Add parallel Print Page Options

29 Pastaj Jakobi u nis dhe shkoi në vendin e lindorëve.

Shikoi dhe pa një pus në një arë, dhe aty pranë tri kope dhensh të mbledhura tok, sepse ai pus shërbente për t’u dhënë ujë kopeve të dhenve; dhe rrasa mbi grykën e pusit ishte e madhe.

Aty mblidheshin zakonisht tërë kopetë; atëherë çobanët e hiqnin rrasën nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë dhenve; pastaj e vinin përsëri rrasën në vendin e saj, në grykën e pusit.

Dhe Jakobi u tha atyre: "Vëllezër të mi, nga jeni?" Ata u përgjigjën: Jemi nga Haranii".

Atëherë ai u tha atyre: "E njihni ju Labanon, birin e Nahorit?". Ata u përgjigjën: "E njohim".

Ai u tha atyre: "A është mirë ai?". Ata u përgjigjën: "Éshtë mirë; dhe ja bija e tij Rakela, e cila po vjen me delet".

Ai tha: "Ja, është ende ditë për diell dhe nuk ka ardhur koha për të mbledhur bagëtinë; jepuni ujë deleve dhe pastaj i çoni të kullosin"

Por ata u përgjigjën: "Nuk mundemi deri sa të gjitha kopetë të mblidhen, e të kemi hequr rrasën nga gryka e pusit; atëherë do t’u japim ujë deleve".

Ai po vazhdonte të fliste me ta kur arriti Rakela me delet e të atit, sepse ajo ishte një bareshë.

10 Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanos, vëllai i nënës së tij, dhe delet e Labanos, vëlla i nënës së tij, ai u afrua, e hoqi rrasën nga gryka e pusit, dhe i dha ujë kopesë së Labanos, vëllait të nënës së tij.

11 Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau.

12 Pastaj Jakobi e njoftoi Rakelën se ishte i një gjaku me të atin dhe ishte bir i Rebekës. Dhe ajo vrapoi t’ia tregonte të atit.

13 Sapo Labano dëgjoi lajmet e Jakobit, birit të motrës së tij, vrapoi drejt tij, e përqafoi, e puthi dhe e çoi në shtëpinë e tij. Dhe Jakobi i tregoi Labanos tërë ato gjëra.

14 Atëherë Labano i tha: "Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im!". Dhe ai qëndroi një muaj me të.

15 Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote".

16 Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.

17 Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme.

18 Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël".

19 Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua".

20 Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.

21 Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të".

22 Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket.

23 Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri te ajo.

24 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij.

25 Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?".

26 Labano u përgjegj: "Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.

27 Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera".

28 Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela.

29 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Bilhah si shërbyese Rakelës, bijës së tij.

30 Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean; dhe shërbeu shtatë vjet të tjera te Labano.

31 Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë.

32 Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojëë".

33 Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: "Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir". Dhe e quajti Simeon.

34 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: "Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij". Prandaj u quajt Levi.

35 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: "Këtë radhë do të kremtoj Zotin". Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.

30 Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: "Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes".

Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: "Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?".

Ajo u përgjegj: "Ja shërbyesja ime Bilhah; hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi; kështu nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë".

Kështu ajo i dha për grua shërbyesen e vetë Bilhah dhe Jakobi hyri tek ajo.

Dhe Bilhah u ngjiz dhe i dha një bir Jakobit.

Atëherë Rakela tha: "Perëndia më dha të drejtë; ai dëgjoi gjithashtu zërin tim dhe më dha një bir". Prandaj i vuri emrin Dan.

Pastaj Bilhah, shërbyesja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit.

Atëherë Rakela tha: "Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare". Prandaj e quajti djalin Neftali.

Por Lea, duke parë që nuk po bënte më fëmijë, mori shërbyesen e saj Zilpah dhe ia dha për grua Jakobit

10 Kështu Zilpah, shërbyesja e Leas, i lindi një bir Jakobit.

11 dhe Lea tha: "Ç’fat!". Dhe i vuri emrin Gad.

12 Pastaj Zilpah, shërbëtore e Leas, i lindi Jakobit një bir të dytë.

13 Dhe Lea tha: "Sa e lumtur jam! Sepse gratë do të më quajnë të lumtur". Prandaj i vuri emrin Asher.

14 Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti në fushat mandragora dhe ia çoi nënës së tij, Leas. Atëherë Rakela i tha Leas: "Më jep edhe mua ca mandragora të birit tënd!".

15 Ajo iu përgjegj: "Të duket gjë e vogël që më more burrin, dhe tani kërkon të marrësh edhe mandragorat e djalit tim?". Rakela tha: "Mirë, pra, si shpërblim për mandragorat e birit tënd, sonte ai do të bjerë në shtrat me ty".

16 Kur në mbrëmje Jakobi u kthye nga arat, Lea doli ta takojë dhe i tha: Duhet të hysh tek unë, se të kam shtënë në dorë me mandragorat e biritt tim". Kështu, atë natë, ai ra në shtrat me të.

17 Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë.

18 Dhe ajo tha: "Perëndia më dha shpërblimin që më takonte, sepse i dhashë shërbyesen time burrit tim". Dhe e quajti Isakar.

19 Pastaj Lea u ngjiz përsëri dhe i dha Jakobit një bir të gjashtë.

20 Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon.

21 Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina.

22 Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme;

23 kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: "Perëndia e hoqi turpin tim".

24 Dhe e quajti Jozef, duke thënë: "Zoti më shtoftë një bir tjetër".

25 Mbas lindjes së Jozefit nga Rakela, Jakobi i tha Labanos: "Më lejo të iki, që të shkoj në shtëpinë time, në vendin tim.

26 Më jep gratë e mia dhe bijtë e mi, për të cilët të kam shërbyer dhe lermë të iki, mbasi ti e njeh mirë shërbimin që të kam bërë".

27 Por Labano i tha: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro, sepse kam prekur me dorë që Zoti më ka bekuar për shkakun tënd".

28 Pastaj tha: "Ma cakto pagesën tënde dhe unë do të ta jap".

29 Jakobi iu përgjegj: "Ti e di si të kam shërbyer, dhe çfarë i ka ndodhur bagëtisë sate në duart e mia.

30 Sepse ajo që ti kishe para se të vija unë ishte pak, por tani është rritur shumë; dhe Zoti të ka bekuar kudo që kam qënë unë. Por tani kur do të punoj edhe për shtëpinë time?".

31 Labano tha: "Sa duhet të të jap?". Jakobi iu përgjigj: "Nuk duhet të më japësh asgjë; në qoftë se ti do të bësh atë që po të them, do të mbetem këtu për të kullotur kopetë e tua dhe për t’u kujdesur për to.

32 Do të kaloj ditën e sotme në mes tërë kopeve të tua dhe do të veçoj të gjitha kafshët laramane dhe pikalarme, të gjithë qingjat e zinj dhe të gjitha dhitë lara-lara ose pika-pika. Dhe këto kafshë do të jenë pagesa ime.

33 Kështu tani e tutje ndershmëria ime do të përgjigjet para teje për personin tim, kur do të vish të kontrollosh pagesën time; çdo bagëti që nuk është laramane a me pika midis dhive dhe çdo qengj jo i zi do të konsiderohet i vjedhur po të gjindet pranë meje".

34 Labano tha: "Mirë, le të bëhet ashtu si thua ti!".

35 dhe po atë ditë veçoi cjeptë vija-vija dhe me pika dhe të gjitha dhitë laramane dhe pika pika, çdo bagëti që kishte një njollë të bardhë apo çdo dele e zezë midis dhenve, dhe ua la bijve të vet.

36 Dhe Labano vendosi një distancë prej tri ditësh me këmbë midis vetes së tij dhe Jakobit; dhe Jakobi kulloste pjesën që mbeti nga kopetë e Labanos.

37 Dhe Jakobi mori disa purteka të njoma plepi, bajameje dhe rrapi; u bëri disa zhvoshkje, duke zbuluar të bardhën e purtekave.

38 Pastaj i vendosi purtekat që kishte zhvoshkur që të shikoheshin nga dhentë në koritë, domethënë në vendet ku kopetë vinin për të pirë ujë; dhe kafshët vinin në afsh kur vinin për të pirë.

39 Kështu kafshët vinin në afsh përpara purtekave dhe pillnin qengja vija-vija, lara-lara dhe pika pika.

40 Pastaj Jakobi i veçonte këta qengja dhe bënte që kopetë t’i kthenin sytë nga kafshët vija-vija dhe nga tërë ato të zeza në kopenë e Labanos. Ai formoi kështu kope të veçanta, që nuk i bashkoi me kopetë e Labanos.

41 Por ndodhte që sa herë kafshët e fuqishme të kopesë vinin në afsh, Jakobi i vinte purtekat në koritë para deleve, në mënyrë që këto të hynin në afsh afër purtekave;

42 Por kur kafshët e kopesë ishin të dobëta, nuk i vinte ato; kështu që qengjat e dobëta ishin të Labanos dhe ata të shëndoshë të Jakobit.

43 Kështu ai u bë shumë i pasur dhe pati një numër të madh kopesh, shërbëtoresh, shërbëtorësh, devesh dhe gomarësh.