Add parallel Print Page Options

Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim!

Ah, sikur të kisha në shkretëtirë një strehë për udhëtarët! Do ta braktisja popullin tim dhe do të shkoja larg tij, sepse janë të gjithë shkelës të kurorës, një turmë tradhtarësh.

"Zgjasin gjuhën e tyre sikur të ishte harku i tyre për të lëshuar gënjeshtra; në vend janë të fortë, por jo për shkak të së vërtetës, sepse shkojnë nga një e keqe në tjetrën dhe nuk më njohin mua," thotë Zoti.

"Të ruhet secili nga fqinji i tij dhe mos i keni besim çdo vëllai, sepse çdo vëlla nuk bën gjë tjetër veçse mashtron dhe çdo fqinj përhap shpifje.

Secili mashtron fqinjin e tij dhe nuk thotë të vërtetën; e ushtron gjuhën e tij për të thënë gënjeshtra dhe mundohet për të bërë të keqen.

Banesa jote është në mes të mashtrimit dhe për shkak të mashtrimit nuk duan të më njohin," thotë Zoti.

Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t’i rafinoj dhe do t’i vë në provë. Çfarë tjetër, pra, mund të bëj për bijën e popullit tim?

Gjuha e tyre është një shigjetë vrasëse; ajo nuk thotë veçse gënjeshtra. Me gojën e vet secili i flet për paqe fqinjit të tij, por në zemër të vet, ai rri në pritë.

A nuk duhet vallë t’i dënoj për këto gjëra?," thotë Zoti. "A nuk duhet të hakmerrem me një komb të tillë?".

10 Nëpër malet do të ngre vaje dhe rënkime dhe nëpër kullotat e shkretëtirës një vajtim, sepse janë djegur dhe nuk kalon asnjeri nëpër to, nuk dëgjohet më blegërima e kopeve. Zogjtë e qiellit dhe kafshët kanë ikur, janë zhdukur.

11 "Unë do t’a katandis Jeruzalemin në një tog gërmadhash dhe në një strehë çakejsh; do t’i bëj të shkreta, pa banorë, qytetet e Judës".

12 Cili është njeriu i urtë që mund t’i kuptojë këto gjëra dhe ai të cilit goja e Zotit i ka folur që ta shpallë? Pse vallë vendi është shkatërruar dhe shkretuar si një shkretëtirë dhe nuk po kalon më askush nëpër të?

13 Zoti thotë: "Sepse këta kanë braktisur ligjin tim që kisha vënë përpara, nuk dëgjuan zërin tim dhe nuk kanë ecur në përshtatje me të,

14 por kanë ndjekur kryeneçësinë e zemrave të tyre dhe Baalët, që etërit e tyre u kishin bërë të njohur".

15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta ushqej këtë popull me pelin dhe do ta bëj të pijë ujë të helmuar.

16 Do t’i shpërndaj nëpër kombet, që as ata as etërit e tyre nuk i kanë njohur, dhe do të dërgoj pas tyre shpatën, deri sa t’i kem shkatërruar plotësisht".

17 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mendoni të thërrisni vajtorët: le të vijnë! Shkoni e thërrisni më të zonjat: le të vijnë!

18 Le të nxitojnë dhe ta nisin vajin mbi ne me qëllim që sytë tonë të derdhin lot dhe qepallat tona të lëshojnë ujë".

19 Sepse një zë vaji dëgjohet nga Sioni: "Sa jemi shkatërruar! Jemi shumë të shushatur, sepse duhet të braktisim vendin, sepse kanë shembur banesat tona".

20 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o gra, dhe veshi juaj ta zërë fjalën e gojës së tij. U mësoni bijave tuaja një vajtim dhe secila t’i mësojë fqinjës së saj një këngë mortore.

21 Sepse vdekja është ngjitur nëpër dritaret tona, ka hyrë në pallatet tona për t’i zhdukur fëmijët nga rruga dhe të rinjtë nga sheshet.

22 "Fol: Kështu thotë Zoti: "Kufomat e njerëzve do të rrinë si pleh në fushën e hapët, si një demet i lënë pas nga korrësi dhe qëaskush nuk e mbledh"".

23 Kështu thotë Zoti: "I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij.

24 Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra," thotë Zoti.

25 "Ja, po vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat do të ndëshkoj të gjithë të rrethprerët që janë të parrethprerë:

26 Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, Moabin dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës dhe banojnë në shkretëtirë; sepse tërë kombet janë të parrethprerë dhe tërë shtëpia e Izraelit është me zemër të parrethprerë".

10 Dëgjoni fjalën që Zoti po ju drejton, o shtëpia e Izraelit.

Kështu thotë Zoti: "Mos mësoni të ndiqni rrugën e kombeve dhe mos kini frikë nga shenjat e qiellit, sepse janë kombet që kanë frikë prej tyre.

Sepse zakonet e popujve janë kotësi: sepse është si dikush që pret një dru në pyll, puna e duarve të një punëtori me sëpatë.

E zbukurojnë me argjend dhe me ar, e fiksojnë me gozhda dhe çekiçë që të mos lëvizë nga vendi.

Idhujt qëndrojnë drejt si një palmë dhe nuk mund të flasin; duhet t’i mbartësh, sepse nuk mund të ecin. Mos kini frikë prej tyre, sepse nuk mund të bëjnë asnjë të keqe dhe as që kanë mundësinë të bëjnë të mirë".

Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot; ti je i madh dhe emri i yt është i madh në fuqi.

Kush nuk do të kishte frikë prej teje, o mbret i kombeve? Po, kjo të detyrohet, sepse midis gjithë njerëzve të ditur të kombeve, në të gjitha mbretëritë e tyre nuk ka njeri të ngjashëm me ty.

Janë të gjithë budallenj dhe pa arsye; idhulli i tyre prej druri është një doktrinë pa asnjë vlerë.

Argjend i petëzuar i sjellë nga Tarshishi dhe ar nga Ufazi, punë zejtari dhe dorë argjendari; rrobja e tyre është e purpurt dhe e kuqe flakë, punime të dala nga duart e njerëzve ekspertë.

10 Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij.

11 Kështu do t’u thoni atyre: "Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin".

12 Ai bëri tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij.

13 Kur nxjerr zërin e tij ka një zhurmë ujërash në qiell; ai i bën avujt të ngjiten nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun dhe nxjerr erën nga rezervuaret e tij.

14 Atëherë çdo njeri bëhet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë.

15 Janë kotësi, punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të vdekur.

16 Pjesa e Jakobit nuk është si ata, sepse Ai ka formuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zot i ushtrive."

17 "Mblidh sendet e tua nga vendi, ti që je i rrethuar".

18 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, këtë herë do t’i hedh larg banorët e vendit dhe do t’u sjell një fatkeqësi të madhe, me qëllim që të më gjejnë përsëri".

19 Mjerë unë për plagën time, plaga ime është e dhembshme. Por unë kam thënë: "Kjo është një sëmundje që unë duhet ta duroj".

20 Çadra ime është shkatërruar dhe të gjithë litarët e mi janë këputur; bijtë e mi kanë shkuar larg meje dhe nuk janë më; nuk ka më asnjë që të vendosë çadrën time apo të ngrerë shatorret e mia.

21 Sepse barinjtë kanë qenë pa mend dhe nuk kanë kërkuar Zotin; prandaj nuk kanë pasur mbarësi dhe tërë kopeja e tyre është shpërndarë.

22 Ja, po vjen një zhurmë lajmesh dhe një rrëmujë e madhe nga vendi i veriut, për t’i katandisur qytetet e Judës si shkretëtira, si strehim për çakejtë.

23 O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.

24 Më korrigjo, o Zot, por me drejtësi, jo në zemërimin tënd për të mos më reduktuar në asgjë.

25 Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi popujt që nuk përmendin emrin tënd, sepse kanë gllabëruar Jakobin; po, e kanë gllabëruar dhe konsumuar dhe kanë shkatërruar banesën e tij.

11 Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:

"Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhje dhe foluni njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit.

U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: I mallkuar qoftë ai njeri që nuk dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje,

që unë u urdhërova etërve tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga furra prej hekuri, duke thënë: "Dëgjoni zërin tim dhe i bëni këto gjëra në bazë të atyre që ju komandoj; atëherë ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj,"

me qëllim që unë të mund të plotësoj betimin që u kam bërë etërve tuaj, t’u jap atyre një vend ku të rrjedhë qumësht dhe mjaltë, ashtu si po ndodh sot". Unë u përgjigja dhe thashë: "Kështu qoftë, o Zot!".

Atëherë Zoti më tha: "Shpalli tërë këto fjalë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, duke thënë: Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe zbatojini në praktikë.

Sepse i kam nxitur me insistim etërit tuaj që nga dita që i nxora nga vendi i Egjiptit e deri më sot, i kam nxitur me urgjencë duke thënë: Dëgjoni zërin tim!!".

Por ata nuk e dëgjuan as ia vunë veshin, por secili eci sipas kryeneçësisë së zemrës së keqe të tij; prandaj unë do të bëj që të goditen nga të gjitha gjërat e përmendura në këtë besëlidhje, për të cilat kisha urdhëruar t’i respektonin, por që ata nuk i respektuan".

Pastaj Zoti më tha: "U zbulua një komplot midis njerëzve të Judës dhe midis banorëve të Jeruzalemit.

10 Janë kthyer në paudhësitë e etërve të tyre të lashtë, të cilët nuk pranuan të dëgjojnë fjalët e mia, dhe u shkuan pas perëndive të tjera, për t’u shërbyer; shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë shkelur besëlidhjen që unë kisha lidhur me etërit e tyre".

11 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ta një gjëmë, nga e cila nuk do të mund të shpëtojnë. Ata do të më klithin, por unë nuk do t’i dëgjoj.

12 Atëherë qytetet e Judës dhe banorët e Jeruzalemit do të shkojnë t’u klithin perëndive të cilave u kanë djegur temjan, por këta nuk do t’i shpëtojnë në kohën e gjëmës së tyre.

13 Sepse o Judë perënditë e tua janë të shumta si qytetet e tua, dhe altarët që keni ngritur për atë gjë të turpshme, altarët për t’i djegur temjan Baalit, janë të shumtë si rrugët e Jeruzalemit.

14 Prandaj mos u lut për këtë popull dhe mos ngri për të asnjë britmë a lutje, sepse unë nuk do t’i kënaq kur do të më klithin mua për fatkeqësinë e tyre".

15 Çfarë bën i preferuari im në tempullin tim, kur ka kryer shumë veprime të kobshme? A do të mundin mishrat e shenjtëruara të largojnë prej teje ligësinë tënde, me qëllim që ti të mund të gëzohesh?

16 Zoti të kishte thirrur me emrin Ulli i gjelbëruar i bukur, me fryte të shijshme. Në zhurmën e një rrëmuje të madhe, ai do t’i vërë zjarr dhe degët e tij do të shkatërrohen.

17 Zoti i ushtrive që të kishte mbjellë ka dekretuar fatkeqësinë kundër teje, për shkak të ligësisë sate në dëm të vetë shtëpisë së Izraelit dhe të shtëpisë së Judës, duke provokuar zemërimin tim dhe duke i djegur temjan Baalit".

18 Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mësova; atëherë ti më tregove veprimet e tyre.

19 Unë isha si një qengj i butë që e çojnë në thertore dhe nuk dija që kurdisnin intriga kundër meje, duke thënë: "Të shkatërrojmë drurin bashkë me frytin e tij dhe ta zhdukim nga toka e të gjallëve, me qëllim që emri i tij të mos kujtohet më".

20 Por, o Zot i ushtrive, gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse unë të bëra të njohur çështjen time.

21 Prandaj kështu thotë Zoti përsa i përket njerëzve të Anathothit që kërkojnë jetën tënde, duke thënë: "Mos bëj profecira në emër të Zotit, që të mos vdesësh nga dora jonë".

22 Kështu, pra, thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t’i dënoj; të rinjtë do të vdesin nga shpata, bijtë e tyre dhe bijat e tyre do të vdesin nga uria.

23 Nuk ka për të mbetur asnjë prej tyre, sepse unë do të sjell një gjëmë mbi njerëzit e Anathothit, në vitin e ndëshkimit të tyre".