Zanafilla 13-15
Albanian Bible
13 Abrami, pra, u rikthye nga Egjipti në drejtim të Negevit bashkë me gruan dhe gjithçka zotëronte. Dhe Loti ishte bashkë me të.
2 Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar.
3 Nga Negevi ai vazhdoi udhëtimin e tij deri në Bethel, në vendin ku më parë ndodhej çadra e tij, midis Bethelit dhe Ait,
4 në vendin e altarit që kishte ndërtuar në krye, dhe aty Abrami i bëri thirrje emrit të Zotit.
5 Edhe Loti, që udhëtonte bashkë me Abramin, kishte kope bagëtish dhe çadra.
6 Dhe vendi nuk ishte në gjendje t’i mbante, po të banonin bashkë, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë.
7 Lindi kështu një mosmarrëveshje midis barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. Në atë kohë banonin në këtë vend Kananejtë dhe Perezejtë.
8 Dhe kështu Abrami i tha Lotit: "Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër.
9 A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas".
10 Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit.
11 Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t’izhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë njëri nga tjetri.
12 Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë.
13 Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit.
14 Dhe Zoti i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: "Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit.
15 Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë.
16 Dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj në se dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu.
17 Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty".
18 Atëherë Abrami i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit.
14 Por ndodhi në kohën e Amrafelit, mbret i Shinarit, e Ariokut, mbret i Elasarit e Kedorlaomerit, mbret i Elamit dhe i Tidealit, mbret i kombeve,
2 që ata i bënë luftë Beraut, mbret i Sodomës, Birshës, mbret i Gomorës, Shinabit, mbret i Admahut, Shemeberit, mbret i Ceboimit dhe mbretit të Belës (që është Coari).
3 Tërë këta të fundit u grumbulluan në luginën e Sidimit (që është Deti i Kripur).
4 Për dymbëdhjetë vjet ata qenë të nënshtruar nga Kedorlaomeri, por vitin e trembëdhjetë ngritën krye.
5 Vitin e katërmbëdhjetë Kedorlaomeri dhe mbretërit që ishin me të erdhën bashkë me të dhe i shpërndanë gjigantët në Ashterot-Karnaim, Zuzimët në Ham, Emimët në Shaveh-Kiriataim
6 dhe Horejtë në malet e tyre të Seirit deri në El-Paran, që ndodhet pranë shkretëtirës.
7 Pastaj u kthyen pas dhe erdhën në En-Mishpat (që është Kadeshi), plaçkitën tërë territorin e Amalekitëve si dhe të Amorejve që banonin në Hatsacon-Tamar.
8 Atëherë mbreti i Sodomës, mbreti i Gomorës, mbreti i Admahut, mbreti i Ceboimit dhe mbreti i Belës (që është Coari) dolën dhe u rreshtuan në luftë kundër tyre, në luginën e Sidimit;
9 kundër Kedorlaomerit mbret i Elamit, Tidealit mbret i kombeve, Amrafelit mbret i Shinarit dhe Ariokut mbret i Elasarit; katër mbretër kundër pesë.
10 Por lugina e Sidimit ishte plot me puse bitumi; dhe mbretërit e Sodomës dhe të Gomorës ua mbathën këmbëve dhe ranë brënda tyre; dhe ata që shpëtuan, shkuan në mal.
11 Dhe kështu fituesit shtinë në dorë tërë pasuritë e Sodomës dhe të Gomorës dhe tërë ushqimet e tyre, dhe ikën.
12 Morën me vete edhe Lotin, djali i vëllait të Abramit, bashkë me pasurinë e tij, dhe ikën. Loti banonte në Sodomë.
13 Por njëri nga të ikurit erdhi dhe ia tha Abram Hebreut, që banonte në lisat e Mamres, Amoreosit, vëlla i Eshkollit dhe vëlla i Anerit, që kishin lidhur aleancë me Abramin.
14 Kur Abrami mësoi se vëllai i tij ishte zënë rob, ai armatosi njerëzit e stërvitur, shërbyes të lindur në shtëpinë e tij, gjithsej treqind e tetëmbëdhjetë veta dhe i ndoqi mbretërit deri në Dan.
15 Ai i ndau forcat e tij kundër tyre natën, dhe me shërbyesit e tij i sulmoi dhe i ndoqi deri në Hobah, që ndodhet në të majtë të Damaskut.
16 Kështu ai rimori tërë pasurinë dhe solli me vete edhe Lotin, të vëllanë, dhe tërë pasurinë e tij, si edhe gratë dhe popullin.
17 Mbas kthimit të tij nga disfata e Kedorlaomerit dhe të mbretërve që ishin me të, mbreti i Sodomës vajti ta presë në luginën e Shavehut (që është Lugina e mbretit).
18 Atëherë Melkisedeku, mbret i Salemit, i shpuri bukë dhe verë. Ai ishte prift i Shumë të Lartit Perëndi.
19 Dhe bekoi Abramin, duke thënë: "Qoftë i bekuar Abrami nga Shumë i Larti Perëndi, sundimtar i qiejve dhe i tokës!
20 Qoftë i bekuar Shumë i Larti Perëndi, që të ka dhënë në dorë armiqtë e tu!". Dhe Abrami i dha një të dhjetën e çdo gjëje.
21 Pastaj mbreti i Sodomës i tha Abramit: "Nëm personat dhe merr për vete pasuritë".
22 Por Abrami iu përgjegj mbretit të Sodomës: "Unë kam ngritur dorën time drejt Zotit, Perëndisë Shumë të Lartë, zotërues i qiejve dhe i tokës,
23 që nuk do të merrja asgjë nga ajo që të përket, as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh, me qëllim që ti të mos thuash: "Unë e pasurova Abramin".
24 Nuk do të marr asgjë me vete, me përjashtim të atyreve që kanë ngrënë të rinjtë dhe të pjesës që u përket njerëzve që kanë ardhur me mua: Aneri, Eshkol dhe Mamreu; lëri që këta të marrin pjesën që u takon".
15 Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh".
2 Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?".
3 Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im".
4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt".
5 Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t’i numërosh," pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu".
6 Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.
7 Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend".
8 Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?".
9 Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri".
10 Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.
11 Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri.
12 Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë.
13 Atëherë Zoti i tha Abramit: "Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet.
14 Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qënë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha.
15 Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur.
16 Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse padrejtësia e Amorejve s’ka arritur ende kulmin".
17 Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë.
18 Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit:
19 Kenejtë, Kenizejtë, Kadmonejtë,
20 Hitejtë, Perezejtë, Refejtë,
21 Amorejtë, Kanaanejtë, Girgazejtë dhe Jebuzejtë".