Add parallel Print Page Options

11 Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.

Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit.

I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti, nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen,

por do t’i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.

Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij.

Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.

Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.

Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.

Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.

10 Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isaias do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.

11 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shtrijë dorën e tij për herë të dytë për të shpenguar mbetjen e popullit të tij që shpëtoi nga Asiria dhe nga Egjipti, nga Pathrosi dhe Etiopia, nga Elami, nga Shinari, nga Hamathi dhe nga ishujt e detit.

12 Ai do të ngrerë flamurin për kombet, do të mbledhë të dëbuarit e Izraelit dhe do të grumbullojë ata që u shpërndanë nga Juda në të katër anët e dheut.

13 Smira e Efraimit do të zhduket dhe kundërshtarët e Judës do të asgjesohen; Efraimi nuk do ta ketë më zili Judën dhe Juda nuk do të ketë më armiqësi me Efraimin.

14 Ata do t’u sulen me turr Filistejve nga pas, në drejtim të perëndimit, bashkë do të plaçkitin bijtë e lindjes; do të vënë dorën e tyre mbi Edomin dhe mbi Moabin, dhe bijtë e Amonit do të jenë nënshtetas të tyre.

15 Zoti do të shkatërrojë plotësisht gjuhën e detit të Egjiptit dhe me fuqinë e frymës së tij do të lëvizë dorën e tij mbi lumin dhe do të godasë duke e ndarë në shtatë kanale, kështu që të ketë mundësi të kapërcehet me sandale.

16 Do të ketë një rrugë për mbetjen e popullit të tij që ka mbetur në Asiri, ashtu si pati një rrugë për Izraelin ditën që doli nga vendi i Egjiptit.

12 Atë ditë do të thuash: "Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi yt me mua u qetësua dhe më ka ngushëlluar.

Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im".

Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.

Atë ditë do të thoni: "Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.

Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën.

Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj".

13 Profecia mbi Babiloninë, që ju paraqit në vegim Isaias, birit të Amotsit.

"Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave.

Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time.

Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma plot rrëmet e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë.

Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun.

Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit.

Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet.

Do t’i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta.

Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj.

10 Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj.

11 Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t’i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve.

12 Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit.

13 Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij.

14 Atëherë si një gazelë e ndjekur apo si një kope që askush nuk e mbledh, gjithkush do të kthehet drejt popullit të tij, gjithkush do të ikë në vend të vet.

15 Kushdo që do të gjendet do të shpohet dhe kushdo që do të kapet do të vritet me shpatë.

16 Fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë para syve të tyre, shtëpitë e tyre do të plaçkiten dhe gratë e tyre do të dhunohen.

17 Ja, unë po nxis kundër tyre Medët që nuk do ta kenë mendjen te argjendi dhe nuk gjejnë kënaqësi te ari.

18 Harqet e tyre do t’i rrëzojnë për tokë të rinjtë; nuk do të kenë mëshirë për foshnjat në bark të nënës; syri i tyre nuk do t’i kursejë fëmijët.

19 Kështu Babilonia, shkëlqimi i mbretërive, lavdia e krenarisë së Kaldeasve, do të jetë si Sodoma dhe Gomora kur Perëndia i përmbysi.

20 Ajo nuk do të banohet më as nuk do të popullohet brez pas brezi; Arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t’i ndalin aty kopetë e tyre.

21 Por aty do të pushojnë bishat e shkretëtirës, shtëpitë e tyre do të mbushen me huta, do të banojnë aty strucat, do të hedhin valle satirët.

22 Hienat do të ulërijnë në shtëpitë e tij të shkretuara, çakajtë në pallatet e tij luksoze. Koha e tij po afrohet, ditët e tij nuk do të zgjaten më".