Añadir traducción en paralelo Imprimir Opciones de la página

40 Zoti vazhdoi t’i përgjigjet Jobit dhe tha:

"Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t’i përgjigjet kësaj pyetjeje".

Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:

"Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.

Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".

Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:

"Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.

A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?

A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?

10 Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.

11 Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,

12 shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.

13 Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.

14 Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.

15 Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.

16 Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.

17 E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.

18 Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.

19 Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t’i afrohet atij me shpatën e tij.

20 Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,

21 ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.

22 Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.

23 Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.

24 Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t’i shpojë flegrat e hundës me gremça?

41 A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?

A mund t’i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t’i shposh nofullën me një çengel?

A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla?

A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë?

A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?

Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve?

A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja?

Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar.

Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri.

10 Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?

11 Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja.

12 Nuk do t’i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij.

13 Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t’i afrohet me një fre të dyfishtë?

14 Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij?

15 Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule.

16 Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre.

17 Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen.

18 Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit.

19 Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri.

20 Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan.

21 Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë.

22 Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri.

23 Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin.

24 Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës.

25 Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.

26 Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën.

27 E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi.

28 Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte.

29 Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës.

30 Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë.

31 E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem.

32 Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat.

33 Mbi tokë nuk ka asgjë që t’i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë.

34 Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".