A A A A A
Bible Book List

Zanafilla 50Albanian Bible (ALB)

50 Atëherë Jozefi u hodh mbi fytyrën e të atit, qau mbi të dhe e puthi.

Pastaj Jozefi urdhëroi mjekët që ishin në shërbim të tij të balsamosnin të atin; dhe mjekët e balsamosën Izraelin.

U deshën dyzet ditë, sepse e tillë ishte koha e nevojshme për balsamimin; dhe Egjiptasit e qanë shtatëdhjetë ditë.

Kur kaluan ditët e zisë të mbajtura për të, Jozefi foli në shtëpinë e Faraonit duke thënë: "Në qoftë se kam gjetur hirin tuaj, i thoni Faraonit këto fjalë:

Ati im më ka vënë të betohem dhe më ka thënë: "Ja, unë jam duke vdekur; më varros në varrin që kam gërmuar në vendin e Kanaanit". Tani, pra, më lejo të ngjitem për të varrosur atin tim, pastaj do të kthehem".

Faraoni u përgjegj: "Ngjitu dhe varrose atin tënd ashtu si të ka vënë të betohesh".

Atëherë Jozefi u ngjit për të varrosur të atin; dhe me të u ngjitën tërë shërbëtorët e Faraonit, të moshuarit e shtëpisë së tij dhe tërë të moshuarit e vendit të Egjiptit,

dhe tërë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Në vendin e Goshenit lanë vetëm fëmijët e tyre të vegjël, kopetë me bagëtinë e imët dhe me bagëtinë e trashë.

Me të u ngjitën lart gjithashtu qerre dhe kalorës, aq sa u formua një vargan i madh njerëzish.

10 Me të arritur në lëmin e Atadit, që është përtej Jordanit, u dëgjuan vajtime të mëdha dhe solemne; dhe Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin.

11 Kur banorët e vendit, Kananejtë, panë zinë në lëmin e Atadit, thanë: Kjo është një zi e madhe për Egjiptasit!!". Prandaj ai vend u quajt Abel-Mitsraim dhe ndodhet përtej Jordanit.

12 Bijtë e tij bënë për të atë që ai i kishte urdhëruar.

13 Bijtë e tij e bartën në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Malkpelahut, përballë Mamres, që Abrahami e kishte blerë bashkë me arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij.

14 Mbasi varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që ishin ngjitur deri atje për të varrosur atin e tij.

15 Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: "Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?".

16 Atëherë i çuan fjalë Jozefit: "Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë:

17 "Kështu do t’i thoni Jozefit: "Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq". Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd". Jozefi qau kur i folën kështu.

18 Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: "Ja, ne jemi shërbëtorët e tu".

19 Jozefi u tha atyre: "Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?.

20 Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.

21 Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj". Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi.

22 Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet.

23 Jozefi pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij.

24 Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë po vdes; por Perëndia do t’ju vizitojë me siguri dhe do t’ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".

25 Pastaj Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: "Perëndia me siguri do t’ju vizitojë; atëherë ju do t’i hiqni kockat e mia që këtej".

26 Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes