Add parallel Print Page Options

18 Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës.

Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha:

"Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd!

Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë.

Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj". Ata i thanë: "Bëj siç ke thënë".

Atëherë Abrahami shkoi me ngut në çadër, te Sara, dhe i tha: "Merr shpejt tri masa majë mielli, gatuaj brumin dhe bëj me to kuleç".

Pastaj Abrahami shkoi në kopenë e bagëtive, zgjodhi një viç të njomë dhe të mirë, ia dha një shërbyesi dhe nxitoi ta përgatisë.

Mori pastaj gjizë, qumësht dhe viçin që kishte përgatitur dhe i vuri para tyre; ndërsa ata hanin, ai qëndroi më këmbë pranë tyre poshtë pemës.

Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjegj: "Éshtë atje në çadër".

10 Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij.

11 Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave.

12 Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qënë se vetë zoti im është plak?".

13 Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?".

14 A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir".

15 Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha," sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!".

16 Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.

17 Dhe Zoti tha: "A do t’ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë,

18 mbasi Abrahami duhet të bëhet një komb i madh dhe i fuqishëm dhe tek ai do të bekohen tërë kombet e tokës?.

19 Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit".

20 Dhe Zoti tha: "Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomora është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë,

21 unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj".

22 Pastaj këta njerëz u larguan së andejmi dhe shkuan në drejtim të Sodomës, por Abrahami mbeti ende para Zotit.

23 Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: "Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin?

24 Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t’i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj?

25 Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?".

26 Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre".

27 Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi.

28 Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj".

29 Abrahami vazhdoi t’i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve".

30 Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë".

31 Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve".

32 Dhe Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?". Zoti u përgjegj: Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëvee".

33 Sa mbaroi së foluri me Abrahamin, Zoti u largua. Dhe Abrahami u kthye në banesën e tij.

19 Por të dy engjëjt arritën në mbrëmje në Sodomë, ndërsa Loti ishte ulur te porta e Sodomës; sa i pa, ai u ngrit më këmbë për t’u dalë përpara dhe u shtri me fytyrën në tokë,

dhe tha: "Zotërinjtë e mi, ju lutem, hyni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj, kaloni aty natën dhe lani këmbët; pastaj nesër në mëngjes mund të çoheni shpejt dhe të vazhdoni udhën tuaj". Ata u përgjigjën: "Jo; do ta kalojmë natën në sheshin".

Por ai nguli këmbë aq shumë sa që ata erdhën tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një banket dhe poqi bukë pa tharm, dhe ata hëngrën.

Por para se të shkonin në shtrat, njerëzit e qytetit, njerëzit e Sodomës, rrethuan shtëpinë; ishin të rinj e pleq, tërë popullsia e mbledhur nga çdo anë;

thirrën Lotin dhe i thanë: "Ku janë njerëzit që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që të mund t’i njohim!".

Loti doli drejt atyre para portës së shtëpisë, e mbylli portën pas tij dhe tha:

"Oh, vëllezër të mi, mos u sillni kaq keq!

Dëgjoni, unë kam dy vajza që nuk kanë njohur burrë; prandaj më lini që t’i nxjerr jashtë dhe bëni ç’të doni me to; por mos u bëni asgjë këtyre burrave, sepse janë nën mbrojtjen e shtëpisë sime".

Por ata i thanë: "Shko tutje!". Pastaj vazhduan: "Ky erdhi këtu si i huaj, dhe dëshiron të bëhet gjykatës! Tani do të sillemi më keq me ty se sa me ata!". Dhe duke e shtyrë Lotin me dhunë, u afruan për të shpërthyer derën.

10 Por ata njerëz zgjatën duart e tyre dhe e tërhoqën Lotin brenda shtëpisë bashkë me ta, dhe mbyllën derën.

11 Goditën verbërisht njerëzit që ishin te dera e shtëpisë, nga më i vogli deri te më i madhi, kështu që u lodhën në orvatjen për të gjetur derën.

12 Atëherë ata njerëz i thanë Lotit: "Kë ke tjetër këtu? Nxirr nga ky vend dhëndurët e tu, bijtë dhe bijat e tua, dhe cilindo që ke në qytet,

13 sepse ne po bëhemi gati ta shkatërrojmë këtë vend, sepse britma e banorëve të tij është e madhe përpara Zotit dhe Zoti na dërgoi për ta shkatërruar".

14 Atëherë Loti doli e u foli dhëndurëve të tij që ishin martuar me bijat e tij, dhe tha: "Çohuni, largohuni nga ky vend, sepse Zoti do ta shkatërrojë qytetin". Por dhëndurët e tij patën përshtypjen se ai po bënte shaka.

15 Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: "Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti".

16 Duke qenë se ai po ngurronte, ata njerëz e morën për dore atë, të shoqen dhe dy bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorrën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit.

17 Ndërsa po i çonin jashtë, njëri prej tyre tha: "Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!".

18 Por Loti iu përgjegj atyre: "Jo, zoti im!

19 Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes.

20 Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën".

21 Engjëlli i tha: "Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole.

22 Shpejto, ik atje, sepse unë nuk mund të bëj asgjë para se ti të arrish atje". Për këtë arsye ky qytet u quajt Coar.

23 Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti arriti në Coar.

24 Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit.

25 Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.

26 Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe.

27 Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në vendin ku kishte qëndruar para Zotit;

28 pastaj drejtoi shikimin nga Sodoma dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës, dhe kështu pa një tym që ngrihej nga toka, si tymi i një furre.

29 Kështu ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar.

30 Pastaj Loti doli nga Coari dhe shkoi të banojë në mal bashkë me dy bijat e tij, sepse kishte frikë të qëndronte në Coar; dhe u vendos në një shpellë bashkë me dy bijat e tij.

31 Më e madhja i tha më të voglës: "Babai ynë është plak, dhe nuk ka asnjë burrë në vend që mund të bashkohet me ne, ashtu siç ndodh mbi gjithë tokën.

32 Eja, t’i japim verë babait tonë e të shtrihemi bashkë me të; kështu do të mund t’i sigurojmë pasardhës babait tonë".

33 Kështu po atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe e madhja u shtri bashkë me të atin, por ai nuk u kujtua as kur ajo u shtri me të, as kur u ngrit.

34 Të nesërmen vajza më e madhe i tha më të voglës: "Ja, natën e kaluar unë rashë në shtrat bashkë me babanë tim; le të bëjmë që ai të pijë verë edhe sonte; pastaj ti futu dhe shtrihu me të, që të mund t’i sigurojmë pasardhës babait tonë".

35 Edhe atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe më e vogla shkoi të shtrihet bashkë me të, dhe ai nuk u kujtua as kur u shtri, as kur u ngrit.

36 Kështu dy bijat e Lotit u ngjizën nga babai i tyre.

37 Më e madhja lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Moab. Ky është babai i Moabitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.

38 Edhe më e vogla lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Ben-Ami. Ky është babai i Amonitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.