A A A A A
Bible Book List

Zanafilla 6Albanian Bible (ALB)

Kur njerëzit filluan të shumohen mbi faqen e dheut dhe u lindën atyre vajza,

djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë.

Dhe Zoti tha: "Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet".

Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve.

Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.

Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet.

Kështu Zoti tha: "Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar".

Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit.

Kjo është prejardhja e Noeut. Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë.

10 Dhe Noeu pati tre bij: Semin, Kamin dhe Jafetin.

11 Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.

12 Tani Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij.

13 Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kam vendosur t’i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t’i zhduk bashkë me tokën.

14 Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda.

15 Por ti do ta ndërtosh në këtë mënyrë: gjatësia e arkës do të jetë treqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë dhe lartësia tridhjetë.

16 Do ta bësh arkën me një dritare dhe do ta mbarosh me një kubit mbulese nga sipër; anash arkës do të vendosësh derën dhe do ta bësh me tre kate, pra me katin e poshtëm, të mesëm dhe të sipërm.

17 Dhe ja, unë vet kam për të sjellë përmbytjen e ujërave mbi tokë, për të shkatërruar nën qiellin çdo mish që ka shenjë jete; çdo gjë që ndodhet mbi tokën ka për të vdekur.

18 Por unë do të caktoj besëlidhjen time me ty dhe ti do të futesh në arkën: ti, fëmijët e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu.

19 Dhe nga çdo gjë që jeton prej çdo lloj mishi fut në arkë dy nga çdo lloj, për t’i ruajtur me vete gjallë bashkë me ty; dhe të jenë mashkull dhe femër.

20 Nga zogjtë, nga bagëtia dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre, dy nga çdo lloj do të vijnë te ti, që të ruhen gjallë.

21 Dhe merr për vete nga çdo ushqim që hahet, grumbulloje dhe ruaje, në mënyrë që të shërbejë si ushqim për ty dhe për ata".

22 Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes