Add parallel Print Page Options

20 Pashhuri, bir i Imerit, prift dhe shef i kryeintendentëve në shtëpinë e Zotit, dëgjoi Jeremian që profetizonte këto gjëra.

Atëherë Pashhuri rrahu profetin Jeremia dhe e futi në burgun që ndodhej në portën e sipërme të Beniaminit pranë shtëpisë të Zotit.

Të nesërmen Pashhuri e nxori nga burgu Jeremian. Jeremia i tha: "Zoti nuk të quan më Pashhur, por Magor-Misabib.

Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë do të të braktis ty dhe tërë shokët e tu në dorë të tmerrit; ata do të bien nga shpata e armiqve të tyre dhe sytë e tu kanë për ta parë. Do ta jap tërë Judën në duart e mbretit të Babilonisë, që do t’i çojë në robëri në Babiloni dhe do t’i godasë me shpatë.

Përveç kësaj tërë pasuritë e këtij qyteti, tërë prodhimin e mundit të tij dhe të gjitha sendet e tij të çmuara, po, do t’i jap tërë thesaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre që do t’i plaçkisin, do t’i marrin dhe do t’i çojnë në Babiloni.

Dhe ti, Pashhur, dhe tërë ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri; do të shkosh në Babiloni, aty ke për të vdekur dhe aty ke për t’u varrosur, ti dhe tërë miqtë e tu të cilëve u ke profetizuar gënjeshtra".

Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.

Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: "Dhunë dhe plaçkitje!". Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.

Atëherë unë thashë: "Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij". Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.

10 Dëgjoja shpifjet e shumë vetave: "Tmerr rreth e qark! Paditeni dhe do ta padisim!". Tërë ata me të cilët jetoja në paqe prisnin që unë të pengohesha dhe thonin: "Ndofta do të bindet, kështu ne do të kemi epërsi mbi të dhe do të hakmerremi kundër tij".

11 Por Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe, sepse nuk do t’ia dalin mbanë; turpi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të harrohet.

12 Por ti, o Zot i ushtrive, që provon të drejtin dhe heton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse ty të kam besuar çështjen time.

13 Këndojini Zotit, lëvdoni Zotin, sepse ka çliruar jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësve.

14 Mallkuar qoftë dita në të cilën linda! Mos qoftë e bekuar dita në të cilën nëna ime më lindi!

15 Mallkuar qoftë njeriu që i shpuri lajmin atit tim, duke thënë: "Të ka lindur një bir mashkull," gjë që e mbushi me gëzim.

16 Qoftë ai njeri si qytetet që Zoti ka shkatërruar pa kurrfarë keqardhje. Dëgjoftë klithmën në mëngjes dhe zhurmat e luftës në mesditë,

17 sepse nuk më kanë bërë të vdes në bark të nënës; kështu nëna ime do të ishte varri im dhe barku i saj i ngarkuar për gjithnjë.

18 Pse kam dalë nga barku i nënës, për të parë vuajtje, dhembje dhe për t’i mbaruar ditët e mia me turp?

21 Fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti, kur mbreti Sedekia i dërgoi Pashhurin, birin e Malkiahut dhe Sofonien, birin e Malklahut, priftit, për t’i thënë:

"Konsulto, pra, për ne Zotin, sepse Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, bën luftë kundër nesh. Ndofta Zoti do të veprojë me ne sipas të gjitha mrekullive të tij, dhe ai do të tërhiqet nga ne".

Atëherë Jeremia u tha atyre: "Do t’i thoni kështu Sekedias:

Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të bëj që të tërhiqen armët e luftës që janë në duart tuaja, me të cilat po luftoni kundër mbretit të Babilonisë, kundër Kaldeasve që ju rrethojnë jashtë mureve, dhe do t’i grumbulloj në mes të këtij qyteti.

Unë vetë do të luftoj kundër jush me dorën e shtrirë dhe me krahë të fuqishëm, me zemërim, me tërbim dhe me indinjatë të madhe.

Do t’i qëlloj banorët e këtij qyteti, si njerëzit ashtu edhe kafshët; ata do të vdesin nga një murtajë e madhe.

Mbas kësaj," thotë Zoti, "do të jap Sedekian, mbretin e Judës, dhe shërbëtorët e tij, popullin dhe ata që në këtë qytet do të kenë shpëtuar nga murtaja, nga shpata nga uria, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, në dorë të armiqve të tyre dhe në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre. Ai do t’i vrasë me shpatë: nuk ka për t’i falur, as nuk do t’i vijë keq dhe as nuk do të ketë mëshirë për ta.

Dhe këtij populli do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ja, unë vë para jush rrugën e jetës dhe rrugën e vdekjes.

Ai që mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria dhe nga murtaja; por ai që ka për të dalë dhe do t’u dorëzohet Kaldeasve që ju rrethojnë ka për të jetuar dhe do të ketë si pre jetën e tij.

10 Sepse unë e kam kthyer fytyrën time kundër këtij qyteti për fat të keq dhe jo për të mirë," thotë Zoti. "Ai do t’i jepet në dorë mbretit të Babilonisë dhe ai do ta djegë me zjarr".

11 Në shtëpinë e mbretërve të Judës do të thuash: "Dëgjoni fjalën e Zotit:

12 O shtëpia e Davidit," kështu thotë Zoti: "Ushtroni drejtësinë që në mëngjes dhe çliroheni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, me qëllim që zemërimi im të mos shpërthejë si zjarr dhe të djegë pa qenë njeri në gjendje ta shuajë, për të shkak të ligësisë së veprimeve tuaja.

13 Ja ku jam kundër teje, o banuese e luginës, shkëmb i fushës," thotë Zoti. "Ju që thoni: "Kush do të zbresë kundër nesh? Kush ka për të hyrë në banesat tona?,"

14 unë do t’ju dënoj sipas frytit të veprimeve tuaja," thotë Zoti, "dhe do t’i vë zjarr pyllit të tij, që do të gllabërojë të gjitha gjërat që ka përreth".