Zanafilla 43:16-44:34
Albanian Bible
16 Kur Jozefi pa Beniaminin bashkë me ta, i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çoji këta njerëz në shtëpi, ther një kafshë dhe përgatit një banket, sepse ata do të hanë drekë bashkë me mua".
17 Dhe ai bëri ashtu siç e urdhëroi Jozefi dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit.
18 Por ata u trembën, për shkak se i kishin çuar në shtëpi të Jozefit dhe thanë: "Na sollën këtu për shkak të atyre parave që na u vunë në trastat të parën herë, për të gjetur një shkas kundër nesh, për t’u sulur mbi ne dhe për të na zënë skllevër bashkë me gomarët tonë".
19 Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë:
20 "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime;
21 dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete.
22 Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t’i ketë vënë paratë tona në trastat tona".
23 Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin.
24 Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre.
25 Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.
26 Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë.
27 Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Éshtë ende gjallë?".
28 Ata u përgjegjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur.
29 Pastaj Jozefi ngriti sytë, pa vëllanë e tij Beniaminin, bir i nënës së tij, dhe tha: "Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët?". Dhe shtoi: "Perëndia të ndihmoftë, biri im!".
30 Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij, dhe kërkonte vend ku të qante. Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau.
31 Pastaj lau fytyrën dhe doli; dhe duke i dhënë zemër vetes, tha: Shtrojeni drekënn".
32 Dreka u shtrua veçmas për të, veçmas për ata dhe për Egjiptasit që hanin veçmas nga ai, sepse Egjiptasit nuk mund të hanin bashkë me Hebrejtë; kjo do të ishte një gjë e neveritshme për Egjiptasit.
33 Kështu ata u ulën përpara tij: i parëlinduri simbas së drejtës së tij të parëbirnisë dhe më i riu simbas moshës së tij; dhe e shikonin njëri-tjetrin me habi.
34 Dhe Jozefi urdhëroi që t’u sillnin racione nga tryeza e vet; por racioni i Beniaminit ishte pesë herë më i madh nga ai i secilit prej tyre. Dhe pinë dhe u gëzuan me të.
44 Jozefi i dha këtë urdhër kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Mbushi trastat e këtyre njerëzve me aq ushqime sa mund të mbajnë dhe vëri paratë e secilit në grykën e çdo traste.
2 Përveç kësaj vëre kupën time, kupën prej argjëndi, në grykën e trastës të më të riut, bashkë me paratë e grurit të tij". Dhe ai bëri ashtu siç i tha Jozefi.
3 Në mëngjes, sa u bë ditë, i nisën ata njerëz me gomarët e tyre.
4 Sapo kishin dalë nga qyteti dhe nuk ishin akoma larg, kur Jozefi i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çohu, ndiqi ata njerëz dhe kur t’i kesh arritur, thuaju atyre: "Pse e shpërblyet të mirën me të keqe?
5 A nuk është ajo kupa me të cilën pi zotëria im dhe që e përdor për të parathënë të ardhmen? Keni vepruar keq duke u sjellë kështu"".
6 Ai i arriti ata dhe u tha këto fjalë.
7 Atëherë ata iu përgjegjën: "Pse zotëria im na drejton fjalë si këto? Shërbyesit e tu duhet t’i shmangen një qëndrimi të tillë!
8 Ja, pra, ne të kemi rikthyer nga vendi i Kanaanit paratë që kishim gjetur në grykën e trastave tona; si mund të vidhnim argjend ose flori nga shtëpia e zotërisë tënd?
9 Ai prej shërbëtorëve të tu të cilit do t’i gjendet kupa, të dënohet me vdekje; edhe gjithashtu ne do të bëhemi skllevër të zotërisë tënd".
10 Ai tha: "Mirë, pra, le të bëhet si thoni ju: ai të cilit do t’i gjendet kupa do të bëhet skllavi im dhe ju do të jeni të pafaj".
11 Kështu secili prej tyre nxitoi të ulë për tokë trastën e vet dhe e hapi.
12 Dhe kryeshërbëtori i kontrolloi, duke filluar nga më i moshuari dhe duke mbaruar me më të riun; dhe kupa u gjet në thesin e Beniaminit.
13 Atëherë ata i shqyen rrobat e tyre, ringarkuan secili gomarin e vet dhe u kthyen në qytet.
14 Juda dhe vëllezërit e tij arritën në shtëpinë e Jozefit, që gjendej akoma aty, dhe u shtrinë për tokë para tij.
15 Dhe Jozefi u tha atyre: "Çfarë veprimi është ky që keni bërë? Nuk e dini që një njeri si unë është në gjëndje të parathotë të ardhmen?".
16 Juda u përgjegj: "Ç’do t’i themi zotërisë tim? Çfarë fjalë do të përdorim ose si do të mund të justifikohemi? Perëndia ka rigjetur paudhësinë e shërbëtorëve të tu. Ja, jemi skllevër të zotërisë tim, si ne ashtu edhe ai në dorën e të cilit u gjet kupa".
17 Por Jozefi tha: "Larg meje një veprim i tillë! Njeriu, në dorën e të cilit u gjet kupa, do të jetë skllavi im; sa për ju, kthehuni në paqe tek ati juaj".
18 Atëherë Juda iu afrua Jozefit dhe i tha: "Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t’i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tënd, sepse ti je si Faraoni.
19 Zotëria im i pyeti shërbëtorët e tij duke thënë: "A keni ju baba apo vëlla?".
20 Dhe ne iu përgjegjëm zotërisë tim: "Kemi një baba që është plak me një bir të ri, që i ka lindur në pleqëri; i vëllai ka vdekur, kështu ai ka mbetur i vetmi bir i nënës së tij dhe i ati e do".
21 Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: "Sillmani këtu që të mund ta shoh me sytë e mi".
22 Dhe ne i thamë zotërisë tim: "Fëmija nuk mund ta lërë atin e tij, sepse po të duhej ta linte, i ati do të vdiste".
23 Por ti u the shërbëtorëve të tu: "Në rast se vëllai juaj më i ri nuk zbret bashkë me ju, ju nuk do ta shihni më fytyrën time".
24 Kështu që kur u ngjitëm përsëri te shërbëtori yt, ati im, i treguam fjalët e zotërisë tim.
25 Atëherë ati ynë tha: "Kthehuni të na blini pak ushqime".
26 Ne u përgjegjëm: "Nuk mund të zbresim atje poshtë; do të zbresim vetëm në rast se vjen me ne vëllai ynë më i vogël; sepse nuk mund ta shohim fytyrën e atij njeriu po të jetë se vëllai ynë më i vogël nuk është me ne".
27 Dhe shërbëtori yt, ati ynë, na u përgjegj: "Ju e dini që gruaja ime më lindi dy bij;
28 njëri prej tyre më la dhe unë i thashë: Me siguri ai është bërë copë e çikë dhe nuk e kam parë më qysh atëherë;
29 dhe po të ma hiqni edhe këtë dhe i ndodh ndonjë fatkeqësi, ju do të kallni në varr pleqërinë time të dhembshme".
30 Kështu, pra, kur të arrij te shërbëtori yt, ati im, në qoftë se fëmija nuk është me ne, sepse jeta e tij është e lidhur me atë të fëmijës,
31 do të ndodhë që, sa të shohë që fëmija nuk është me ne, ai ka për të vdekur; dhe shërbëtorët e tu do ta kenë kallur në varr pleqërinë e shërbëtorit tënd, të atit tonë.
32 Tani, me qenë se shërbëtori yt është bërë dorëzanë për fëmijën pranë atit tim dhe i ka thënë: "Në rast se nuk do ta rikthej do të jem për gjithnjë fajtor ndaj atit tim,"
33 lejo, pra, tani që shërbëtori yt të mbetet skllav i zotërisë tim në vend të fëmijës, dhe që fëmija të kthehet me vëllezërit e tij.
34 Sepse si mund të rikthehem tek ati im në qoftë se fëmija nuk është me mua? Ah, mos e pafsha dhembjen që do të pushtonte atin tim!".