Add parallel Print Page Options

19 "Kur Zoti, Perëndia yt, të ketë shfarosur kombet e vendeve që të jep dhe ti t’i kesh dëbuar dhe të banosh në qytetet dhe shtëpitë e tyre,

do të veçosh tri qytete, në mes të vendit, që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

Do të përgatisësh rrugë dhe do ta ndash në tri pjesë vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, me qëllim që çdo vrasës të mund të strehohet në të.

Dhe ky është rregulli për vrasësin që strehohet aty, që të shpëtojë jetën e tij: kushdo që ka vrarë të afërmin e tij pa dashje, pa e urryer më parë.

Kështu, kur dikush shkon me shokun e tij në pyll për të prerë dru dhe, ndërsa i bie një druri me sëpatë, sëpata del nga bishti dhe godet shokun që pastaj vdes, ai person do të strehohet në një nga këto qytete dhe do ta shpëtojë jetën;

sepse hakmarrësi i gjakut, ndërsa zemërimi i vlon në zemër, të mos e ndjekë vrasësin dhe ta arrijë, kur rruga është shumë e gjatë, dhe ta vrasë edhe pse nuk e meriton vdekjen, sepse në të kaluarën nuk e kishte urryer shokun e tij.

Prandaj të urdhëroj në këtë mënyrë: "Veço tri qytete".

Në rast se më pas Zoti, Perëndia yt, zgjeron kufijtë e tu, ashtu si u është betuar etërve të tu dhe ta jep tërë vendin që u kishte premtuar t’ua jepte etërve të tu,

në rast se ti respekton këto urdhra që unë të jap sot, duke e dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe duke ecur gjithnjë në rrugët e tij, atëherë do t’u shtosh tri qytete të tjera tri të parave,

10 me qëllim që të mos derdhet gjak i pafajshëm në mes të vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi dhe ti të mos bëhesh fajtor për vrasje.

11 Por në rast se një njeri urren të afërmin e tij, i zë pritë, e sulmon dhe e plagos për vdekje, dhe pastaj strehohet në një nga këto qytete,

12 pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë ta marrin që andej dhe do t’ia dorëzojnë hakmarrësit të gjakut që të vritet.

13 Syri yt nuk do të ketë mëshirë për të, por do t’i heqësh Izraelit fajin që ka derdhur gjak të pafajshëm, dhe kështu do të kesh mbarësi.

14 Nuk do të lëvizësh kufijtë e të afërmit tënd, të vendosura nga pasardhësit në trashëgiminë që do të gëzosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep në zotërim.

15 Një dëshmitar i vetëm nuk mjafton për të akuzuar dikë për çfarëdo krimi apo mëkati të kryer; fakti do të përcaktohet me deponimin e dy ose tre dëshmitarëve.

16 Në rast se kundër dikujt ngrihet një dëshmitar i rremë dhe e akuzon për një krim,

17 atëherë dy njerëzit midis të cilëve zhvillohet mosmarrëveshja do të paraqiten përpara Zotit, përpara priftërinjve dhe gjykatësve në funksion ato ditë.

18 Gjykatësi do ta hetojë me kujdes çështjen; dhe në rast se del që ai dëshmitar është një dëshmitar i rremë, që ka deponuar gënjeshtra kundër vëllait,

19 atëherë do t’i bëni atij atë që kishte ndër mënd t’i bënte vëllait të tij. Kështu do ta shkulni të keqen nga mesi juaj.

20 Të tjerët do ta mësojnë dhe do të trëmben, dhe qysh atëherë nuk do të kryhet më në mes tuaj një veprim aq i keq.

21 Syri yt nuk do të ketë mëshirë, por do t’i përmbahet rregullit jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë".

20 "Kur të shkosh në luftë kundër armiqve të tu dhe të shikosh kuaj, qerre dhe njerëz në një numër më të madh se ato që ke ti, mos ki frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, që të bëri të ngjitesh nga vendi i Egjiptit, është me ty.

Kështu, në çastin kur do të jeni duke filluar betejën, prifti do të dalë përpara dhe do t’i flasë popullit

dhe do t’i thotë: "Dëgjo, Izrael! Sot jeni gatitur për t’u ndeshur me armiqtë tuaj; zemra juaj të mos ju ligështohet; mos kini frikë, mos e humbni dhe mos u trembni para tyre,

sepse Zoti, Perëndia juaj, është ai që ecën me ju për të luftuar për ju kundër armiqve tuaj dhe për t’ju shpëtuar".

Pastaj oficerët do t’i flasin popullit, duke thënë: "A ka njeri që ka ndërtuar një shtëpi të re dhe ende nuk e ka përuruar? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpinë e tij, që të mos vdesë gjatë betejës dhe një tjetër të përurojë shtëpinë e tij.

A ka njeri të ketë mbjellë një vresht dhe të mos ketë shijuar akoma frutet e tij? Le të shkojë e të kthehet në shtëpi të tij, që të mos vdesë gjatë betejës dhe një tjetër të gëzojë frytet e tij.

A ka njeri që është fejuar me një femër dhe nuk e ka marrë akoma me vete? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që të mos vdesë në betejë dhe një tjetër ta marrë atë".

Pastaj oficerët do t’i flasin akoma popullit, duke i thënë: "A ka ndonjë që ka frikë dhe të cilit i mungon guximi? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që guximi i vëllezërve të tij të mos mehet ashtu si i ndodhi atij".

Kur oficerët të kenë mbaruar së foluri popullit, do të caktojnë komandantët e trupave të popullit.

10 Kur t’i afrohesh një qyteti për ta sulmuar, do t’i ofrosh së pari paqen.

11 Në qoftë se pranon ofertën tënde të paqes dhe t’i hap dyert e tij, tërë populli që ndodhet aty ka për të paguar haraçin dhe do të të shërbejë.

12 Por në rast se nuk do të bëjë paqe me ty dhe kërkon luftë kundër teje, atëherë ti do ta rrethosh.

13 Kur më vonë Zoti, Perëndia yt, do të ta japë në dorë, do të vrasësh me shpatë tërë meshkujt e tij;

14 por gratë, fëmijët, bagëtinë dhe të gjitha ato që ndodhen në qytetet, tërë prenë e tij, do t’i marrësh si plaçkën tënde; dhe do të hash plaçkën e armiqve të tu që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

15 Kështu do të veprosh në të gjitha qytetet që janë shumë larg nga ti dhe që nuk janë qytete të këtyre kombeve.

16 Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë;

17 por do të vendosësh shfarosjen e plotë të tyre, domethënë të Hitejve, të Amorejve, të Kananejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt,

18 me qëllim që ata të mos ju mësojnë të imitoni tërë ndyrësirat që bëjnë për perënditë e tyre, dhe ju të mos mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj.

19 Kur të rrethosh një qytet për një kohë të gjatë, duke luftuar kundër tij, për ta shtënë në dorë, nuk do të shkatërrosh drurët frutorë me goditje të sëpatës, do të hash frutat e tyre dhe nuk do t’i rrëzosh; sepse vallë druri i fushës a është njeri që ti ta përdorësh në rrethimin?

20 Por mund të shkatërrosh dhe të rrëzosh gjithë drurët që ti e di që nuk janë frutorë, për të ndërtuar vepra rrethimi kundër qytetit që të lufton, deri sa ai të bjerë".

21 "Në rast se në vendin që Zoti, Perëndia yt, është duke të dhënë, gjindet një i vrarë, i shtrirë në një fushë, dhe nuk dihet se kush e ka vrarë,

pleqtë dhe gjykatësit e tu do të dalin dhe do të masin largësinë midis të vrarit dhe qyteteve që ndodhen rreth e rrotull.

Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt me të vrarin do të marrin një mëshqerrë që nuk ka punuar akoma dhe as nuk është mbrehur.

Pleqtë e atij qyteti do ta zbresin mëshqerrën pranë një rrjedhe uji, në një vend as të lëruar as të mbjellë, dhe aty afër rrjedhës së ujit do t’ia thyejnë qafën mëshqerrës.

Pastaj do të afrohen priftërinjtë, bij të Levit, sepse Zoti, Perëndia yt, i ka zgjedhur për të shërbyer dhe për të dhënë bekimin në emër të Zotit, dhe fjala e tyre duhet të zgjidhë çdo mosmarrëveshje dhe çdo dëmtim trupor.

Atëherë tërë pleqtë e qytetit, që është më afër me të vrarin, do të lajnë duart mbi mëshqerrën së cilës i është thyer qafa pranë rrjedhës së ujit;

dhe, duke marrë fjalën, do të thonë: "Duart tona nuk e kanë derdhur këtë gjak, as sytë tona s’e kanë parë.

O Zot, fale popullin tënd Izrael që ti ke çliruar, dhe mos i ngarko fajin e gjakut të pafajshëm popullit tënd Izrael". Dhe ai gjak do t’u falet atyre.

Kështu ti do të heqësh nga vetja jote fajin e gjakut të pafajshëm, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit.

10 Kur të shkosh në luftë kundër armiqve të tu dhe Zoti, Perëndia yt, të t’i japë në dorë dhe ti t’i zësh robër,

11 në rast se sheh midis robërve një grua të pashme dhe të pëlqen aq sa të duash ta bësh bashkëshorten tënde,

12 do ta çosh në shtëpinë tënde, dhe ajo do të rruajë kokën dhe do të presë thonjtë,

13 do të heqë rrobat e robinjës, do të banojë në shtëpinë tënde dhe do të mbajë zi një muaj të tërë për të atin dhe për të ëmën, pastaj ti do të hysh te ajo dhe do të jesh bashkëshorti i saj dhe ajo do të jetë bashkëshortja jote.

14 Në qoftë se më vonë nuk të pëlqen më, do ta lësh të shkojë ku të dojë, por nuk mund ta shesësh për para as ta trajtosh si skllave, sepse ti e ke poshtëruar.

15 Në qoftë se një burrë ka dy gra, dhe njerën e dashuron dhe tjetrën e urren, dhe si e dashuruara ashtu dhe ajo e urryera i kanë lindur fëmijë, në rast se i parëlinduri është fëmija e gruas së urryer,

16 ditën që u lë me testament pasurinë që zotëron bijve, nuk mund t’i shënojë të drejtën e paralindjes djalit të gruas që dashuron duke e preferuar nga djali i gruas që urren që është i parëlinduri;

17 por do të njohë si të parëlindur djalin e gruas së urryer, duke i dhënë një pjesë të dyfishtë të të gjitha atyre që zotëron; sepse ai është prodhimi i parë i fuqisë së tij dhe atij i përket e drejta e paralindjes.

18 Në qoftë se një burrë ka një fëmijë kokëfortë dhe rebel që nuk i bindet as zërit të babait, as atij të nënës dhe me gjithëse e kanë ndëshkuar, nuk u bindet atyre,

19 i ati dhe e ëma do ta marrin dhe do ta çojnë te pleqtë e qytetit të tij, në portën e vendit ku banon,

20 dhe do t’u thonë pleqve të qytetit: "Ky biri ynë është kokëfortë dhe rebel; nuk do t’i bindet zërit tonë; është grykës dhe pijanec".

21 Atëherë tërë banorët e qytetit të tij do ta vrasin me gurë dhe ai ka për të vdekur; kështu do të shrrënjosësh të keqen nga mesi yt, tërë Izraeli do ta mësojë dhe do të ketë frikë.

22 Në rast se dikush ka kryer një krim që meriton vdekjen dhe ka pësuar vdekjen, dhe ti e ke varur në një dru,

23 kufoma e tij nuk do të rrijë tërë natën mbi pemën, por do ta varrosësh po atë ditë; sepse ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia, dhe ti nuk do ta ndotësh tokën që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi".