Psalmet 19:1-6
Albanian Bible
19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.
3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;
4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;
5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.
6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.
Read full chapter
Zanafilla 1:1-27
Albanian Bible
1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.
2 Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave.
3 Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë.
4 Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.
5 Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.
6 Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t’i ndajë ujërat nga ujërat".
7 Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë.
8 Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë.
9 Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë.
10 Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "detë". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.
11 Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij". Dhe kështu u bë.
12 Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën simbas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
13 Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë.
14 Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;
15 dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën". Dhe kështu u bë.
16 Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet.
17 Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën,
18 për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
19 Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt.
20 Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore".
21 Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
22 Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë".
23 Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.
24 Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre". Dhe kështu u bë.
25 Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
26 Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".
27 Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.
Read full chapter