

26 Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë.

27 Do t’i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur.

28 Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita.

29 Kur do të poshtërojnë, ti do të thuash: "Ngritja do të vijë". Ai do të përkrahë të përulurin

30 dhe do të çlirojë edhe atë që nuk është i pafajmë; po, ai do të çlirohet nga shkaku i pastëtisë së duarve të tua".

23 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

"Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim.

Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij!

Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente.

Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë.

A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje.

Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë.

Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh;

vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj.

10 Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari.

11 Këmba ime ka ndjekur me përpikmëri gjurmët e tij, i jam përmbajtur rrugës së tij pa devijuar;

12 nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit.

13 Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën,

14 kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka dekretuar kundër meje, dhe plane të tilla ka mjaft të tjera.

15 Prandaj në prani të tij e ndjej veten të tmerruar; kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij.

16 Perëndia ma ligështon zemrën, i Plotfuqishmi më tmerron.

17 Sepse nuk u asgjësova përpara territ; dhe ai nuk e fshehu terrin e dendur nga fytyra ime".

24 "Pse vallë i Plotfuqishmi nuk i rezervon vetes kohëra dhe ata që e njohin nuk shohin ditët e tij?

Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë;

u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve;

i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen.

Ja ku janë, si gomarë të egjër në shkretëtirë dalin në punën e tyre herët në mëngjes për të kërkuar ushqim; shkretëtira jep ushqim për ta dhe për bijtë e tyre.

Mbledhin forazhin e tyre në fushat dhe mbledhin vilet e pavjela në vreshtin e të pabesit.

E kalojnë natën lakuriq, pa rroba, dhe nuk kanë me se të mbulohen nga të ftohtit.

Të lagur nga rrebeshet që vijnë nga malet, për mungesë strehe shtrëngohen pas shkëmbinjve.

Të tjerë e rrëmbejnë nga gjiri jetimin dhe marrin pengje nga të varfrit.

10 E detyrojnë të varfrin të shkojë pa rroba dhe u marrin duajt të uriturve.

11 Bëjnë vaj midis mureve të të pabesëve, e shtrydhin rrushin në trokull, por kanë etje.

12 Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë.

13 Të tjerë janë armiq të dritës, nuk njohin rrugët e saj dhe nuk qëndrojnë në shtigjet e saj.

14 Vrasësi ngrihet në të gdhirë, për të vrarë të varfrin dhe nevojtarin; natën përkundrazi sillet si vjedhësi.

15 Syri i shkelësit të kurorës bashkëshortore pret muzgun duke menduar: Askush nuk do të më shohë,," dhe vë një vel mbi fytyrën e tij.

16 Natën depërtojnë nëpër shtëpitë; ditën rrinë mbyllur; nuk e njohin dritën.

17 Mëngjesi është për ta si hija e vdekjes, sepse ata i njohin mirë tmerret e hijes së vdekjes.

18 Kalojnë shpejt mbi sipërfaqen e ujërave, pjesa e tyre është e mallkuar mbi tokë, dhe askush nuk do të hynte më në vreshtat e tyre.

19 Ashtu si thatësia dhe vapa tretin ujërat e dëborës, kështu bën edhe Sheoli me atë që ka mëkatuar.

20 Gjiri i nënës e harron, krimbat e hanë duke e shijuar; atë nuk do ta kujtojnë më; i keqi do të pritet si një dru.

21 Ai gëlltiste gruan shterpë që nuk ka fëmijë dhe nuk i bënte asnjë të mirë gruas së ve!

22 Por Perëndia me forcën e tij tërheq tutje të fuqishmit dhe, në qoftë se shfaqen përsëri, asnjeri nuk mund të jetë i sigurt për jetën e tij.

23 U jep siguri dhe ata i besojnë asaj; megjithatë sytë e tij kundrojnë rrugët e tyre.

24 Ngrihen për pak kohë, por pastaj nuk janë më; rrëzohen dhe çohen tutje si gjithë të tjerët; priten si kokat e kallinjve të grurit.

25 Në qoftë se nuk është kështu, kush mund të më përgënjeshtrojë dhe të shfuqizojë vlerën e fjalëve të mia?".